Ndërlidhjet

Thaçi: Kosova solidarizohet me amerikanët dhe SHBA


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka adresuar një mesazh me rastin e 10 vjetorit të sulmeve terrorist të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Sulmet terroriste të 11 shtatorit ishin ndër ngjarjet më tragjike që goditën popullin amerikan, disa nga institucionet e saj dhe mbarë botën demokratike”, thuhet në këtë mesazh.

Këto sulme terroriste, vijon mesazhi i kryeministrit, u drejtuan ndaj “vendit më të fuqishëm të demokracisë botërore, simbolit të lirisë dhe shtetit kampion në investimet për paqe, siguri dhe stabilitet në përmasa globale”.

Në mesazhin e kreut të ekzekutivit kosovar thuhet se sulmet e 11 shtatorit e rikonfirmuan “shpirtin e madh të kombit amerikan, që di t’i përballojë tragjeditë, duke krijuar unitetin dhe solidaritetin e paparë për t’i tejkaluar sfidat”.

Kryeministri Thaçi vlerëson se me këto sulme nuk u godit vetëm SHBA-ja, por edhe tërë bota demokratike.

“Dhjetë vjet më parë qytetarët dhe institucionet e Kosovës u solidarizuan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përjetuar rëndë sulmet terroriste mbi një vend mik, që kishte dhënë kontribut thelbësor në çlirimin e vendit tonë”, thuhet në mesazh.
XS
SM
MD
LG