Ndërlidhjet

WP: Lufta e pas 11 Shtatorit duhej të përfundonte


Menhaten, shtator, 2001.

Menhaten, shtator, 2001.

"Washington Post"


Lufta, që armiqtë tanë e filluan, që moti ka përfunduar. Me gjasë tash, pas 10 vjetësh të ankthit dhe vetëdyshimit, ne mund ta njohim fitoren tonë dhe të fillojmë ripërtëritjen dhe pajtimin e pasluftës, që vendit i duhet shumë.

Kurrë nuk ka ekzistuar “lufta kundër terrorizmit”. Nuk ishte “terrorizmi” që i përplasi aeroplanët në ndërtesa, atë mëngjes brilant të së martës.

Sulmet ishin ndërmarrë nga ekipi sulmues prej 19 anëtarëve të Al Kaidës, organizatë terroriste që atëherë strehohej nga regjimi taliban në Afganistan.

Brenda katër muajsh, forcat invaduese të Shteteve të Bashkuara i kishin shkatërruar talibanët dhe në të katër anët e kishin shpërndarë atë që kishte mbetur nga Al Kaida.

Ndoshta ky ishte momenti, që ne është dashur ta njohim fitoren tonë. Ndoshta ishte 1 marsi 2003, kur Halid Sheik Muhamed, njeriu më përgjegjës për planifikimin dhe orkestrimin e sulmeve të 11 Shtatorit, ishte zënë. Ose, ndoshta ishte momenti në vitin 2004, kur demokracia e re e Afganistanit i mbajti zgjedhjet e para presidenciale.

Në mesin e dekadës, ne kishim arritur çfarëdo synimi racional të luftës që e filloi 11 Shtatori. Themeluesi dhe lideri i Al Kaidës, Osama bin Laden, ende ishte i lirë, por kjo nënkuptonte se ne është dashur të ndërmerrnim kërkim të vazhdueshëm, e jo luftë të vazhdueshme. Ne është dashur ta kuptojmë këtë dallim.

Kjo nuk ndodhi, pasi Xhorxh Bushi dhe Dik Çejni na zhytën në luftën jo të domosdoshme në Irak.

Sadam Huseini ishte njëri nga despotët më gjakatarë në planet, por ai nuk kishte të bënte asgjë me 11 Shtatorin.

Ai nuk kishte armatim për shkatërrim në masë. Bile, edhe sikur ta kishte pasur këtë lloj të armatimit, nuk ekzistonte arsyeja për të menduar se ai do t’i sulmonte Shtetet e Bashkuara.

Luftërat janë shumë më të lehta për t’i filluar sesa për t’i përfunduar. Ne ende jemi në Afganistan, ne ende jemi në Irak dhe ne ende paguajmë çmim të tmerrshëm për refuzimin e pranimit të faktit të qartë se ne tashmë e kemi fituar luftën, të cilën na e imponoi 11 Shtatori.

Kuptohet se çmimi më i dhembshëm është humbja e më se 6 mijë jetëve dhe dhjetëra-mijëra plagosje të trishtueshme, që i kanë pësuar pjesëtarët e forcave tona të armatosura. Kthimi i veteranëve është me rrezik të lartë të çrregullimeve të ndërlidhura me stres, pastaj me shkurorëzime, papunësi, bile edhe mbetje pa strehë mbi kokë.

Ne duhet të pajtohemi për atë se çka duhet të bëhet që vendi të kthehet në trajektoren e ngritjes. Ne duhet t’i përmirësojmë shkollat. Ne duhet ta ripërtërijmë infrastrukturën. Ne duhet ta lëvizim fuqishëm ekonominë dhe ta reduktojmë borxhin tonë afatgjatë.

Ne duhet të pajtohemi në mënyrat për arritjen e kësaj agjende nëpërmjet debatit të fuqishëm politik, e jo me ndeshjen e rëndë të inateve.

Por tash, pas 10 vjetëve të gjatë, me gjasë ne përfundimisht jemi të çliruar. Bin Ladeni është i vrarë, organizata e tij terroriste është copëzuar. Al Kaidës, e cila na sulmoi më 11 Shtator, i kemi shkaktuar disfatë.

Gjendja e luftës, që vendi ynë e filloi pas 11 Shtatorit, do të duhej të përfundonte para disa vitesh. Por, le të përfundojë tash. Të mbahet mend mënyra se si e gjithë kjo filloi, të shikohen këto pamje të tmerrshme nga 11 Shtatori dhe atëherë të kujtojmë se ne fituam. (f.b.)
XS
SM
MD
LG