Ndërlidhjet

S'pajtohen me barrikadim


Një nga barrikadat afër fshatit Zubqë, në veri të Mitrovicës...
Një nga barrikadat afër fshatit Zubqë, në veri të Mitrovicës...

Veprimet e Qeverisë së Kosovës, javën që shkoi, në veriun e vendit, nuk kanë qenë të qëlluara, ndonëse shkaku ka ekzistuar dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shfrytëzuar këtë shkas, vlerësojnë politikanët serbë të Kosovës qendrore.

Politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkoviq, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ka qenë gabim i kryeministrit Thaçi, që ka dërguar në veri të vendit, njësinë speciale të Policisë së Kosovës “ROSU”, e cila sipas saj, është një nacionale dhe e përbërë vetëm nga pjesëtarë me përkatësi shqiptare.

Por, sipas saj edhe veprimet e serbëve lokalë janë krejtësisht të gabuara dhe barrikadimi i rrugëve nuk është zgjidhje për problemin.

Unë mendoj se barrikadat qoftë mentale qoftë fizike duhet hequr. Ky është parakusht për çdo normalizim. Në fakt, e gjithë kjo më rikujton kohën kur ka qenë Millosheviqi. Në veri kemi konservimin mental të ideologjisë së Millosheviqit, e cila nënkupton kundërshtitë dhe në anën tjetër mospranimin e politikanëve të përparuar, të cilët do të mendonin në mënyrë tjetër. Mua më duket sikur se jemi ngrirë në vitin 1999”, tha Trajkoviq.

Edhe politikani tjetër serb nga Kosova qendrore, Rangjel Nojkiq, thotë se aksioni i policisë së Kosovës në veri të vendit, i urdhëruar nga Qeveria e Kosovës, ka qenë veprim i njëanshëm, me të cilin nuk pajtohet.

Por, sipas tij, Qeverisë së Kosovës i është dhënë shkaku që të veprojë, ndërkaq, djegia e vendkalimit kufitar në Jarinjë nga serbët, sipas tij, ka qenë vepër e njerëzve që ju konvenon ilegaliteti.

Përshtypja ime e thellë është se djegien e kanë shkaktuar ata që më së shumti janë të goditur nga vendosja eventuale e rendit apo vendosja e doganave. Këta njerëz janë ata të cilët në mënyrë ilegale e kanë shpërndarë mallin i cili ka ardhur nga Serbia qendrore, përmes pjesës veriore të Kosovës dhe ka përfunduar në anën jugore".

"Ndoshta, vetëm letrat kanë hyrë në Kosovë, ndërkaq malli ka përfunduar pa tatim mbi vlerën e shtuar në Serbinë qendrore. Dëmet nga një mënyrë e tillë e të punuarit, me siguri se e ka pasur edhe Prishtina e edhe Beogradi. Ka qenë momenti i fundit që kësaj dukuri t’i dilet përballë”, theksoi Nojkiq.

Ai fajësoi edhe bashkësinë ndërkombëtare, e cila sipas tij, ka qenë e vetëdijshme për këto veprime ilegale dhe këtë çështje nuk e ka shtruar për tu biseduar me Prishtinën dhe Beogradin dhe të ndërpritet kjo dukuri me burgosjen e atyre që e kanë shfrytëzuar këtë situatë.

Ai thekson se sikur Beogradi të kishte marrë masa, ngjarjet e fundit nuk do të kishin ndodhur fare, sepse Prishtinës nuk do t’i ishte dhënë shkas për veprim.

Nojkiq, thekson se tash është e nevojshme të gjendet një zgjidhje në tavolinë, përmes bisedimeve dhe se barrikadat e vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës, duhet hequr.

Mendoj se barrikadat nuk janë çelësi i zgjidhjes dhe mendoj se ato pjesërisht janë hequr, me vetë faktin që vendkalimet kufitare tashmë janë hapur pjesërisht, për kalimin e njerëzve dhe automjeteve. Mendoj se me barrikada nuk do të zgjidhet problemi, por në tavolinën e gjelbër”, tha Nojkiq.

Edhe Trajkoviq vlerëson se problemet duhet zgjedhur përmes bisedimeve, por sipas saj, duhet gjetur një zgjidhje që përfshin serbët në të gjithë Kosovën dhe jo vetëm për serbët në veri të vendit.

Një popull dhe dy zgjidhje apo dy principe të zgjidhjes së çështjes së serbëve në Kosovë, do të sjellë çintegrime të reja dhe përplasje ndërmjet serbëve. Duke pasur këtë parasysh, unë mendoj se një zgjidhje unike për çështjen e serbëve është diçka më se e nevojshme. Këtë zgjidhje unike unë e shoh në mënyrën që të mbështetet plani i Ahtisarit, me pak ndryshime të vogla në veri të Kosovës”, tha Trajkoviq.

Ndryshe, të dy këta politikanë serbë kanë shprehur keqardhjen për vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, i cili ishte goditur me armë zjarri nga persona të panjohur në veri të Kosovës më 26 korrik, gjatë aksionit të policisë speciale në këtë pjesë të vendit.
XS
SM
MD
LG