Ndërlidhjet

Dialogu rinis në shtator


Nga takimet e delegacioneve Prishtinë - Beograd
Nga takimet e delegacioneve Prishtinë - Beograd
I dërguari i Bashkimit Evropian në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Robert Kuper, ka njoftuar se takimi i paraparë për të mërkurën mes palëve, është anuluar.

Deri në muajin shtator më nuk do të ketë takime ndërmjet palëve.

“Kemi marrë vendim që të anulojmë takimin e nesërm të dialogut dhe i kam informuar që të dy palët për këtë”, ka thënë Kuper.

Ai ka shtuar se takimi është shtyrë, meqë nuk dukej se palët do të dakordoheshin për ndonjë marrëveshje.

Tash jemi në fazën e diskutimeve ku jemi shumë afër marrëveshjeve për disa çështje dhe nuk ka pse të mbahet takimi përderisa nuk jemi në gjendje që të arrijmë ndonjë marrëveshje”.

Ishte e qartë se kjo nuk do të ndodhte nesër, kështu që vendosëm se do të ishte më mirë që të mos kishte takim, por të rifillojmë në shtator, ku mendoj se do të ketë një perspektivë më të mirë për pajtueshmëri për çështje të caktuara”, ka thënë në një deklaratë për media, Robert Kuper.

Jozyrtarisht, nga burime të Bashkimit Evropian, është mësuar se atmosfera që ishte krijuar pas marrëveshjeve të fundit dhe kritikat që janë dëgjuar, qoftë në Prishtinë, qoftë edhe në Beograd, për marrëveshjet e arritura, kanë ndikuar që palët pak a shumë të përforcojnë qëndrimet e tyre dhe të jenë më pak të gatshme për kompromis në takimin e radhës.

Ndër shkaqet kryesore të anulimit të takimit, burimet diplomatike nga BE-ja përmendin mosgatishmërinë e Beogradit për të pranuar kompromisin për vulat e Kosovës për të mundësuar edhe integrimin e Doganave të Kosovës dhe të qarkullimit të mallrave nga Kosova në rajon.

Për Bashkimin Evropian, qarkullimi i lirë i mallrave krahas qarkullimit të lirë të njerëzve, është një çështje vitale, prandaj insistojnë që për këtë çështje palët të arrijnë sa më parë pajtim, ka thënë një burim i BE-së.

I njëjti burim ka nënvizuar se lëvizja e lirë e mallrave është çështje parimore edhe për vetë Bashkimin Evropian, prandaj dëshiron që edhe Beogradi e Prishtina t’i tejkalojnë ndasitë rreth vulave të Doganave të Kosovës, në mënyrë që Kosova të përfshihet në tregun e lirë të rajonit.

Në BE nuk kanë sqaruar se cilat mund të jenë pasojat për palët, të cilat nuk kanë qenë të gatshme për kompromis, por kanë thënë se shpresojnë që deri në vjeshtë palët do të reflektojnë dhe do të jenë më të gatshme për të arritur pajtim.

Burime të BE-së kanë theksuar se gjatë dialogut të deritashëm palët kanë treguar konstruktivitet të konsiderueshëm dhe presin që, tash, kur janë arritur marrëveshjet e para, ato të zbatohen, por palët të përgatiten edhe për kompromise të reja.
XS
SM
MD
LG