Ndërlidhjet

Nojkiq: Ideja për ndarje përçan serbët


Rangjel Nojkiq

Rangjel Nojkiq

Serbët në veri e dëshirojnë idenë për ndarje, por ata nga pjesa qendrore e Kosovës janë absolutisht kundër një ideje të tillë, tha në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Rangjell Nojkiq, politikan serb nga Graçanica.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Nojkiq, procesi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit tashmë është në zhvillim e sipër. Cilat janë pritjet tuaja dhe të komunitetit serb të Kosovës lidhur me këtë dialog?
RANGJELL NOJKIQ
Me siguri se pritjet e mia dhe ato të bashkësisë serbe dallojnë shumë. Bashkësia serbe, natyrisht se pret që nga këto bisedime të arrihet një farë marrëveshje e caktuar. Megjithatë, pritjet e mia nuk janë të tilla, ndonëse do të dëshiroja që të ndodhë diçka e tillë. Por, në bazë të asaj se çfarë po ndodhë tash, mendoj se nuk mund të pritet të arrihet çfarëdo marrëveshje, pa ndërhyrjen apo pa ndërmjetësimin e kryesuesit të bashkësisë ndërkombëtare.

Deklaratat që këto ditë po i japin shefat e ekipeve dialoguese, zonja Edita Tahiri dhe zoti Borko Stefanoviq, dallojnë shumë. Shumë shpesh po imponohen në mbrojtje të qëndrimeve të tyre, ndërkaq paraprakisht kanë deklaruar se kanë arritur marrëveshje të caktuara dhe se presin që të arrihen edhe marrëveshje tjera të caktuara. Sidomos, këto ditët e fundit, një gjë të tillë po e demantojnë me deklaratat e tyre.

Kështu që, konsideroj se bashkësia ndërkombëtare duhet gjithsesi që të inkuadrohet, nëse dëshiron që të arrihen zgjidhjet optimale.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka ndonjë aranzhim, të cilin ju e prisni konkretisht dhe që do të ishte me interes për bashkësinë serbe në Kosovës?

RANGJELL NOJKIQ

Janë mjaft çështje, të cilat janë tejet të rëndësishme për bashkësinë serbe. Krahas çështjeve, të cilat tash po diskutohen lidhur me kadastrën dhe librat, ekzistojnë edhe mjaft çështje të tjera të pazgjidhura, me rëndësi jetësore, qoftë për bashkësinë serbe, qoftë për atë shqiptare në hapësirën e Kosovës.

Është i rëndësishëm rregullimi i çështjeve pensionale, si për njërën, ashtu edhe për tjetrën bashkësi. Unë do t’ju përkujtoj që serbët, aktualisht, nuk mund t’i zgjidhin çështjet e pensioneve pikërisht për shkak se për pagesat disavjeçare në Fondin e Sigurimit Pensional, dokumentacioni burimor ka mbetur në Prishtinë dhe atë që pala kosovare e ofron, Beogradi nuk e pranon për shkak të vulave. Do të thotë, këto janë çështje të rëndësishme jetësore që duhet të zgjidhen.

Gjithashtu, është mjaft e rëndësishme për të gjithë banorët e Kosovës, çështja e dokumenteve dhe çështja e lëvizjes në Kosovë dhe jashtë saj. Ka mjaft çështje; krahas çështjes së telekomunikacionit është edhe çështja e tatimeve, e cila nuk është zgjidhur në mënyrë adekuate. Por, për t’u gjetur zgjidhjet më relevante, me të cilat do të zgjidheshin problemet, atëherë do të duhej që edhe Prishtina, e edhe Beogradi të ulen me njerëzit nga Kosova që të bisedojnë për këtë.

Mua më shqetëson situata që as Beogradi, e as Prishtina, nuk dëshirojnë të bisedojnë me përfaqësuesit e serbëve në institucione, para së gjithash po mendoj për serbët që janë në institucione. Thjesht, kështu po nxisin dyshime për gjithë procesin, se praktikisht po përpiqen të gjejnë një marrëveshje, duke i anashkaluar njerëzit, për të cilët edhe po bëhen ato marrëveshje. Prandaj, duhet hapur diskutimin për të biseduar se cilat janë ato çështje. Është dashur që kjo të bëhet që moti. Është sidomos e nevojshme që në këtë diskutim të inkuadrohen serbët që janë në institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Nojkiq, kohët e fundit, nga zyrtarët e Beogradit, mjaft shpesh është përmendur ideja e ndarjes së Kosovës si një opsion që nuk duhet përjashtuar. Si e shihni ju këtë ide?

