Ndërlidhjet

Ndryshimi i tregjeve të gazit e pengon Rusinë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Rusia i ka forcuar marrëdhëniet speciale me Gjermaninë dhe me vendet e tjera evropiane, në përpjekjet e saj për rritjen e kontrollit ndaj tregut evropian të energjisë.

Moska nuk e ka fshehur dëshirën për ta përçarë Bashkimin Evropian lidhur me politikën e unifikuar të energjisë, por rënia e çmimeve të gazit tash mund t’i inkurajojnë gjermanët, që ta rivlerësojnë rolin e tyre.

Kryeministri i Rusisë, Vlladimir Putin, ishte i zemëruar ndaj planit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e tregjeve të energjisë, të cilat kërcënonin shkatërrimin e forcimit të varshmërisë evropiane ndaj Rusisë, pjesërisht edhe duke i mbledhur aksionet e kompanive energjetike të Evropës.

Putin dhe zyrtarët e tjerë të lartë të Rusisë prej atëherë kanë lobuar në BE për përjashtimin e rregullave të reja.

Rolf Fuecks, drejtor i Fondacionit Heinrich Bell, një institut i afërt me Partinë e Gjelbër në Gjermani, e ka kritikuar Bashkimin Evropian se i ka mundësuar Rusisë të forcohet, duke “mos pasur strategji të politikës së energjisë”.

Për Rusinë, energjia është pasuri strategjike. Për ne është mall, një domosdoshmëri ekonomike. Prandaj, ju keni një marrëdhënie jo të barabartë ndërmjet interesave energjetike të Rusisë dhe politikave energjetike të Evropës”, thotë Rolf Fuecks.

Disa besojnë se premtimi i Moskës për rrjedhje të vazhdueshme të energjisë së lirë i ka inkurajuar politikanët gjermanë për tu tërhequr nga një shkallë e sovranitetit duke e reduktuar entuziazmin për unitetin e BE-së dhe për aksion kolektiv.

Michael Link, anëtar i Partisë së Lirë Demokratike, që është partner në koalicionin qeverisës, e pranon se pjesa më e madhe e fajit qëndron në vendet individuale, siç është Gjermania.

Ndikimi i kompanive individuale energjetike ishte bërë i madh pasi ne kishim vetëm qasje kombëtare për politikën e energjisë. Ky është gabim i madh. Ne na duhet qasje evropiane, pasi e gjithë ideja e BE-së është që ta bëni vetveten më të rëndësishëm duke i kombinuar forcat e juaja”, tha Michael Link.

Rusia po i ndërton dy sisteme kryesore të gypave në Evropë, për të cilat kritikët thonë se do ta forcojnë kontrollin e Moskës ndaj industrisë së energjisë në Evropë.

Njëri sistem për në Gjermani, i quajtur Rrjedha Veriore, pritet të kompletohet gjatë këtij viti, ndërsa projekti tjetër, Rrjedha Jugore, projekt në vlerë prej 15 miliardë dollarësh, synon ngulfatjen e furnizimeve për sistemin Nabuko, sistem i propozuar alternativ i BE-së nga Kaspiku dhe Azia Qendrore, përgjatë rrugës, që nuk kalon nëpër Rusi.

Moska është e zënë duke blerë gaz në Azinë Qendrore dhe në Kaspik, me qëllim që ta shteroj Nabukon, derisa vazhdon ta përqeshë projektin rival.

Vitin e kaluar Putin pat thënë se “është e padobishme dhe e rrezikshme të ndërtohet sistem i gypave, pa pasur kontrata për furnizim”.

Njëherësh ai ka bërë ofensivë të jashtëzakonshme diplomatike, që është finalizuar me marrëveshje me disa kompani të energjisë në tetë vende evropiane, përfshirë edhe disa që marrin pjesë në projektin Nabuko.

Klaudia Kemfert, nga Instituti gjerman për hulumtime ekonomike, thotë se motivi i Rusisë është politik.

Rusia dëshiron të krijojë përshtypje se atje nuk ka gaz sepse thjesht ata dëshirojnë t’i mbushin sistemat e tyre të gypave”, thotë Klaudia Kemfert, dhe shton se Kremlini nuk e kupton se situata aktuale në tregun e gazit është “krejtësisht e ndryshme” se para një viti.

Ajo thekson se sistemi i gypave Rrjedhja Veriore për në Gjermani është “jo i domosdoshëm”, pjesërisht për shkak se Rusia nuk po investon mjaft në prodhimin e gazit për të siguruar se do të ketë furnizime adekuate. (f. b.)
XS
SM
MD
LG