Ndërlidhjet

Protesta në rritje



Lëvizja e re kundër fitimeve të mëdha të korporatave ka filluar të dëgjohet në Shtetet e Bashkuara.

Ajo që filloi si një demonstratë e vogël në Nju Jork, para tri javësh, me emrin “Okupimi i Wall Street-it”, tash është përhapur në disa qytete të tjera.

Demonstruesit janë të zemëruar për sistemin financiar, për të cilin thonë se i favorizon të pasurit në kurriz të shtetasve të zakonshëm.

Për të parën herë këtë javë, disa nga sindikatat e punëtorëve thanë se do t’i bashkohen protestës.

Punëtorja sociale nga Nju Jorku, Keti Xhons, së bashku me vajzën e saj 2 vjeç e gjysmë, Iva, u është bashkuar demonstruesve.

Ajo thotë se megjithëqë është e punësuar dhe së bashku me të dashurin e saj kanë shtëpi, ata ende nuk mund të kenë sigurim shëndetësor.

Shpresoj se kjo protestë do të përhapet. Mendoj se pabarazia ekonomike në këtë vend ka arritur në një pozitë që nuk mund të mbrohet. Mendoj se korporatat paguajnë më pak taksa se punëtori mesatar dhe kjo duhet të ndryshojë”, thotë Keti Xhons.

Faqja e internetit e lëvizjes “Okupimi i Wall Street-it” e përshkruan atë si “lëvizje e rezistencës pa liderë, me shumë njerëz të të gjitha ngjyrave, gjinive dhe pikëpamjeve politike”.

Një gjë që e kanë të përbashkët këto njerëz, sipas faqes së internetit, është se ata pretendojnë se “99 për qind nuk do ta tolerojnë lakminë dhe korrupsionin e 1 për qindëshit”.

Organizuesit thonë se janë inspiruar nga kryengritjet e popullit në botën arabe dhe nga protestat kundër masave të kursimit në Evropë.

Protestat kundër Wall Street-it deri tash kanë pasur pak interesim nga mediat, gjatë dy javëve të para, dhe praktikisht për to nuk dihej jashtë Nju Jorkut.

Por, kjo ndryshoi me 1 tetor, kur mijëra veprimtarë marshuan në Urën e Bruklinit dhe e okupuan rrugën, përkundër vërejtjeve nga policia.

Ju urdhëroj që të largoheni menjëherë nga rruga. Nëse këtë e bëni vullnetarisht, nuk do të gjobiteni. Por, nëse ju refuzoni të largoheni, ju do të arrestoheni dhe do të akuzoheni për sjellje të parregullt. Nëse nuk doni të jeni të arrestuar, ju duhet të largoheni nga kjo hapësirë”, u tha demonstruesve një oficer policie.

Por, demonstruesit refuzuan të largohen dhe brohoritnin “merre urën”.

Afro 700 veprimtarë ishin arrestuar dhe ishin dënuar me gjobitje minimale. Pothuajse shumica ishin liruar pak orë më vonë.

Shumë amerikanë të zakonshëm ndjejnë se janë të lënë pas dore dhe optimizmin i tyre legjendar sikur ia ka lënë vendin dëshpërimit.

Marvin Najt, 68 vjeçar, pensionist që jeton në Bruklin, është njëri nga personat e tillë. Ai iu ka bashkuar protestuesve me 3 tetor. Ai tha se jeton me më pak se 800 dollarë në muaj.

Jam këtu për të protestuar kundër këtij sistemi kapitalist, që e kemi këtu, ku të pasurit bëhen më të pasur, ndërsa të varfrit më të varfër, dhe kjo nuk ka të ndalur”, tha Marvin Najt.

Në muajin shtator, presidenti amerikan Barak Obama, propozoi taksa kundër milionerëve duke thënë se “gjërat kanë arritur në një shkallë të pa balancuar”, pasi vakuumet tatimore kanë lejuar që shumë amerikanë të pasur të paguajnë më pak tatime se amerikanët e klasës punëtore.

Republikanët opozitarë e kanë akuzuar atë se po zhvillon “luftë të klasave”.

Por, ideja për taksa më të larta kundër super të pasurve i ka dy mbështetës të rëndësishëm: pasanikët e mëdhenj Uoren Bufet dhe Xhorxh Soros.

Madje Sorosi ka shkruar në Nju Jork Tajms se ai mund të kishte “mirëkuptim për ankesat e protestuesve”. (f. b.)



XS
SM
MD
LG