Ndërlidhjet

Raporte speciale që nga disa shihen si brengosëse


Vladimir Putin dhe Angela Merkel
Vladimir Putin dhe Angela Merkel
Nuk është fshehtësi se Gjermania është njëri nga shtetet evropiane me marrëdhënie shumë të afërta me Rusinë.

Berlini është blerësi më i madh i Moskës për gaz natyror dhe në përgjithësi partneri më i madh tregtar.

Marrëdhëniet e afërta i brengosin ata që besojnë se Rusia po i shfrytëzon burimet e saj natyrore për avantazh politik dhe përfitim komercial.

Derisa pjesa më e madhe e botës vazhdon të luftojë kundër efekteve të krizës aktuale globale financiare, një shtet në Evropë, ka parë rritje të pasurisë së tij.

Ky shtet është Gjermania, ekonomia e të cilit pritet të shënojë rritje për më tepër se 3%, këtë vit.

Automobilat gjermanë dhe teknologjia tjetër e këtij shteti janë ndër më të dëshirueshmet në botë.
Por, suksesi i jashtëzakonshëm i eksporti të këtij vendi, varet nga energjia e Rusisë.

Aktualisht, Gjermania mbështetet 40% në gazin natyror të Rusisë, dhe kjo e dhënë duket se do të rritet, pasi Berlini i ka përshpejtuar planet për mbylljen e centraleve atomike për energji, pas krizës bërthamore në centralin Fukushima të Japonisë, në fillim të këtij viti.

Hans-Urlih Kloze, që është anëtar veteran i Parlamentit nga Partia Socialdemokrate (SPD), e pranon qartazi duke thënë se për Gjermaninë është e pamundshme t’i zgjidhë problemet e veta energjetike pa Rusinë.

Sipas tij, duke iu kundërvënë Moskës me kritikë dhe izolim, nuk është zgjidhje.

Nuk ka shumë kuptim nga pikëpamja evropiane, të vazhdohet me kundërthëniet afatgjata me Rusinë. Ne e dimë se çka është Rusia sot dhe ne duam ta ndryshojmë këtë”, thotë Hans-Urlih Kloze.

Sipas tij, Gjermania ndoshta mund të varet nga Rusia për energjinë e saj, por Rusisë në mënyrë të skajshme i duhen investimet dhe teknologjia për modernizim të ekonomisë së saj joefikase.

Përkundër dëshmive se rritja e autoritarizmit rus, në mënyrë të ndjeshme po e shton margjinalizimin e Organizatave joqeveritare, Kloze thotë se Rusia, poashtu, dëshiron që Gjermania të ndihmojë në ndërtimin e shoqërisë civile dhe institucioneve demokratike dhe se kjo i bënë që marrëdhëniet të funksionojnë, pasi është një varshmëri e përbashkët.

Politikanët e Partisë Socialdemokrate, që dikur udhëhiqeshin, nga lideri i kësaj partie, ish kancelari Gerhard Shrëder, janë në mesin e mbështetësve më të fuqishëm të marrëdhënieve më të mira me Moskën.

Zoti Shrëder kishte shkuar edhe më larg, duke i shokuar aleatët e tij në vitin 2005, kur e pranoi një vend pune në kompaninë monopole shtetërore ruse të gazit, Gazprom, në postin e kryesuesit të projektit të ri për sistemin e gypave nën Detin Baltik, që drejtpërdrejt do ta lidhë Gjermaninë me Rusinë.

Ky projekt, i njohur me emrin “Rrjedha Veriore” pritet të kompletohet këtë vit.

Shumë gjermanë e kishin kritikuar këtë zhvillim, disa javë pasi Gerhard Shrëder ishte tërhequr nga posti i kryeministrit.

Anëtarja e Parlamentit nga Partia e Gjelbër, Marie-Luiye Bek, thotë se kjo ishte tejet e pakëndshme.

Ishte Gerhard Shrëder që e filloi marrëveshjen Rrjedhja Veriore, që do të thotë se për të parën herë, ai realisht i dha palës ruse mundësinë për të përçarë dhe sunduar. Ishte Gjermania ajo që e bëri hapin e parë bilateral”, thotë Marie-Luize Bek.

Ajo është e bindur se Gazpromi dallon nga kompanitë perëndimore, pasi më tepër se zakonisht është bashkim ndërmjet politikës dhe biznesit.

Aktualisht, kjo kompani i ndihmon Moskës në politikën e jashtme duke ofruar kontrata shumë të volitshme për kompanitë evropiane të energjisë.

Ekzekutivët e saj, pastaj veprojnë si lobistë për Qeverinë e Rusisë, duke ndikuar që qeveritë t’i vendosin interesat e tyre kombëtare mbi strategjinë e unifikuar evropiane për energji.

Zëdhënësi i Partisë Socialdemokrate për politikë të jashtme, Rolf Mojzeniç, i ka hedhur poshtë shqetësimet, duke thënë se “nuk ka dallim të madh” në sjelljen e Rusisë në krahasim me vendet e tjera.

A ka dallim kur ju e shikoni Libinë ose Katarin, ose lojtarët e tjerë kryesorë në politikën e energjisë? Ato janë, poashtu, shumë afër ndërmjet qeverisë dhe kompanive”, tha Muetzenich.

Por, ekspertja e energjisë, Kirsten Uestfal, nga Instituti për Sigurinë Ndërkombëtare dhe Punët e Jashtme, që e këshillon qeverinë, beson se varshmëria e Gjermanisë nga Rusia, në mënyrë indirekte, ka ndikim në politikë.

Partnerët gjermanë energjetikë të Rusisë, thotë ajo, “janë lobistë të fuqishëm për raporte të forta bilaterale me Gazpromin”, pasi i kanë interesat e njëjta.

Por, zgjedhja e kancelares, Angela Merkel, në vitin 2005, ka premtuar ndryshim.

Posa u zgjodh në postin e kryeministres, ajo kërkoi nga BE-ja, ta miratojë politikën e përbashkët energjetike dhe për furnizime të ndryshme të energjisë, por së shpejti ajo ishte tërhequr nga qëndrimi i saj luftarak.

Në vitin 2008, Gjermania, përsëri, duket se ishte mbështetësi më i madh i Rusisë në Evropë.

Kur, administrata e ish presidenti amerikan, Xhorxh Bush, kishte bërë fushatë për vënien e Ukrainës dhe Gjeorgjisë në rrugën për anëtarësim në NATO, që kishte shkaktuar zemërim të madh në Rusi, zonja Merkel i kishte udhëhequr kundërshtimet ndaj këtij plani.

NATO-ja e refuzoi nismën, përkundër tmerrit ndërkombëtar ndaj invadimit të Gjeorgjisë nga ana e Rusisë.

Marie-Luize Bek, nga Partia e Gjelbër, beson se Angela Merkel, “e kishte mbyllur dritaren e mundësisë” për Ukrainën, ku qeveria e re, pro-ruse, tash është e zënë duke i arrestuar ish zyrtarët pro-perëndimor.

Kjo ishte pjesë e kënaqjes së Rusisë dhe ne kemi politika të kënaqjes më tepër se sa që është e nevojshme. Unë nuk po bëjë thirrje për politika të konfliktit, por vetëm që të jetë pak më e fortë”, tha Marie-Luize Bek nga Partia e Gjelbër. (f. b.)
XS
SM
MD
LG