Ndërlidhjet

Kabuli i tronditur nga vrasja e Rabanit


Buhanudin Rabani...
Buhanudin Rabani...
Kabuli është tundur nga vrasja e ish-presidentit afgan, Buhanudin Rabani, lideri i fuqishëm taxhik dhe kreu i Këshillit të Lartë për Paqe të vendit, i cili u vra të martën nga një sulmues vetëvrasës.

Për të trajtuar trazirat potenciale pas vrasjes së ish-presidentit, Burhanudin Rabani, presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, do të kthehet gjatë ditës nga Nju Jorku për në Kabul duke ndërprerë vizitën në Shtetet e Bashkuara, ku pritej të merrte pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Karzai pritet të drejtojë një takim urgjent të kabinetit në Kabul në kohën kur po vazhdojnë përgatitjet për varrimin e Rabanit, i cili u vra të martën nga një sulmues vetëvrasës, i cili hodhi vetën në ajër duke aktivizuar eksplozivin që po e mbante nën kapelën e tij.

Zyrtarët e qeverisë afgane i thanë Radios Evropa e Lirë se sulmuesi pretendoi të ishte një komandant i lartë i talebanëve dhe kërkoi takimin me Rabanin. NATO-ja njoftoi se ishin dy sulmues vetëvrasës të cilët-që të dy, pretendonin të jenë të interesuar në bisedimet për paqe.

Sot, qindra afganë u mblodhën në shtëpinë e Rabanit në lagjen e diplomatëve në Kabul për ta kujtuar atë dhe për të protestuar lidhur me vrasjen e tij. Disa protestues thuhet se mbanin foto të liderit të vrarë, ndërsa të tjerët mbanin shirita të zi në kokë si shenjë pikëllimi.

Forcat qeveritare rritën masat e sigurisë në lagjen e diplomatëve, duke ndaluar veturat që po hynin në atë zonë dhe duke kontrolluar këmbësorët. Kur njerëzit u mblodhën në portën kryesore të shtëpisë së Rabanit për t’u ulur dhe për të lexuar pjesë nga Kurani, edhe forcat e sigurisë ndaluan si shenjë respekti.

Nuk ishte menjëherë e qartë se a do të bëhej varrimi i ish-presidentit në Kabul apo në vendlindjen e tij në veri-lindje të Afganistanit, në krahinën e Badakshanit.

Rabani ishte president i Afganistanit gjatë luftës së përgjakshme civile ndërmjet viteve 1992 dhe 1996-periudhë kjo, gjatë së cilës nga bombardimet dhe luftimet në mes të muxhahedinëve, u pat shkatërruar pjesa më e madhe e Kabulit.

Rabani u tërhoq nga lidershipi në Kabul kur talebanët po fuqizoheshin në mesin e viteve të 90-ta, për t’u bërë një nga anëtarët kyç të Aleancës Veriore e cila i luftonte ata.

Ai ishte gjithashtu aleat politik i liderëve ushtarakë të taxhikëve etnik si për shembull komandanti i muxhahedinëve, Ahmad Shah Masud, i cili u vra nga sulmuesit vetëvrasës të Al Kaidas më 9 shtator të vitit 2011.

Gjatë vitit, Rabani pat udhëhequr përpjekjet qeveritare-me pak sukses, në negociatat për t’i dhënë fund luftës kundër talebanëve në Afganistan. Në mars të këtij viti, Rabani i pat thënë Radios Evropa e Lirë, se ishte optimist për perspektivën e negociatave me talebanët.

Kemi nisur të kontaktojmë opozitën (pra talebanët). Kemi pasur gjithashtu disa takime të cilat po vazhdojnë. Jemi duke shkëmbyer letra në ndërkohë, mirëpo, kontaktet tona nuk kanë ardhur në atë nivel për t’u bërë publike”, pat thënë ai.

Mirëpo, analisti afgan, Vahid Mozhada, tha se që nga ajo kohë Rabani pat humbur shpresën në gatishmërinë e talebanëve për t’u pajtuar për përfundimin e luftës. Mozhda, tha të ketë biseduar me Rabanin vetëm para pak ditësh:

Kohëve të fundit, Rabani ishte shumë i zhgënjyer me talebanët. Ai thoshte se ata nuk janë të gatshëm për paqe. Ai mori një qëndrim të fuqishëm kundër talebanëve.
Kohëve të fundit, Rabani ishte shumë i zhgënjyer me talebanët. Ai thoshte se ata nuk janë të gatshëm për paqe. Ai mori një qëndrim të fuqishëm kundër talebanëve. Disa nga miqtë e tij madje e kritikuan atë për këtë qëndrim duke thënë se, si anëtar i këshillit për paqe, detyra e tij ishte të depërtonte tek ata. Dukej se ai ishte i lodhur nga këshilli për paqe dhe se dëshironte të japte dorëheqje nga udhëheqësia e këtij këshilli”, u shpreh Mozhada.

Pavarësisht nga aftësia e Rabanit për të sjellë paqen në një vend i cili, për dekada të tëra njihte vetëm luftën, vrasja e tij përbën një goditje të rëndë për përpjekjet për paqe të qeverisë.

Meqë ishte i etnisë taxhike, vrasja e Rabanit, mund të tensionojë më tej marrëdhëniet e ndjeshme ndërmjet grupeve të ndryshme minoritare me bashkësinë dominante Pashtun.

Në një deklaratë dhënë para largimit nga Nju Jorku, Karzai tha se vrasja e Rabanit “nuk do të na pengojë” në synimet për kërkimin e paqes. Këto komente ai i bëri përkrah presidentit amerikan, Barak Obama, pak para nisjes së një takimi me të.

Misioni të cilin ai e ka zhvilluar, zoti president, ishte jetik për njerëzit në Afganistan dhe për sigurinë e paqen e shtetit tonë. Neve do të na mungojë shumë. Nuk mendoj, zoti president, se do të jemi në gjendje ta mbushim shpejt zbrazëtirën të cilën e la ai”, theksoi Karzai.

Obama dënoi vrasjen e Rabanit dhe e cilësoi si “humbje tragjike”, mirëpo ai gjithashtu theksoi se, së bashku me liderin afgan, do të jetë i vendosur që të vazhdojë negociatat për t’i dhënë fund luftës.

Ne të dytë besojmë se, pavarësisht incidentit, ne nuk do të pengohemi nga krijimi i një rruge përmes së cilës afganët do të mund të jetojnë në liri, siguri dhe me perspektivë. Do të jetë e rëndësishme të vazhdojnë përpjekjet për t’i bashkuar të gjitha elementet e shoqërisë afgane dhe për t’i dhënë fund ciklit të pakuptimtë të dhunës”, tha presidenti amerikan.(e.p.)


XS
SM
MD
LG