RANGJELL NOJKIQ

Mendoj se ideja për ndarjen e Kosovës është ide e çmendur. Kjo, para së gjithash, bëhet për arritjen e disa pikëve politike, duke pasur parasysh që kur bëhet fjalë për bashkësinë serbe në hapësirën e Kosovës, në këtë pikë interesat janë absolutisht të ndara. Serbët në veri e dëshirojnë këtë ndarje, duke llogaritur se do të marrin një lloj demarkacioni me pjesën tjetër të Kosovës. Serbët nga pjesa qendrore e Kosovës janë absolutisht kundër një ideje të tillë. Kështu që, praktikisht, as Beogradi nuk di se si të artikulohet me dëshirat e serbëve të Kosovës dhe pastaj idetë dhe temat e tilla shtyhen para, në mënyrë që eventualisht një nga zgjidhjet të jetë edhe ndarja.

Por, unë jam i sigurt, gati se absolutisht i sigurt, se kjo nuk do të ndodhë, për shkakun e thjeshtë, sepse konsideroj që nëse diçka e tillë do të ndodhte, atëherë Beogradi do të kishte pasoja nga bashkësia serbe. Do të ngjallej revoltë e hapur e serbëve nga ajo pjesë e Kosovës, të cilët janë kundër dhe e hedhin poshtë një mundësi të tillë, gjegjësisht ndarjen e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se sforcimi i idesë për ndarje nga ana e zyrtarëve të Beogradit e dëmton dialogun e filluar me Prishtinën?
RANGJELL NOJKIQ
Me siguri që, nëse nuk është arritur çfarëdo marrëveshje për atë temë dhe ajo imponohet, kjo gjithsesi mund të ndikojë në bisedime. Deri më tash, të paktën, sipas raporteve që kemi arritur t’i marrim, përafërsisht, gjithnjë temat janë bërë me marrëveshje dhe pas kësaj është biseduar për problemet.

Por, kësaj here, më duhet të them se Prishtina as që ka iniciuar një temë apo mundësi të tillë. Beogradi e ka bërë këtë. Do të thotë e gjithë kjo vjen nga ana e Beogradit. Nëse nuk arrihet asnjë konsensus lidhur me temat që bisedohen, atëherë një propozim i tillë gjithsesi se mund ta dëmtojë dialogun.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Nojkiq, zyrtarët shtetëror serbë kanë thënë se Serbia përkujdeset njëjtë për të gjithë popullatën serbe në Kosovë, qoftë në veri të saj, qoftë në pjesën qendrore. A mendoni se kjo është e vërtetë?


RANGJELL NOJKIQ

Lidhur me këtë unë tashmë u përgjigja edhe paraprakisht. Nëse Beogradi inicion ndonjë çështje, kundër së cilës janë absolutisht serbët nga ana jugore e Ibrit, atëherë nuk mund të thuhet që Beogradi nuk po e favorizon dhe se nuk po e mbështet njërën anë. Prandaj, mendoj se kjo nuk është ashtu. Jo vetëm kjo, por ekzistojnë edhe shumë çështje të tjera që tregojnë se Beogradi ose një pjesë e Beogradit është më miqësor ndaj serbëve në veri.

Vetë fakti që dy pozita kyçe në Ministrinë për Kosovën i kanë marrë serbët nga ana veriore e lumit Ibër dhe se dëgjohet zëri i tyre, ndërkaq ata që i përfaqësojnë serbët në anën jugore të lumit Ibër dëgjohen shumë më pak ose disa nuk dëgjohen fare, flet qartë se ekziston favorizimi i pjesës veriore.

Ministri për Kosovë është nga veriu. Sekretari shtetëror në të njëjtën ministri është gjithashtu nga veriu. Kjo flet qartë se serbët e të dyja anëve të lumit Ibër, nuk janë të përfaqësuar krejtësisht në mënyrë të njëjtë.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG