Ndërlidhjet

Miratimet e ligjeve me procedurë të përshpejtuar


Pamje nga Shkupi, kryeqyteti i Maqedonisë
Pamje nga Shkupi, kryeqyteti i Maqedonisë
Miratimi i ligjeve me procedure të shpejtuar, veçanërisht kur kemi të bëjmë me ligje të cilat drejtpërdrejtë ndikojnë në raportet ndëretnike, siç është ai që rregullon përdorimin e flamurit kombëtar, përdorimin e gjuhës shqipe si dhe interpretimi autentik i ligjit për amnisti për mbylljen e rasteve të Hagës, dëshmon qartë se në Maqedoni shtylla bazë e funksionimit si shtet demokratik, dhjetë vite pas mbylljes së konfliktit të armatosur, është tejet e ndjeshme, theksojnë ekspertët politikë.

Etem Aziri, ligjërues në UEJL në Tetovë, vlerëson se trajtimi i çështjeve më të ndjeshme në periudhën para konstituimit të qeverisë së re, reflekton qartë nervozizmin që ekziston mes partnerëve të vjetër të koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI, të cilët do të vazhdojnë bashkëqeverisjen edhe më tej.

Edhe kjo përbërje e Parlamentit të Maqedonisë për fat të keq i filloi aktivitetet e saj me një dozë të konsiderueshme të nervozizmit. Ujdia mes partive të cilat morën besimin e elektoratit, megjithatë është një hap shumë i vogël por i rëndësishëm drejt përmirësimit të raporteve ndëretnike, meqë po të tre ligjet janë për interesat e shqiptarëve”.

Konkretisht për mua, miratimi i ligjeve në fjalë është një hap drejtë relaksimit të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni, por edhe më shumë se aq, sepse mund të konsiderohet si një hap sado i vogël por i rëndësishëm në drejtim të rritjes së funksionalitetit të sistemit politik të Maqedonisë”, shprehet Aziri

Nga ana tjetër Lubomir Frëckoski, ligjërues në fakultetin juridik të Shkupit, vlerëson se demokracia nënkupton participimin e të gjithë atyre të cilët janë të interesuar dhe mund të ndihmojnë në përgatitjen e ligjeve, të cilat do të jenë funksionale, të zbatueshme dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve, dhe jo në funksion të ndërtimit të raporteve politike mes parterëve të koalicionit.

Për procedurën e mëtejme ai thotë se është e parëndësishme.

Nuk është e shëndetshme për shoqërinë maqedonase, e cila është multnietnike, të arrihen marrëveshje politike, duke pasur për bazë interesat partiake. Kur e them këtë, kam parasysh se diskutohen tre nga çështjet më të ndjeshme".

"E para çështja e gjuhës, e cila në këtë formë si është zgjidhur do pranuar se është në korniza të marrëveshjes së Ohrit, por çështja e rasteve të Hagës, dukshëm kërcënon interesat e qytetarëve, të cilat janë të garantuara në bazë të së drejtës ndërkombëtare, që në rastin konkret, dhe tani arrihet një zgjidhje politike dhe jo juridike”, thekson Lubomir Frëckoski.

Ai shton se marrëveshja politike mes partnerëve të koalicionit qeverisës pa debat publik dhe përfshirjen e ekspertëve të cilët do të shqyrtojnë mundësitë dhe kapacitet e institucioneve për t’i realizuar të njëjtat, kërcënon perspektivat e vendit.

Ndryshe, mbyllja e të ashtuquajturave rastet e Hagës, plotësimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, si dhe ligji për përdorimin e flamurit shqiptar, morën dritë jeshile nga parlamenti republikan me procedurë të përshpejtuar pas një ujdie të arritur mes kryeministrit Nkolla Gruevski dhe liderit të BDI-së Ali Ahmeti, ende pa u konstituuar qeveria e re.
XS
SM
MD
LG