Ndërlidhjet

Kryengritësit në kërkim të Gadafit


Kryngritës nga i gjithë vendi kanë ardhur në Tripoli.

Derisa kryengritësit e kanë nën kontroll pjesën më të madhe të Tripolit, ende ka hapësira ku ka të shtëna nga snajperistët, shpërthime predhash dhe të shtëna me artileri të rëndë.

Të gjitha këto e bëjnë jetën e vështirë, e veçanërisht afër kompleksit Bab al-Azizia dhe në Kopshtin Zoologjik, ku janë fortifikuar lojalistët e Gadafit, në vijën e fundit të mbrojtjes.

Një grup i gazetarëve të jashtëm është liruar mbrëmë në hotelin Riksos në Tripoli, nga pjesëtarët e forcave të Gadafit.

Gazetarët në hotelin Riksos

Por, dy gazetarë francezë janë plagosur afër kompleksit Bab al-Azizia.

Luftëtarët opozitarë thonë se janë të përkushtuar për ta gjetur Gadafin, në mënyrë që ta shpallin fitoren përfundimtare në këtë kryengritje, e cila filloi para gjashtë muajsh dhe ishte ndihmuar nga sulmet ajrore të NATO-s, që kryengritjes i dhanë mbështetje madhore.


Zyrtarët e NATO-s thonë se ata nuk po i japin mbështetje të afërt ajrore kryengritësve në Tripoli.

Por, presidenti i Francës, Nikollas Sarkozi, njëri nga mbështetësit më të hershëm të lëvizjes kryengritëse, është zotuar për vazhdimin e operacioneve ushtarake të NATO-s në Libi, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, për të siguruar se kryengritësit i kanë shkaktuar disfatë regjimit të Muamer Gadafit.

Presidenti francez, Nikolla Sarkozi

“Operacionet ushtarake do të ndalen atëherë kur nuk është nevoja për to. Kjo do të ndodhë kur Gadafi dhe ndihmësit e tij më nuk do të paraqesin kërcënim për popullin e Libisë".

"Ne do të vazhdojmë me operacione ushtarake nën rezolutën e OKB-së, që parasheh mbrojtjen e popullatës civile nga forcat e Gadafit”,
tha Nikollas Sarkozi, mbrëmë në Paris.



Liderët e kryengritësve në Libi thonë se ata dëshirojnë që Gadafi të sillet para drejtësisë në Libi, megjithëse ai dhe djali i tij, Saif al-Islam, poashtu janë të akuzuar për krime kundër njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.

Këshilli Tranzicional Kombëtar i kryengritësve ka shpallur një shpërblim prej 1.7 milion dollarësh për zënien e Gadafit, të gjallë ose të vdekur.

Kryesuesi i këtij këshilli, Mustafa Abdel Xhalil, poashtu, ka ofruar amnisti për anëtarët e qarqeve të afërta të Gadafit, që do ta zinin ose vranin Gadafin.

“Një biznesmen në Bengazi e ka shpallur një çmim prej dy milionë dinarësh libianë për atë që e zë Gadafin, ndërsa nga ana tjetër, Këshilli Kombëtar Tranzicional, ka shpallur se secili nga qarqet e brendshme që e zë ose e vret Gadafin, do të amnistohet nga komuniteti”, tha Xhalil.

Në Uashington, zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Viktoria Nuland, u tha reporterëve se armatimi për shkatërrim në masë është i sigurt.

“Ne, poashtu, i kemi monitoruar kapacitetet e njohura të raketave dhe agjentëve kimikë, prej fillimit të konfliktit. Ne do të vazhojmë ta bëjmë këtë".

"Ne besojmë se kapacitete të njohura mbeten të sigurta dhe ne nuk kemi parë ndonjë aktivitet, për të cilin do të kishim shqetësime”,
tha Viktoria Nuland.

Ajo theksoi se Uashingtoni ka besim se Këshilli Kombëtar Tranzicional në Libi, do të jetë i aftë për t’i ndërtuar shpejtë strukturat qeverisëse, pasi të përfundojë lufta për Tripoli. (f. b.)
XS
SM
MD
LG