Ndërlidhjet

logo-print

Thaçi: Qeveria s'ndërhyn në Kushtetutë


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë sot se pushtetet janë të ndara dhe se në asnjë rrethanë nuk duhet të ketë ndërhyrje në Kushtetutë dhe në ligje.

Ai i ka bërë këto komente, pas interesimit të gazetarëve nëse Qeveria e Kosovës do të marrë nismën që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ta interpretuar çështjen e imunitetit të deputetëve.

“Unë nuk jam ai që do ta interpretoj Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pushtetet janë të ndara. Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i kryejë obligimet e veta plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës, por edhe me ligjet aktuale. Qeveria është ekzekutivi dhe pushtetet janë të ndara. Në asnjë rrethanë nuk duhet të ketë interferime me autoritetet kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë Thaçi, gjatë një vizite në komunën e Lipjanit.

Ai i pyetur rreth deklaratës së zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit Tomas Kantrimen, i cili i ka bëri thirrje kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi që Kuvendi t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për opinion lidhur me çështjen e imunitetit të deputetëve, kryeministri Thaçi ka thënë se diplomati amerikan ka qenë shumë i qartë në mesazhin e tij.

“Besoj që ke dëgjuar mirë zotin Tomas Kantrimen dhe ai ka qenë shumë i qartë në mesazhet e tij dhe adresat për të cilat ka folur”, ka thënë Thaçi.

Tomas Kantrimen i ka bërë thirrje kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi që Kuvendi t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për opinion lidhur me çështjen e imunitetit të deputetëve.

Kjo kërkesë ka rrjedhur, pas asaj të EULEX-it, i cili ka kërkuar nga Kuvendi që të nxjerrë një rezolutë në lidhje me heqjen e imunitetit të deputetëve, të cilët hetohen nga ky mision.
XS
SM
MD
LG