Ndërlidhjet

Pse po bien investimet?


Kosovo - Kosovo map, undated
Kosovo - Kosovo map, undated
Investimet ndërkombëtare të drejtpërdrejta në Kosovë, viteve të fundit kanë shënuar rënie të vazhdueshme. Sipas zyrtarëve të qeverisë, arsye e rënies së këtyre investimeve është kriza globale financiare, për derisa ekspertë të ekonomisë, fajin për këtë e hedhin tek institucionet kosovare.

Viteve të fundit, investimet e huaja në Kosovë kanë shënuar rënie, në një periudhë kur prezenca e tyre është e domosdoshme për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

Edhe pse për gjashtë mujorin e parë të këtij viti ende nuk ka ndonjë shifër zyrtare se sa kanë qenë shuma e investimeve ndërkombëtare, megjithatë thuhet se në tre mujorin e parë ka pasur një rënie të lehtë në krahasim më vitin paraprak.

Sipas statistikave zyrtare, në vitin 2007, investimet e huaja të drejtpërdrejta në vend kanë qenë 421 milion euro, në 2008- vit ky kur është shpallur pavarësia, investimet kanë qenë 355 milion euro, në 2009-ën investimet ishin 310 milion euro, ndërsa vitin e kaluar investimet kanë rënë në 265 milion euro.

Rënien e këtyre investimeve, zyrtarë të qeverisë e arsyetojnë më krizën globale financiare, për derisa njohës të çështjeve ekonomike, fajin e drejtojnë tek institucionet kosovare.

Mustaf Hasani, drejtor në Agjencinë për Promovimin e Investimeve të huaja, që funksionon në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, thekson se gjatë këtij viti është vërejtur një interesim më i madh i investitorëve ndërkombëtarë për potencialet ekzistuese të Kosovës.

Duke u bazuar në interesimin e investitorëve të huaj, gjatë kësaj periudhe, do të thotë në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, dhe duke u bazuar në proceset që janë në vazhdim në këtë vit, sikur që janë fillimet e investimeve në Aeroportin e Prishtinës, pastaj mundësia e privatizimit të PTK-së, dhe ndërmarrjeve tjera, ngritjen e ca punëtorive të vogla që janë të investuesve të huaj, besoj se ky vit mund të jetë më i madh për kah investimet”, thotë Hasani.

Mustafë Hasani thotë se një ndër qëllimet kryesore të kësaj agjencie gjatë këtij viti është përmirësimi i klimës për investitorët ndërkombëtarë në Kosovë.

Ky angazhim pason raportet e fundit të Bankës Botërore, ku Kosova nuk radhitet në pozitë të volitshme në të bërit biznes.

Për këtë qëllim Agjencia ka përgatitur edhe Strategjinë për Promovimin e Investimeve për periudhën 2011-2013.

Kjo strategji, thotë Hasani, ka caktuar prioritetet që deri më tash kanë munguar.

Përveç potencialeve ekzistuese, sipas tij, strategji ofrojnë edhe fushat të cilat i kërkon tregu.

Do të thotë ne jemi të pasur me miniera, minerale, mundësitë në bujqësi, ekziston guri dekorativ, janë mundësitë në energji të përtërishme. Por, gjithsesi në komponentë më pas edhe atë çka kërkon tregu".

"Dhe në atë që kërkon tregu, orientimi është në interesimin e kompanive që janë elektronike, teknologjisë informatike, automobilistike, që nuk do të thotë të prodhohet një automobil komplet, por mund të ndodhë të prodhohet vetëm një pjesë plastike e automobilit”, sqaron Hasani.

Pavarësisht këtyre, ekspertë për çështje ekonomike, thonë se arsye e rënies se investimeve në Kosovë, është mjedisi jo i favorshëm për investuesit potencial, mos zbatimi i ligjeve përkatëse, shkalla e lartë e korrupsionit dhe ekonomisë joformale.

Ymer Havolli, vlerëson se eliminimi i këtyre dukurive mundëson edhe rritjen e investimeve të huaja në vend.

Të gjitha shtetet që dëshirojnë të bashkëpunojnë me sektorin privat në Kosovë, dëshirojnë të kenë një rrethinë të miqësore të funksionimit të biznesit. Më këtë nënkuptoj funksionimin e ligjit. Dhe këtu menjëherë duhet thënë se kemi konkurrencën joformale, evazionin fiskal dhe rritjen e korrupsionit. Tri elemente shumë destimuluese për çështjen e të bërit biznes në Kosovë”, thotë Havolli.

Ndryshe në një raport të Bankës Botërore të publikuar në fund të vitit të kaluar, Kosova radhitet e 11-ta nga 15 destinacionet e mundshme në mesin e vendeve ku jo stabiliteti politik ndikon në investimet e huaja potenciale.

Ndërsa në raportin tjetër po të Bankës Botërore, të quajtur “Të bërit biznes” për vitin 2011, Kosova ishte radhitur në vendin e 173-të sa i përket mbrojtjes së investitorëve, në mesin e 183 shteteve
XS
SM
MD
LG