Ndërlidhjet

logo-print
Autoritetet ruse u zunë në befasi këtë javë kur Uashingtoni heshturazi ndaloi dhjetëra zyrtarë rusë që të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara.

Lizta e zezë e Departamentit të Shtetit ka në shënjestër ata që janë të lidhur me një skandal, që ka nxitur dënimin e gjerë ndërkombëtar: vdekjen e Sergei Magnickit, një avokat rus, i burgosur në vitin 2009 nën akuzat se ka bërë mashtrime financiare në vlerë prej 200 milionë dollarësh.

Një raport i nxitur nga vetë presidenti, ka nxjerrë në pah se Magnickit i ishte refuzuar kujdesi shëndetësor dhe se dukej se ishte rrahur rëndë para se të vdiste.

Mbështetësit e Magnickit kanë lobuar në shtetet perëndimore për ndalimin e vizave për zyrtarët rusë, të përfshirë në vrasjen e Magnickit.

Duke folur në një emision në radion Ekho Moska, Leonid Slutski, zëvendëkryesuesi i komisonit parlamentar për çështje ndërkombëtare, tha se nuk mund të besojë se SHBA-të kanë shkuar aq larg, sa të ndërmarrin një veprim të tillë. Ai tha se veprimi mund të merret si provokim dhe të dëmtojë raportet.

Kremlini ka reaguar më ashpër. Zëdhënësja e presidentit i tha gazetës “Kommersant” se Mevdevedi po i përgatit hapat hakmarrës.

“Ne jemi të hutuar nga veprimi i Departamentit të Shtetit”, ka thënë ajo, për të shtuar se një gjë e tillë nuk ka ndodhur madje as në “vitet e Luftës së Ftohtë”.

Si për ironi, lista e zezë duket se do t’iu paraprijë përpjekjeve për të vendosur sanksione më të fuqishme. Një grup i senatorëve amerikanë po sponsorizon një projekt-ligj, që do të përfshijë më shumë zyrtarë rusë, duke ngrirë asetet e tyre amerikane dhe duke ua refuzuar vizat.

Fjodor Lukianov, redaktor i gazetës “Russia in Global Affairs,” tha se zyrtarët rusë duket se kanë dështuar të nuhasin një gjë të tillë.

“Secili ka pritur që SHBA do të veprojë, por masat preventive apo parandaluese të Departamentit amerikan të Shtetit kanë qenë të papritura”, tha Lukianov.

Shenja të tjera të tensionimit janë shfaqur këtë javë.

Një senator amerikan ka kërkuar një hetim nga ana e Kongresit mbi një shpërthim jashtë ambasadës amerikane në Gjeorgji, për të cilin zyrtarët e shërbimit amerikan të zbulimit kanë thënë se mund të ketë lidhje me një agjent rus.

Të enjten në Bruksel, ambasadori rus në NATO ritheksoi ankesat e vjetra në lidhje me mbrojtjen raketore amerikane në Evropë.

Ndërsa relacionet në të dyja anët duken të lëkundura, zhvillimet e fundit shënojnë sfidën më të madhe të rivendosjes së relacioneve të Obamës me Rusinë.

Shtëpia e Bardhë tha se politika e saj ka arritur fitore të mëdha për sigurinë kombëtare të SHBA-së, përfshirë dhe bashkëpunimin rus mbi Afgansitanin dhe nënshkrimin e marrëveshjes se re për armët bërthamore, START.

Një tjetër ndryshim ka qenë më pak i dukshëm.

Nën adminstratën e Bushit, bashkëpunimi në mes të diplomatëve të niveleve të ndryshme pat përfunduar pothuaj tërësisht në favor të dialogut direkt mes presidentëve.

Atëherë qe arritur shumë në relacionet e tyre presidenciale, por kur Bushi e la zyrën, relacionet ishin të nivelit të Luftës së Ftohtë.

Që atëherë lidhjet burokratike janë rivënë. Diplomatët rusë thonë se bashkëpunimi me homologët amerikanë është më miqësor tash, sesa në vitet ’90. Por, zyrtarët e lartë rusë kanë tërhequr vërejtjen se do të zvogëlojnë bashkëpunimin për Iranin, Afganistanin dhe Korenë Veriore, për shkak të projekt-ligjit Magnicki të Senatit.

Kjo është bërë e ditur nga një memorandum, që ka rrjedhur nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Edhe pse dokumenti flet kundër masave të fuqishme, eksperti politik, Andrei Piontkovski, beson se kërcënimi rus mund të shkaktojë efekt të kundërt nga ai që synohet.

“Këtë zhvilim unë e shoh kështu: njerëzit në pozita të larta, mbase edhe vetë presidenti, janë të shokuar nga një gjuhë kaq direkte dhe kanë vendosur që të mos bëjnë shantazh”, thotë Piontokovski.

Vëzhguesit thonë se, edhe pse dokumenti është lëshuar me qëllim që të shihet se Shtëpia e Bardhë dëshiron të ruajë relacionet, lista e zezë megjithatë është një dëshmi e ndryshimeve rrënjësore në Uashington.

Masha Lipman, nga Qendra Carnegie, thotë se kjo paraqet një sfidë për udhëheqjen ruse, e cila është parë se nuk mund t'i mbrojë zyrtarët e saj nga dënimi i jashtëm.

“Tashmë dihet se refuzimi i vizave për zyrtarët rusë është një çështje e ndjeshme që eventualisht mund të zgjerohet edhe në shtetet tjera të Evropës, të cilat mund të jenë më të rëndësishme për zyrtarët rusë”, thotë Lipman.

Lista e zezë është përshëndetur nga aktivistët për të drejtat e njeriut në Rusi dhe kritikët tjerë, të cilët brengosen se Uashingtoni ka sakrifikuar vlerat perëndimore në favor të relacioneve më të mira me Kremlinin. (a.i.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG