Ndërlidhjet

SHGPV: Raportet e mediave për Kosovën janë joprofesionale


Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Vojvodinës (SHGPV) sot e ka kritikuar mënyrën, me të cilën shumica e mediave në Serbi raportojnë për zhvillimet në Kosovë dhe konsideron se bëhet fjalë për qasje joprofesionale dhe keqdashëse ndaj temave të ndjeshme.

“Raportimi i këtillë në masë të madhe e përkujton dështimin profesional dhe moral të gazetarisë sonë, gjatë përgatitjes dhe realizimit të luftërave në vitet e 90-ta, të cilin qartazi ende nuk kemi arritur ta kapërcejmë”, thuhet në kumtesën e SHGPV-së.

Mëtutje, kjo shoqatë ka vlerësuar se këto nuk janë vetëm lëshime profesionale, por mediat “me vetëdije janë përfshirë në realizimin e një politike të keqe shtetërore ndaj çështjes së Kosovës”.

SHGPV konsideron se është frikësuese që retorika dhe terminologjia e raporteve në media u përngjanë viteve të 90-ta, pasi përsëri flitet për “popullin duarthatë”, ndërsa në lajme përkujtohen raportet famëkeqe nga lufta në hapësirën e ish Jugosllavisë.

“Nëse problemi përshkallëzon, mediat e këtushme dhe reporterët e tyre nga Kosova, do të bartin përgjegjësi të madhe për këtë, ndërsa arsyetimi se kanë punuar nën presion politik, kurrsesi nuk mund t’i arsyetoj”, thuhet në kumtesën e SHGPV-së, me seli në Novi Sad.
XS
SM
MD
LG