Ndërlidhjet

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rekomanduar që paga minimale në Kosovë, për vitin 2011 të jetë 130 euro për punonjësit deri në moshën 35 vjeç, ndërsa 170 euro deri në moshën 65 vjeç. Ky propozim kundërshtohet nga përfaqësues të punëtorëve, të cilët para tre muajsh kishin vendosur që paga minimale të jetë 170 euro.

Ende nuk është e qartë se sa do të jetë paga minimale në Kosovë.

Edhe pse në fund të muajit prill, Këshilli Ekonomik Social, kishte miratuar vendimin që paga minimale për vitin 2011, për të gjithë të punësuarit të jetë 170 euro, Fondi Monetar Ndërkombëtar tashmë ka dhënë një rekomandim ndryshe.

Sipas FMN-së, paga minimale për të punësuarit deri në moshën 35 vjeç duhet të jetë 130 euro, ndërsa prej 35 deri në 65 vjeç, 170 euro.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, Fadil Racaj, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, i cili tregon arsyet e këtij rekomandimi .

Arsye, pse Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rekomanduar që paga minimale të jetë 130 euro, për kategoritë e reja të punësuarve është se ata vlerësojnë që do të ketë rritje të punësimit për rininë në Republikën e Kosovës, kur dihet fakti se papunësia është një problem shumë I madh dhe që ky problem përcillet vite pas viti”, thotë Racaj .

Këtë rekomandim e quajnë diskriminues, përfaqësues të punëtorëve.

Xhafer Xhaferi, nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se sindikata vazhdimisht e ka kundërshtuar edhe shumën prej 170 eurosh.

Ndërsa, me propozimin e fundit të FMN-së për diferencim të punëtorëve në bazë të moshës, Xhaferi thotë se BSPK-ja nuk do të pajtohet assesi.

Bashkimi i Sindikatave konsideron se është i paqëndrueshëm ky propozim, sepse paga minimale prej 130 eurosh është diçka e tejkaluar. BSPK- ja ka kontestuar edhe pagën prej 170 eurosh si pagë minimale”.

Normalisht se kjo është edhe në kundërshtim edhe më nivelin e shpenzimeve dhe më proceset që po ndodhin. Por, është në disproporcion edhe më vendet tjera në rajon. Për këtë arsye ne qëndrojmë tek ajo se jo vetëm që nuk duhet të jetë 130 euro por duhet të jetë më e lartë se 170 euro”, shprehet Xhaferi.

Por, Fadil Racaj, thotë se propozimi i Këshillit Ekonomik Social dhe ai Fondit Monetar do të shqyrtohet nga Qeveria e Kosovës.

Për këtë thotë ai, Ministria e Punës do t’i bëjë shkresë ekzekutivit për të dyja rekomandimet.

Varet nga Qeveria e Kosovës, si e vlerëson, se a do të jetë paga minimale për të gjithë të të punësuarit 170 euro, apo paga minimale do të jetë e ndarë në dysh në 130 euro për të punësuarit nën moshën 35 vjeçare dhe 170 euro për të punësuarit të tjerë”, thekson Racaj.

Ndryshe sipas Ligjit të Punës, Këshilli Ekonomik Social, në të cilin bëjnë pjesë përfaqësues të punëtorëve, punëdhënësve dhe të ekzekutivit, në fund të çdo viti kalendarik bëjnë propozimin për pagën minimale për vitin në vazhdim, i cili më pas miratohet nga qeveria.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG