Ndërlidhjet

NYT: Sulmet, alarm zgjimi për Evropën dhe SHBA-në


Osllo, 22 korrik 2011.
Osllo, 22 korrik 2011.
New York Times

Sulmet e së premtes në Osllo kanë zgjuar vëmendjen ndaj ekstremistëve të krahut të djathtë jo vetëm në Norvegji, por në mbarë Evropën, ku kundërshtimi ndaj emigrantëve myslimanë, globalizimi, fuqia e Bashkimit Evropian dhe rruga drejt multikulturalizmit kanë provuar të jenë një forcë e fuqishme politike dhe, në disa raste, një nxitje e dhunës.

Suksesi i partive populiste që ka nxitur ndjenjën e humbjes së identitetit kombëtar, ka shkaktuar kritikat e pakicave dhe të emigrantëve. Përderisa vetë partitë në përgjithësi nuk e dënojnë dhunën, disa ekspertë thonë se klima e urrejtjes në diskursin politik ka inkurajuar individë të dhunshëm.

“Nuk befasohem kur ndodhin ngjarje të tilla si sulmet në Norvegji, sepse gjithmonë gjenden njerëz që ndjehen më radikalë se që është e nevojshme”, thotë Jorg Forbrih, analist në Fondin Marshall të Berlinit, i cili ka studiuar çështjet e së djathtës ekstreme në Evropë.

“Është diçka që mund të ndodhë në një numër vendesh dhe prapa saj qëndrojnë probleme më të gjera”, shton ai.

Nëntorin e kaluar, në qytetin e Malmos ishte arretsuar një suedez në lidhje me disa të shtëna ndaj emigrantëve, përfshirë një fatalitet. Të shtënat, nëntë prej të cilave zunë vend në mes të qershorit dhe tetorit 2010, dukej të ishin vepër e një individi të izoluar.

Megjithëkëtë, ekstremistët e krahut të djathtë përjetuan sukses të ri në votime. Partia u fut në Parlament për herë të parë, pasi kishte fituar 5.7 për qind të votave në zgjedhjet e përgjithshme.

Në anën tjetër, shpërthimet dhe të shtënat në Osllo thuhet të kenë shërbyer edhe si një alarm zgjimi për shërbimet e sigurisë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat, në vitet e fundit, përmenden aq shumë nga terroristët islamikë, por ato vetë i kanë nënvlerësuar kërcënimet e tyre.

Në Shtetet e Bashkuara, sulmet vdekjeprurëse kanë rizgjuar kujtimet e bombardimeve në Oklahoma më 1995, ku një ekstremist i krahut të djathtë, Timoti Mekvaj, përdori bombën për të hedhur në erë ndërtesën e qeverisë federale, duke vrarë 168 njerëz. Ky sulm kishte kohë që ishte lënë në hije nga ngjarjet e 11 Shtatorit, 2001.

Migrimi në rritje dhe lëvizjet në masë të madhe të njerëzve brenda Bashkimit të zgjeruar Evropian, kanë ndihmuar për të hedhur bazat e një ringjalljeje nacionaliste.

Grupet po tërhiqen nga Hungaria në Itali, por veçanërisht në vendet e Evropës veriore, të cilat për kohë të gjatë kanë pasur politika liberale të migracionit.

Refugjatët, azilkërkuesit dhe emigrantët ekonomikë – shumica nga ta myslimanë – kanë çuar në një reagim të ashpër të vendeve si Danimarka, ku Partia Popullore Daneze ka 25 nga 179 ulëset në Parlament, dhe Holanda, ku Partia për Liri e Gert Uildersit fitoi 15.5 për qind të votave në zgjedhjet e përgjithshme të 2010-ës.

Zoti Uilders hapur kishte krahasuar Kuranin, Librin e Shenjtë të Islamit, me librin e Adolf Hitlerit “Lufta ime”.

Megjithatë, sulmet në Norvegji u dënuan me shpejtësi nga i gjithë spektri politik në Evropë. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ishte e mprehtë në fjalim, duke e quajtur aktin “një krim të tmerrshëm”. Lloji i urrejtjes që çoi në një veprim të tillë, tha ajo, “është kundër lirisë, respektit dhe besimit në bashkëjetesën paqësore”.

Por, disa nga motivet kryesore të cituara nga i akuzuari Anders Bering Breivik janë tani çështje thelbësore. Zonja Merkel, presidenti francez, Nikolas Sarkozi, dhe kryeministri britanik, Dejvid Kameron, kanë deklaruar fund të multikulturalizmit.

“Multikulturalizmi ka dështuar”, u ka thënë Merkel Demokratëve të Krishterë tetorin e kaluar, ndonëse ka theksuar se emigrantët janë të mirëpritur në Gjermani.

Gjatë fjalimit në konferencën e sigurisë në Mynih, kryeministri britanik, Kameron, ka thënë se politika e multikulturalizmit ka “inkurajuar komunitetet e izoluara”, ku ekstremizmi islamik mund të lulëzojë.

Ndërkaq, në Francë, të gjitha vajzat që mbajnë shami në shkollat publike, pezullohen, ashtu si edhe mësueset apo punonjëset e tjera të sektorit publik.

Sarkozi ka mbajtur një debat mbi “identitetin kombëtar” vitin e kaluar dhe në fillim të këtij viti ka ndaluar gratë myslimane në Francë nga bartja e burkave.

Kjo nuk e ka ndaluar Frontin e djathtë Kombëtar, që sot udhëhiqet nga Marinë Le Pen, të shënojë rritje në sondazhet e opinionit. Madje, disa anketa sugjerojnë se ajo mund të shkojë në balotazh presidencial, vitin e ardhshëm. Ajo ka krahasuar lutjet e myslimanëve në rrugë me pushtimin nazist.

E përditshmja gjermane “Berliner Zeitung” ka raportuar se neo-nazistët po sulmojnë zyrat e ekstremit të majtë gjithnjë e më shumë.

Për shkak të së kaluarës së saj naziste, Gjermania mban një sy hapur ndaj ekstremistëve të krahut të djathtë, ndërsa partitë e djathta po përjetojnë një kohë të vështirë me asnjë ulëse në Parlament.

Në Finlandë, “Finlandezët e Vërtetë” – një parti kjo nacionaliste e themeluar në vitin 1995, ka fituar 19 për qind të votave në zgjedhjet e prillit, duke u bërë partia e tretë në Parlamentin e Finlandës. Ndërsa, në Norvegji, Partia e Progresit – parti e krahut të djathtë – është e dyta në vend.

“Grupet e djathta norvegjeze kanë qenë gjithmonë të çorganizuara, nuk kanë pasur lider karizmatik ose mbështetjen financiare që mund ta shihni në Suedi”, thotë Kari Helen Partapoulin, drejtor i Qendrës Norevegjeze kundër Racizmit.

“Por, në dy apo tre vjetët e fundit, organizata jonë dhe rrjetet e tjera anti-fashiste kanë paralajmëruar për rritje të temperaturës në debate dhe për krijimin e grupeve të dhunshme”, thotë ai.

Është fakt që Norvegjia nuk është në vakuum. Skena e krahut të djathtë të saj është e lidhur me pjesën tjetër të Evropës përmes forumeve në Internet, ku përhapet urrejtja, dhe përmes protestuesve të krahut të djathtë, që tërheqin një përzierje ndërkombëtare të pjesëmarrësve. (v.t.)
XS
SM
MD
LG