Ndërlidhjet

OJQ-të kosovare kritikojnë BB lidhur me termocentralin e ri


Tri organizata joqeveritare në Kosovë- Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, Instituti për Studime të Avancuara dhe Forumi për Iniciativa qytetare publikuan një dokument, në të cilin përmendin disa parregullsi në termet e referencës së panelit të Bankës Botërore që do të jetë përgjegjës për të vlerësuar përshtatshmërinë e projektit të propozuar për termocentralin e ri në Kosovë me kriteret e përmbledhura në Kornizën Strategjike të Zhvillimit dhe Ndryshimeve Klimatike të Bankës Botërore.

Qëllimi i punës së Panelit dhe kriteret që kanë të bëjnë me klimën, vëllimi i punëve, saktësia e profilit energjetik të Kosovës, konsumatorët, alternativat karshi linjitit për qëllime të analizës së kostos më të ulët, analiza e saktë e kostos përgjatë ciklit jetësor të projektit, vlerësimi i saktë i pasojave mjedisore, problemi i humbjeve teknike dhe komerciale në rrjetin energjetik dhe përkrahja transparente dhe e prekshme për zhvillim të ulët të karbonit përmendën si fusha në të cilat janë gjetur paqartësi.

KIPRED, GAP dhe FIQ i bënë thirrje Bankës Botërore “që të realizoj studimet e duhura për energji alternative në Kosovë, të analizoj në formë krahasimore çdo projekt të mundshëm energjetik në vend, të marrë për bazë dhe të propozoi projekte konkrete për të ndihmuar në fushën e efiçiencës dhe kursimit të energjisë elektrike, si dhe në uljen e humbjeve teknike dhe komerciale të energjisë”.

Të gjitha këto thuhet se duhet të bëhen para se të merret vendimi i Panelit vlerësues për kriteret.
XS
SM
MD
LG