Ndërlidhjet

logo-print

Kosova burim, destinacion dhe transit


Viktima të trafikimit / arkiv

Viktima të trafikimit / arkiv

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ata të organizatave joqeveritare e vlerësuan si real Raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, u zotua se të gjitha rekomandimet e DASH-it do të merren parasysh.


Përfaqësuesit e Institucioneve të Kosovë e vlerësuan real Raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e njerëzve.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme thanë se me gjithë vërejtjet në raport, institucionet e vendit kanë shënuar suksese në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në një konferencë për media, tha se vetëm në muajt e parë të këtij viti janë arrestuar 59 persona, kurse janë identifikuar 17 viktima.

“Mund të them se dëshira jonë është që këtë dukuri shumë të keqe, e që nuk është vetëm në Kosovë, ta heqim krejt nga rendi i ditës. Megjithatë, në bazë të asaj se kur i kemi kompletuar mekanizmat për luftën kundër trafikimit dhe prioritetet e mëdha që i ka Qeveria edhe në shumë lëmi të tjera, mund të themi se jemi të kënaqur me progresin e bërë, nëse e bëjmë krahasimin në mes të vitit 2009 dhe viti 2010”, tha Rexhepi.

Në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se Kosova është burim, destinacion dhe ndoshta edhe vend transit për gratë që trafikohen për qëllime seksuale dhe fëmijët që trafikohen për t’u bërë lypsarë.

Një gjë të tillë e pohoi edhe ministri Rexhepi:

"Kosova, natyrisht, trajtohet edhe si burim, për arsye se ka mjaft edhe nga Kosova që e kryejnë këtë profesion, ose janë të detyruar për prostitucion - në Kosovë, po edhe në vende të Evropës. Gjithashtu është edhe destinim”.

Ministri i Brendshëm, Rexhepi, theksoi se në aspektin e mbrojtjes dhe në atë të parandalimit, institucionet e Kosovës kanë zbatuar të gjitha aktivitetet që kanë dalë nga Strategjia nacionale kundër trafikimit me njerëz.

Sa i takon çështjes së ndëshkimit nga ana e organeve të drejtësisë, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme thanë se gjatë viteve të kaluara, Gjyqësori dhe Prokuroria kanë qenë në fazën e reformimit.

Megjithatë, ministri Rexhepi u shpreh optimist se në këtë drejtim nuk do të mungojnë rezultatet.

Bajram Rexhepi
“Gjyqësia deri tash ka qenë në fazën e reformave është duke e kompletuar numrin me më shumë prokurorë dhe gjyqtarë. Dhe, me të drejtë presim që këta mekanizma të jenë shumë më funksionalë dhe të kemi rezultate të përbashkëta. Luftimi ndaj kësaj dukurie do të jetë i kompletuar vetëm kur të kemi edhe më shumë dënime të merituara për ata që i keqpërdorin njerëzit”, u shpreh Rexhepi.

Edhe organizatat joqeveritare që merren me rehabilitimin e viktimave të trafikuara, thanë se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën është i saktë.

Ndërsa, sa i takon punës së institucioneve të vendit, drejtues të organizatave joqeveritare thanë se duhet të bëhet më shumë në parandalimin e trafikimit.

Hamidije Dedolli nga Qendra për Mbrojtjen e Viktimës dhe parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk mjafton vetëm hartimi i planeve për parandalimin e trafikimit me njerëz, por, siç tha ajo, ato duhet edhe të zbatohen.

“Shumë e rëndësishme është që Qeveria, me theks të veçantë Ministria e Punëve të Brendshme duhet të bëjë më tepër, që t’u mundësojë shërbime afatgjata viktimave të trafikimit. Pa shërbime afatgjata, qoftë në rehabilitim, qoftë në riintegrim ne nuk mund të themi se jemi të suksesshëm në rehabilitimin dhe riintegrimin e viktimave të trafikuara. Në momentin kur viktima nuk është e rehabilituar, apo e riintegruar, ajo sërish mbetet viktimë e trafikimit. Andaj konsiderojmë që Qeveria duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim”, tha Dedolli.

Sipas parametrave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, shkaqet më të shpeshta që i shtyjnë njerëzit për t’u marrë me aktivitete të tilla kriminale, janë kushtet e vështira socio-ekonomike.


Raporti i Departamentit Amerikan


Raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit thotë se "Qeveria kosovare nuk i zbaton plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit me njerëz, ndonëse bën përpjekje për t’i arritur ato".

Në raport, i cili mban titullin "Trafikimi me njerëz 2011", vlerësohet se në veriun e Kosovës, rajon ky jashtë kontrollit të Prishtinës, ndodh trafikimi i brendshëm i serbëve të Kosovës.

Kosova është burim, destinacion dhe ndoshta edhe vend tranzit për gratë që trafikohen për qëllime seksuale dhe fëmijët që trafikohen për t’u bërë lypsarë, thuhet mes tjerash në raport.

Pjesa më e madhe e viktimave të huaja që detyrohen të merren me prostitucion janë vajza të reja nga Moldavia, Shqipëria, Polonia dhe Serbia. Femrat nga Kosova janë subjekt shfrytëzimi për prostitucion brenda Kosovës dhe jashtë saj, thuhet në raport.

OJQ-të kanë raportuar se fëmijët lypsarë janë të rrezikuar nga puna e detyrueshme në Kosovë.

Ndonëse në raport kritikohet Qeveria kosovare, megjithatë vlerësohet shtimi i fondeve dhe përpjekjet për parandalimin e trafikimit.

Zgjidhja e rasteve të trafikimit ka qenë e ngadalshme dhe numri i dënimeve ka qenë më i vogël se në vitin paraprak. Raporti jep edhe të dhëna statistikore, duke thënë se në çdo 10 bastisje të kryera, është zbuluar një viktimë e re.

Raporti i DASH-it gjithashtu thotë se “në fund, ka pasur hetime dhe ndjekje penale të zyrtarëve publikë për pjesëmarrje në trafikim, por nuk ka pasur dënime”.

Në pjesën e rekomandimeve për Kosovën, DASH-i bën thirrje për “ndjekje penale pro-aktive, gjykimin dhe dënimin e autorëve të trafikimit të njerëzve për punë dhe qëllime seksuale, duke përfshirë edhe ndjekjen e dënimin e zyrtarëve të përfshirë në këtë krim". (a.h.)
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG