Ndërlidhjet

Zejtuneh: Kemi besim në liri


Razan Zejtouneh
Razan Zejtouneh
Regjimi i presidentit sirian, Bashar Al Asad ka vrarë më shumë se 2.900 njerëz gjatë shtatë muajve të shtypjes së protestave, vlerësojnë Kombet e Bashkuara.

Këto të dhëna janë hartuar me ndihmën e aktivistëve si Razan Zejtuneh, 34 vjeçare, e cila për muaj të tërë ka qenë nën presionin dhe kërcënimet e vazhdueshme të mediave të ndikuara nga qeveria, për shkak se i jepte botës informata për brutalitetin që po ndodh në vend.

Zejtuneh, avokate e trajnuar e të drejtave të njeriut, ka themeluar gjithashtu një faqe të internetit, Linkun Sirian për Informata rreth të Drejtave të Njeriut, i cili është bërë njëri nga burimet e pakta për nxjerrjen e informatave lidhur me vrasjet, arrestimet dhe shkeljen e të drejtave të njeriut nga regjimi i Asadit.

Më 6 tetor, Zejtuneh u shpërblye me çmimin Ana Politkovskaja, nga grupi britanik për të drejtat e njeriut RAW “për raportimin e saj ditor në internet dhe për mediat ndërkombëtare rreth krimeve dhe dhunës ndaj civilëve në Siri”.

Ajo është gjithashtu e nominuar, si pjesë e një grupi pesë-anëtarësh të aktivistëve të Pranverës Arabe, për Çmimin Sakharov për Mendim Paqësor, të cilin edhe këtë vit e ndan Parlamenti Evropian.

Nga një vend i fshehtë, Zejtuneh bisedoi me korrespondentin e Radios Evropa e Lirë, Riçard Solash, për situatën aktuale në Siri, vullnetin e pathyeshëm të protestuesve dhe mënyrën me të cilën, sipas saj, do të duhej t’u përgjigjej këtyre zhvillimeve Bashkësia Ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Fillimisht, cilat janë zhvillimet e fundit në Siri?

RAZAN ZEJTUNEH
Sot ishte një ditë shumë, shumë e pikëllueshme në Siri. Një lider kurd i opozitës- mjaft i njohur, Mashal Tamo, u vra gjatë ditës (Tamo ishte zëdhënës i Partisë për Ardhmërinë Kurde dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Sirisë që u formua së fundi). I biri i tij u plagos gjithashtu. Ai ende gjendet në spital dhe është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Një tjetër aktiviste është plagosur gjithashtu. Mendoj se me vrasjen e Tamos, brutaliteti është ngritur në një shkallë më të lartë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku ndodhi vrasja?

RAZAN ZEJTUNEH
Ajo ndodhi në Al Kamshili ku jeton minoriteti kurd. Tamo pat qenë në burg gjatë tri e gjysmë vjetëve të fundit, ndërsa u lirua kohë më parë. Revolucioni pat nisur kur ai u lirua. Ai u pat arrestuar për shkak të aktiviteteve të tij politike. Në ditën pas lirimit të tij, ai doli në rrugë, iu bashkëngjit protestuesve për të kërkuar liri dhe përfundimin e regjimit.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të më jepni më shumë detaje lidhur me situatën e përgjithshme në vend?

RAZAN ZEJTUNEH
Situata po bëhet gjithnjë e më e dhunshme. Tani numri mesatar i njerëzve të vrarë nga forcat e sigurisë dhe ushtria është diku 20 për çdo ditë. Ushtria ende po mban të rrethuara shumë qytete dhe fshatra; çdo ditë zona dhe qytete po sulmohen nga forcat e sigurisë dhe ushtria. Qindra njerëz po arrestohen çdo ditë. Rrëmbimi dhe vrasja e njerëzve është rritur gjithashtu, veçanërisht në qytetin Homs. Pavarësisht tërë kësaj, protestat ende po vazhdojnë. Çdo ditë ka një protestë në vend, në disa zona më shumë, në disa më pak - kjo varet nga kushtet e sigurisë dhe shkallës së presionit ndaj asaj zone.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni për reagimin e deritashëm të Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj dhunës në Siri?

RAZAN ZEJTUNEH
Deri në këtë mëngjes, mendoja se Bashkësia Ndërkombëtare nuk po merrej seriozisht me tërë dhunën kundër popullit sirian. Është vërtetë shumë qesharake se kanë kaluar shtatë muaj dhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk arriti as ta votojë një rezolutë me të cilën do të dënonte regjimin e Sirisë. Mendoj se duhet të bëhet shumë më tepër nga Bashkësia Ndërkombëtare.(e.p.)
XS
SM
MD
LG