Ndërlidhjet

OKB diskuton për kërkesën palestineze


Mahmud Abas
Mahmud Abas
Lideri palestinez, Mahmud Abas, u prit me ngazëllim kur doli në foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pasi disa diplomatë i brohoritën atij duke qëndruar në këmbë.

Por, derisa duartrokitja për Abasin vazhdonte, disa anëtarë të delegacionit të Izraelit u larguan nga salla, përfshirë edhe ministrin e jashtëm, Avigdor Lieberman.

Mahmud Abas tha se ia ka dorëzuar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, kërkesën për njohje të shtetësisë palestineze:

Para se ta paraqesë fjalimin tim, dëshiroj t’ju informoj se në kapacitetin tim si president i shtetit të Palestinës dhe kryesues i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, e kam dorëzuar kërkesën te Ekselenca e tij, Ban Ki-mun, sekretar i përgjithshëm i OKB-së, për pranim të Palestinës në bazë të kufijve të datës 4 korrik 1967, me Jerusalemin si kryeqytet, për anëtarësi të plotë në Kombet e Bashkuara”, tha Mahmud Abas.

Izraeli, që e ka okupuar Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jerusalemnin Lindor, prej Luftës Gjashtëditëshe në vitin 1967, këmbëngul se braktisja e këtyre territoreve do ta lë Izraelin “të pambrojtur”.

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit, Brazili, Kina, India, Libani, Afrika Jugore dhe Rusia pritet se do ta mbështesin kërkesën palestineze.

Pozicioni i anëtarëve evropianë, Bosnjë Hercegovinës, Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Portugalisë, është i panjohur, ndërsa është e paqartë se çfarë qëndrimi do të kenë Kolumbia, Gaboni dhe Nigeria, në Këshillin e Sigurimit.

Shtetet e Bashkuara, që janë anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, kanë shprehur përkushtim për t’i vënë veto kërkesës palestineze.

Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme, me 21 të këtij muaji, presidenti amerikan, Barak Obama, tha se “nuk ka rrugë të shkurtra”, për ta anashkaluar zgjidhjen me negociata me Izraelin.

Secila palë ka aspirata legjitime dhe kjo është pjesë e asaj që paqen e bënë aq të vështirë. Dhe bllokada do të thyhet kur secila palë të mësoj të qëndroj në këpucët e tjetrit, kur secila palë mund ta shohë botën me sytë e tjetrit. Ne këtë duhet ta inkurajojmë”,tha zoti Obama, i cili përsëri e ka përmendur edhe “zgjidhjen me dy shtete”.

Por, zoti Abas tha se negociatat do të jenë “të pakuptimta”, derisa Izraeli e vazhdon ndërtimin e vendbanimeve në tokën, për të cilën palestinezët pretendojnë se është e tyre.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, që u paraqit në foltore, një orë pas zotit Abas, tha se njohja e shtetit palestinez duhet të arrijë vetëm kur palestinezët e njohin Izraelin si shtet të hebrenjve dhe i marrin seriozisht shqetësimet e tyre për siguri dhe se çështja e vendbanimeve nuk është thelbi i konfliktit.

Thelbi i konfliktit nuk janë vendbanimet. Vendbanimet janë rezultat i konfliktit. Është një çështje që duhet të shqyrtohet dhe të zgjidhet me negociata. Por, thelbi i problemit gjithnjë ka qenë, dhe për fat të keq ende mbetet, refuzimi i palestinezëve për ta njohur shtetin e hebrenjve në çfarëdo kufiri”, tha Benjamin Netanjahu.

Pak kohë pas fjalimeve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, diplomatët nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Rusia, grup i njohur si Kuarteti për Lindjen e Mesme, kanë propozuar disa kushte për ripërtëritjen e bisedimeve për paqe.

Në takim do të ekzistoj përkushtimi, nga të dy palët, se objektiv i çfarëdo negociatave është arritja e marrëveshjes brenda kornizës kohore të pajtuar nga palët, por jo më gjatë se fundi i vitit 2012”, thuhet në deklaratën e Kuartetit.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Kllinton, duke folur në Nju Jork, ka kërkuar nga të dy palët që të pajtohen për këtë plan.

Propozim,i i Kuartetit përfaqëson bindje të fuqishme të komunitetit ndërkombëtar se paqja e qëndrueshme mund të vijë vetëm nëpërmjet negociatave ndërmjet palëve. Rrjedhimisht, ne kërkojmë nga të dy palët që tu kthehen bisedimeve”, tha Hillari Kllinton.

OKB-ja tha se për kërkesën palestineze do të diskutohet pasnesër. (f. b.)
XS
SM
MD
LG