Ndërlidhjet

Teoritë konspirative, të ngjashme me Hollivudin


Ilustrim
Ilustrim
Radio Evropa e Lirë zhvilloi intervistë me gazetarin Xhonatan Kej, autor i librit “Në mesin e atyre që e thonë të vërtetën: udhëtim nëpër nëntokën në rritje të konspiracistëve amerikanë”.


RADIO EVROPA E LIRË
Tashmë janë mbushur 10 vite nga sulmi kundër Shteteve të bashkuara. Shtrohet pyetja se teoritë konspirative të 11 shtatorit, a janë më tepër ose më pak të përhapura se menjëherë pas sulmeve?

XHONATAN KEJ
Kjo është pyetje interesante. Teoritë konspirative të 11 shtatorit realisht nuk e arritën kulimin deri në fund të vitit 2003, apo në fillim të vitit 2004 dhe arsye për këtë ishte Lufta në Irak. Shumë njerëz ndjeheshin të mashtruar se atje nuk kishte armatim për shkatërrim në masë, dhe ata filluan ta pyesin vetveten “për çka tjetër ne jemi keq udhëhequr”?

Kjo ka çuar te rritja natyrore e teorive të konspiracionit të 11 shtatorit dhe, po ashtu, në vitet 2004, 2005, 2006, kishte shumë konspiracion. Zgjedhja e Barak Obamës në vitin 2008, do të thosha, e shënon pikën kur teoritë konspirative filluan të shënojnë rënie. Secilës teori të konspiracionit i duhet një personalitet i së keqes; kjo është sikur në filmat e Holivudit. Ju e kishit në Shtëpinë e Bardhë, Bushin, Çejnin, Volfovicin dhe Ramsfeldin, që ishin një lloj të figurave të përshtatshme për ata që bëjnë konspiracione.

Obama nuk i plotësonte modelet, prandaj prej vitit 2009, do të thosha se ekziston trend i rënies në teoritë e konspiracionit për 11 shtatorin. Njëherësh, ata që i lansojnë teoritë e konspiracionit kanë ndryshuar dhe kanë kaluar në teoritë e tjera të konspiracionit, siç janë ato për rezervat federale dhe, natyrisht, ekzistonte edhe teoria e konspiracionit për certifikatën e lindjes së Barak Obamës.

RADIO EVROPA E LIRË
A ekziston një element i së vërtetës në çfarëdo lloj të këtyre teorive të konspiracionit?

XHONATAN KEJ
Shumë gjëra, ata i thonë në teoritë e konspiracionit janë të sakta. Në rastin e 11 shtatorit ata flitnin për projektin për Shekullin e Ri Amerikan, prej para më se 10 vitesh, ku amerikanët e krahut të djathtë po shikonin për ri-rregullimin e botës, për ta bërë atë vend më të sigurt. Problemi është se si ata i përpilojnë këto gjëra së bashku.

Është një gjë të thuhet se, saktësisht, amerikanët dëshironin të liroheshin nga Sadam Huseini. Ndryshimi i regjimit në Irak vërtetë ishte politikë e jashtme e Shteteve të Bashkuara, qysh në kohën e Klintonit, kjo është e vërtetë. Por, është diçka tjetër të thuhet se ata i vranë mijëra amerikanë si pretekst për të shkuar në Irak.

Pra, të gjitha teoritë e konspiracionit, me disa përjashtime të vogla, kanë pak kokrra të vogla të së vërtetës në bazën e tyre. Ajo që ndodhë është se këto kokrra të vogla të së vërtetës janë të zgjeruara në mënyrë të turpshme për të krijuar fantazi të stilit të Holivudit për konspiracione të mëdha.

RADIOP EVROPA E LIRË
Cili mund të jetë rreziku nga këto teori të konspiracionit, pasi ato ndonjëherë janë argëtuese dhe njerëzit i bëjnë të qeshin. Pra, a paraqesin ato kërcënim për diskursin liberal në shoqëri?

XHONATAN KEJ
Sigurisht, dhe ju këtë e shihni në Shtetet e Bashkuara. Unë i pyes njerëzit si mund të keni ju bashkëbisedim legjitim për politikën e jashtme dhe për sigurinë e brendshme, nëse mendoni se 11 shtatori ishte punë e brendshme e kryer nga qeveria e Shteteve të Bashkuara? Si mund ta imagjinoni ju diskutimin legjitim për kujdesin shëndetësor nëse ju mendoni se plani i Barak Obamës, për kujdesin mjekësor ishte vetëm një konspiracion i madh, për ta dërguar gjyshen tuaj në ballë të të ashtuquajturit panel të vdekjes?

Ose, nëse ju mendoni se Barak Obama është një ilegal i huaj, i cili po përpiqet që në mënyrë sekrete ta krijoj një lloj të komplotit komunist, apo komplot Afro-centrist, apo komplot të Sheriatit në Shtetet e Bashkuara? Pra a janë këto diskutime legjitime? Njerëzit që besojnë në teoritë e konspiracionit, në mënyrë bazike kanë zgjedhur që të jenë jashtë realitetit. Ata jetojnë në një univers alternativ dhe ata domosdoshmërish nuk janë të rrezikshëm për Shtetet e Bashkuara, në atë se ata do të krijojnë ndonjë lloj të revolucionit të dhunshëm, por ata janë mëkate të rrezikshme në kuptimin se e kanë shkatërruar tregun e ideve, pasi me ta miliona njerëz nuk mund të kenë bashkëbisedim të arsyeshëm.

Kjo është e rrezikshme për demokraci. Ju mund të bisedoni me njerëzit që e arsimojnë vetveten me çështje reale dhe mund të krijoni një konsensus politik. Shtetet e Bashkuara, në mënyrë të shpejtë, po shndërrohen në vend ku ju nuk mund të krijoni konsensus politik, pasi njerëzit janë radikalizuar nga teoritë e konspiracionit.

RADIO EVROPA E LIRË
A ekziston zgjidhja për këtë ose kjo do të bëhet edhe më keq me zgjerimin e burimeve të mediave dhe me popullarizimin e Internetit?

XHONATAN KEJ
“Është shumë vështirë që të shpëtohet dikush, nëse mund ta përdori këtë shprehje, nëse ata janë bërë teoricienë të konspiracionit. Ata bëhen imunë ndaj argumentimit racional. Projekti në librin tim ishte që t’i arsimoj njerëzit, që nuk janë teoricienë të konspiracionit dhe t’u tregoj atyre strukturën bazike të teorive të konspiracionit, në mënyrë që ata, pastaj, mund ta njohin atë.

Pra, kur dikush i afërt ju dërgon atyre imejl për Barak Obamën, për 11 shtatorin, ose për përplasjen e fundit të aeroplanit, ose si e kishte shkaktuar ushtria e Shteteve të Bashkuara tërmetin e fundit, ata do ta njohin strukturën dhe pretendimet, që i përmbajnë teoritë e konspiracionit me shekuj. Ata do ta shohin atë strukturë dhe do ta krahasojnë me informacionin që e marrin dhe do të jenë në gjendje të thonë: hej, këto janë gjepura! Po ashtu, ata e armatosin vetveten me mjete mendore të nevojshme për ta ditur kur diçka duket sikur absurditet konspirativ ose kur diçka mund të jetë legjitime. (f. b.)
XS
SM
MD
LG