Ndërlidhjet

Maqedonia shpreson në përfitime


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Biznesi i Maqedonisë do të përfitojë shumë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që mallrat serbe të mos hyjnë në Kosovë.

Kjo njëherit i hapë rrugë këmbimit tregtarë mes dy vendeve fqinje, megjithatë përfitimet do të ishin shumë më të mëdha, nëse do të ishin eliminuar me kohë barrierat e transportit dhe problemet që shfaqen në pikat e kufitare me pritjet e gjata, thekson Menderes Kuçi, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë veriperëndimore.

Niveli i përfitimit do të kishte qenë shumë më i madh sikur të përfillej zëri i Odës Ekonomike të Maqedonisë perëndimore, që të zgjerohen vendkalimeve kufitare si dhe potenciali i shërbimeve të tyre të jetë më i lartë”, shprehet Kuçi, sipas të cilit biznesmenët nga Maqedonia janë duke bërë hapa konkret, në bashkëpunim me biznesmenët turk të marrin një pjesë sa më të madhe nga kulaçi i eksportit të mallrave serbe në Kosovë, të cilat sipas të dhënave zyrtare, arrijnë vlerën rreth 300 milionë euro në vit.

Kemi veçmas një takim me një grup biznesmenësh që vinë nga Turqia, në mënyrë që të shqyrtohen mundësitë që përmes Maqedonisë ata të depërtojnë në tregun kosovar, veçanërisht me prodhimet deficitare”, thekson Kuçi.

Edhe eksperti maqedonas Mitko Aleksov, vlerëson se Maqedonisë i hapet një portë plotësuese për zhvillimin e biznesit me Kosovën.

Pra krijohet një hapësirë plotësuese për plasmanin e prodhimeve nga Maqedonia, por me e rëndësishmja është që të gjithë të angazhohen për një strategji të përbashkët si autoritetet shtetërore, biznesmenët dhe prodhuesit e produkteve bujqësore, që të hartojnë një strategji të qartë si të kapitalizohet kjo mundësi”, thekson Mitko Aleksov.

Nga ana tjetër Menderes Kuçi vlerëson se vendimi i Qeverisë së Kosovës tangon dhe një dimension të rëndësishëm politik në interes të shqiptarëve në mbarë rajonin, sepse me këtë sinjalizohen investitorët e huaj për fuqinë konsumuese dhe rolin e saj, sa i përket popullatës shqiptare, varësisht ku ndodhen ata.

Është një realitet i prekshëm, benefitet e të cilit mund të shihen në rastin konkret, dhe jo rastësisht bota din t’i vlerësojë dhe peshojë këto çështje, dhe ritheksoj jo rastësisht delegacioni turk vjen në Maqedoni, ngase ata tanimë kanë marrë rezultatet e sondazheve të caktuara për fuqinë konsumuese dhe njëherit nuk ka barriera politike për të shtrirë biznesin, duke harmonizuar interesat e përbashkëta që kanë për bazë zhvillimin ekonomik”, thotë Kuçi.

Ndryshe, Kosova është nga ata vendet e rralla me të cilat Maqedonia realizon saldo pozitive gjatë këmbimit tregtarë.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave këmbimi tregtarë gjatë vitit të kaluar ka arritur vlerën prej 197 milionë dollarë, me ç’rast rreth 182 milionë prej tyre janë mallra nga Maqedonia, që kanë hyrë në Kosovë, dhe vetëm 14 milion dollarë janë mallra kosovare që janë plasuar në tregun e Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG