Ndërlidhjet

Partia Komuniste feston 90-vjetorin


Presidenti kinez, Hu Xhintao
Presidenti kinez, Hu Xhintao
Presidenti kinez Hu Xhintao tërhoqi vërejtjen se Partia Komuniste duhet të luftojë korrupsionin - duke thënë se ndryshe, ajo do të rrezikojë humbjen e mbështetjes nga populli. Ai i bëri këto komente në një ceremoni që shënoi 90-vjetorin e themelimit të partisë. Xhintao lavdëroi jetëgjatësinë e partisë, por paralajmëroi se sot ajo po përballet me “dhimbjet në rritje”.


Partia Komuniste e Kinës shënoi 90-vjetorin e themelimit, në një ceremoni luksoze në Pekin.

Salla e Madhe e Popullit në Pekin, ishte dekoruar me pano, lule dhe sipër skenës ishte vendosur një pllakatë gjigante që shënonte vitet 1921-2011.
Qindra delegatë nga tërë Kina zunë vend në ulëset e tyre - ata janë të vetëdijshëm për ndryshimet e mëdha të partisë së tyre, që nga themelimi i saj në vitin 1921.

Saga e jashtëzakonshme e Partisë Komuniste të Kinës filloi nga një parti revolucionare, e cila luftoi liderin e atëhershëm nacionalist, Chiang Kai-shek, për të vazhduar me formimin e një fronti të bashkuar kundër okupimit japonez të Kinës, pastaj për të rifilluar luftën me nacionalistët, ku triumfoi tek në vitin 1949 kur edhe erdhi në pushtet.

Por, fakti se pse mbetet edhe më tej në pushtet, shumë kohë pasi që regjimet komuniste në botë janë rrëzuar, është ndoshta shkathtësia e saj e jashtëzakonshme.

Sot, partia ka kontrollin e plotë të Kinës, pa ndonjë parti rivale në horizont.
Presidenti Hu Xhintao ka lavdëruar jetëgjatësinë e partisë. Duke e quajtur, partinë si grupimin më të madh politik në botë, me 80 milionë anëtarë të regjistruar - si shprehje e vullnetit të popullit kinez, ai u zotua se do t’i ruajë vlerat fundamentale.

“Për të zhvilluar një sistem socialist demokratik, ne duhet të mos lëshojmë rrugën e socializmit me karakteristikat kineze. Është thelbësore që të ruajmë tri parime: ruajtja e lidershipit të partisë, sigurimi se populli është vendim-marrës dhe sundimi i shtetit sipas ligjit”, tha Xhintao.

Ai pranoi se janë bërë gabime “në disa periudha historike”, një referencë kjo për fushatat dhe politikat që lanë të vdekur dhjetëra miliona njerëz në dekadat e hershme të sundimit komunist. Por, ai tha se partia ka mësuar nga këto gabime.

Përveç përgëzimeve për sukseset e partisë, të tubuarit, po ashtu morën paralajmërime për sfidat aktuale të partisë, për shkak të rritjes ekonomike të Kinës në dekadat e fundit. Kjo rritje, që ka ardhur edhe për shkak të inkurajimit të bizneseve private nga vetë partia, e ka transformuar shoqërinë kineze, duke krijuar jo vetëm pasuri të reja, por edhe një nervozizëm me sistemin autoritar kinez.

Hu Xhintao i kushtoi vëmendje kësaj, ndërsa foli për nevojën që të ruhet “stabiliteti” si një nga sfidat më të mëdha.

Zhvillimi është prioriteti kryesor, stabiliteti është përgjegjësia jonë. Nëse nuk kemi stabilitet, nuk mund të arrijmë asgjë dhe arritjet që i kemi tani, mund të humbasin. Këtë duhet ta kenë në mend, jo vetëm shokët në parti, por duhet të jetë një udhëzim edhe për popullin”, theksoi Hu Xhintao.

Ai kërkoi nga delegatët e partisë që ta çrrënjosin korrupsionin, duke e quajtur atë si kërcënimin më të madh të ruajtjes së besimit në qeveri.

“Ne ende përballemi me një luftë kundër korrupsionit. Detyra mbetet ende e vështirë. Nëse korrupsioni nuk mënjanohet në mënyrë efektive, partia do ta humbë besimin dhe mbështetjen e popullit. E tërë partia duhet të jetë në alarm dhe ta kuptojë plotësisht natyrën afatgjate, kompleksitetin dhe përpjekjet tona të vështira për ta luftuar korrupsionin”, u shpreh Xhintao.

Paralajmërimet e Xhintaos vijnë derisa udhëheqja e Partisë Komuniste, së fundi, lëshoi një breshëri politikash që kanë për synim mposhtjen e çmimeve të larta, ndërsa po mundohet ta ruajë rritjen ekonomike.

Në të njëjtën kohë, në kohën sa vazhdonte ceremonia, autoritetet lansuan një aksion ndaj disidentëve pas thirrjeve në internet për protesta të stilit arab në Kinë.

Aksioni përfshiu arrestimet dhe paraburgimet e disidentëve, avokatëve të të drejtave të njeriut dhe aktivistëve.

Deri më tash kjo strategji e kombinuar e regjimit të grushtit të hekurt, të kontrollit shtetëror të qendrave të fuqive të mëdha ekonomike dhe inkurajimit të ndërmarrjeve private, është dëshmuar si një formulë e suksesshme, për të mbajtur partinë në pushtet, të fortë siç ka qenë edhe në të kaluarën.

Sfidë për Kinën, në të ardhmen, megjithatë, do të jetë ruajtja e rritjes ekonomike në shkallë të tillë, që do të linte pas kërkesat në mes të njerëzve të varfër për shpërndarje më të madhe të pasurisë dhe nga njerëzit e rëndomtë në të gjitha nivelet, për një zë më të fuqishëm në qeveri.

Në mënyrë ironike, janë pikërisht këto kërkesa që fillimisht e sollën Partinë Komuniste në pushtet. Sot, 90 vjet më vonë, ato përfaqësojnë kërcënimet më të mëdha potenciale për të ardhmen e këtij pushteti.(a.i.)
XS
SM
MD
LG