Ndërlidhjet

Osllo, sulmuesi thotë se ka verpuar i vetëm


Policia norvegjeze tha se i akuzuari për organizimin e sulmeve në Norvegji thotë se ka vepruar i vetëm. Autoritetet e rendit janë në verifikim të pretendimeve të dëshmitarëve, të cilat sugjerojnë se bëhet fjalë për një ose më shumë sulmues.

Të paktën 85 persona janë qëlluar për vdekje në një takim rinor të Partisë Laburiste në ishullin Utoja, vetëm pak orë pasi shtatë persona humbën jetën nga shpërthimi i bombës në ndërtesat qeveritare në Osllo.

Ushtruesi i detyrës së shefit të policisë, Sveinung Sponhajm, tha se i dyshuari Anders Bering Breivik e ka pranuar përgjegjësinë për të dy incidentet, por është përpjekur të distancohet nga hetimi penal.

Avokati Geir Lipeshtad nuk ka dhënë detaje në lidhje me motivet e mundshme që mund ta kenë çuar Breivikun në shkaktimin e dhunës.

“Ai (Breiviku) thotë se beson që veprimet ishin barbare, porse në kokën e tij ato ishin të nevojshme”, tha Lipeshtad.

I njëjti ka cituar Breivikun të ketë thënë se ka “sulmuar shoqërinë norvegjeze, meqë ka dashur ta ndryshojë atë”.

Policia tha se numri i viktimave mund të rritet, pasi disa njerëz figurojnë ende të zhdukur. Mbi 90 persona janë raportuar të plagosur në masakrën më të rëndë që ka goditur Norvegjinë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Breivik është përshkruar si fundamentalist i krishterë i krahut të djathtë, me pikëpamje anti-myslimane. Hetuesit janë duke hulumtuar nëse ai është autor i një manifestoje 1,500-faqesh që është postuar në internet, e që përshkruan planifikimin e sulmit.

Breivik akuzohet për terrorizëm dhe pritet të paraqitet para gjykatës të hënën. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me maksimumin e dënimit prej 21 vjetësh heqje lirie.
XS
SM
MD
LG