Ndërlidhjet

logo-print
Në kohën kur vlerësimet e mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë të sigurisë flasin për një situatë të qetë, por të tensionuar në veri të Kosovës, njohësit e rrethanave politike në vend shprehen pesimistë se në të ardhmen e afërt mund të përmirësohet gjendja atje.

Ata thonë se një muaj pas incidenteve në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Mitrovicës, po zbehen shanset që të zgjidhen problemet lidhur me atë pjesë të vendit edhe në aspektin politik.

Analisti Ismail Hasani tha se këmbëngulja në qëndrimet e tyre nga Prishtina, Beogradi, por edhe bashkësia ndërkombëtare, nuk do të mund ta normalizojë situatën në veri të Kosovës.

Ismail Hasani
“Gjendja thuajse është ngrirë, me shenja të përkeqësimit të mëtejmë sa i takon reagimit të pjesës militante të banorëve të Kosovës në pjesën veriore dhe, në të njëjtën kohë, paramilitarëve, mercenarëve të ndryshëm, të cilët aderojnë në atë pjesë të Kosovës”, tha Hasani.

Me qëllim të normalizimit të situatës në veri, misioni i NATO-s në Kosovë kishe arritur, kohë më parë, të ashtuquajturat pajtueshmëri me palën serbe dhe atë kosovare.

Megjithatë, serbët lokalë vazhdojnë të protestojnë - ashtu siç ndodhi të premten mbrëma - përmes vendosjes së barrikadave rrugore kundër përpjekjeve për rivendosjen e sundimit të ligjit në atë pjesë.

Përfaqësues të KFOR-it, ndërkaq, kanë thënë se nuk do të ndërmarrin çfarëdo mase, e cila mund ta destabilizonte sërish gjendjen atje.

Analisti Behlul Beqaj foli për qasjen e këtij misioni:

“Ata po mundohen që të korrigjojnë pasojat që i ka shkaktuar politika e gabuar në Kosovë e në Serbi rreth pikave 1 dhe 31”.

Autoritetet kosovare kanë ritheksuar vazhdimisht se nuk do të zmbrapsen nga qëllimi i tyre për të rikthyer sundimin e ligjit në veri. Në Serbi thonë se nuk duan luftë dhe se përmes “mjeteve ligjore” do t’i kushtohet rëndësi sigurisë dhe interesave të serbëve në veri.

Beqaj tha se ka një paqartësi rreth identifikimit të masave ligjore.

“Nëse e marrim parasysh atë çfarë thotë Tadiqi dhe atë çfarë thotë kryeministri i Kosovës, se pas ngjarjeve është pushteti i Serbisë, dhe nëse e marrim konstatimin e komandantit të KFOR-it kur tha se ‘veprimi i palës shqiptare ka qenë i njëanshëm, por ka qenë i drejtë’, diçka nuk është në rregull me koordinimin e asaj se çka është ligjore e çka nuk është ligjore”, vlerësoi Beqaj.

Mundësia që, në kuadër të raundit të ardhshëm të dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit - i paralajmëruar të nisë më 2 shtator - të zgjidhen problemet rreth veriut ndërmjet palëve, është e vogël, vlerësoi analisti Ismail Hasani.

Ai tha se pas veprimeve të zyrtarëve serbë në veri, delegacioni kosovar nuk do të duhej të pranonte fare të ulej sërish në tryezën e diskutimeve me Beogradin zyrtar.

“Unë nuk shoh ndonjë sukses edhe nëse Bashkimi Evropian do t’i ulë aktorët në bisedime. Do të ketë takime më tepër spektakulare, ndërsa sa u përket bisedimeve, është ende herët të thuhet për faktin se 25 korriku ka destabilizuar komplet skenën në këtë pjesë”, theksoi ai.
XS
SM
MD
LG