Ndërlidhjet

Shpëtimi i dytë për Greqinë


Konferenca pas takimit në Bruksel.

Konferenca pas takimit në Bruksel.

Liderët e 17 vendeve të eurozonës kanë rënë dakord së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar mbi pakon e dytë të shpëtimit për Greqinë, në vlerë prej 109 miliardë eurosh.

Kryeministri holandez, Mark Rut, tha se liderët u kanë dërguar një mesazh të qartë tregjeve, duke dëshmuar vendosmërinë për të zgjidhur krizën dhe për të ndihmuar Greqinë.

Presidenti i Këshillit Evropian, Herman von Rompuj, ka nënvizuar se masat e e reja do të jenë të mjaftueshme për të ndalur zgjerimin e krizës buxhetore.

"Kemi dëshmuar se nuk do të heqim dorë nga mbrojtja e unionit tonë monetar dhe nga valuta jonë e përbashkët. Edhe një vërejtje e fundit – kur liderët evropianë thonë se do të bëjnë çdo gjë që kërkohet për të mbrojtur eurozonën, e kemi me gjithë mend”, ka thënë Rompuj.

Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i kanë ofruar Greqisë një pako shpëtimi tre-vjeçare, në vlerë prej 110 miliardë eurosh në maj të 2010-ës, duke detyruar kësisoj liderët e eurozonës të negociojnë edhe planin e dytë emergjent për Athinën.

Kësaj radhe, liderët e Bashkimit Evropian siguruan edhe përfshirjen e bankave, kompanive të sigurimit dhe fondeve të investimit, të cilat kontribuuan me 37 miliardë në këtë pako, duke përmbushur kështu kërkesën qendrore të Gjermanisë dhe anëtarëve tjerë të eurozonës, që të mos jenë vetëm taksapaguesit ata që paguajnë çmimin.

Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso, tha se përfshirja e sektorit privat shënon një periudhë të re në trajtimin e krizave.

"Së pari, mendoj se për herë të parë, që prej shpërthimit të krizës, mund të themi se politika dhe tregjet janë duke vepruar bashkërisht”, ka thënë Baroso.

Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, ka thënë se plani mund ta rimëkëmbë vendin e tij, por ka insistuar se masat e këtilla janë të nevojshme për Evropën në tërësi.

"Ky është një sukses evropian, një pako evropiane. Nuk është vetëm përgjigje ndaj Greqisë ose përgjigje e Greqisë, është reagim evropian për Evropën, për të vënë në pah potencialin që kemi. Këtë duam edhe ne për Greqinë, por duhet ta vëmë në pah potencialin si evropianë”, ka thënë Papandreu.

Përfshirja e sektorit privat do të jetë e aplikueshme vetëm për Greqinë, por jo edhe për Irlandën dhe Portugalinë, të cilat gjithashtu kanë marrë tashmë pakot e tyre të shpëtimit.

Megjithatë, të trija vendet do të përfitojnë nga ratat më të ulëta të interesit në kreditë e tyre dhe një zgjatje të afatit të shpagimit.

Një tjetër vendim i rëndësishëm, i cili u miratua në Samit, ka të bëjë me zgjerimin e përgjegjësive të fondit të shpëtimit prej 440 milionë eurosh, i cili është themeluar në maj të vitit të kaluar.

Fondi Evropian Financiar për Stabilitet tani do të ketë mundësinë të intervenojë para se një vend të futet në status krize.

Roli i zgjeruari këtij Fondi ka për synim të parandalojë shtetet më të mëdha të eurozonës, siç është Spanja dhe Italia, të përjashtohen nga tregjet, në rast të një situate të ngjashme me Greqinë. (a.v.)


XS
SM
MD
LG