Ndërlidhjet

Trajkoviq: Politika e dështuar e Millosheviqit në veri


Rada Trajkoviq
Rada Trajkoviq

Vendosja e barrikadave në veri nga serbët lokalë, konflikti i shëmtuar me KFOR-in dhe reflektimi i ngjarjeve, kanë dërguar porosinë se Serbia po përdorë mekanizmat e politikës humbëse të Millosheviqit, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, politikania nga Graçanica, Rada Trajkoviq, deputete në Kuvendin e Kosovës nga Lista e Përbashkët Serbe.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Trajkoviq, tashmë ka disa javë që në veriun e Kosovës, serbët kanë vendosur barrikadat, me të cilat kanë bllokuar rrugët dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave. Aq ka reflektuar kjo situatë në jetët e serbëve të cilët jetojnë në pjesën qendrore të Kosovës?

RADA TRAJKOVIQ
Natyrisht se gjithçka që ngjanë në veriun e Kosovës, ajo reflekton në gjendjen e serbëve dhe në mënyrën e tyre të menduarit. Unë do të thosha se në këtë rast serbët janë shumë të shqetësuar. Thjeshtë, ata nuk shohin që serbët e veriut të Kosovës kanë ndonjë strategji dalëse, e cila do t’i përgjigjej në mënyrë të mençur asaj që është e padrejtë, por që është realitet në veriun e Kosovës.

Natyrisht që në anën tjetër janë shumë të shqetësuar, sepse kanë presion të fuqishëm dhe diskriminues nga institucionet në Prishtinë, para së gjithash nga shqiptarët që janë brenda institucioneve, gjë që i shqetëson lidhur me mbijetesën e tyre, sepse janë angazhuar që të mbeten në hapësirën ku kanë jetuar gjithmonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju edhe më parë keni deklaruar se jeni kundër barrikadave. Kujt mendoni se i shërbejnë ato dhe për çfarë?

RADA TRAJKOVIQ
Unë në vazhdimësi jam duke thënë se të gjithë ne e kemi kaluar fazën më 5 nëntor. Por, veriu i Kosovës e ka mbajtur mentalisht atë që nënkupton strategjinë, përgjigjet dhe të menduarit, të cilat kanë qenë karakteristike për Millosheviqin dhe regjimin e tij, i cili ka dështuar. Për këtë shkak, unë po frikohem se edhe ata do të bien, por kjo të mos ndodhë ashtu që të rrënohet i gjithë populli në veri.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Trajkoviq, zyrtarët e Beogradit kanë deklaruar se pranë barrikadave nuk ka pasur kriminelë. Afër barrikadave janë parë edhe vet ata zyrtarë. Në anën tjetër, nga shërbimet shtetërore të informimit serb, siç është thënë në mediet serbe, ka dalë informata se grupi, të cilën e ka udhëhequr Zvonko Veselinoviq, i ka sulmuar ushtarët e KFOR-it në Jarinjë. Cili është mendimi juaj, a po përpiqen zyrtarët e Beogradit që diç të fshehin?

RADA TRAJKOVIQ
Jo. Unë mendoj se këtu ka të bëjë me ndonjë fushatë parazgjedhore, ku po përpiqen ta ndërlidhin zotin Veselinoviq me njërin apo tjetrin subjekt dhe në fakt të shfrytëzojnë ngjarjet në veri të Kosovës në fushatën parazgjedhore, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë diçka e tillë. Unë megjithatë mendoj se shteti serioz dhe institucionet serioze, të gjithë atë që ka ngjarë e veçanërisht ai konflikt i shëmtuar me KFOR-in. Në të vërtetë, të paktën ne serbët, nuk kemi të drejtë që ta nxisim KFOR-in apo që të marrim pjesë në nxitje, për shkak se ai është pjesa më e nderuar e misionit ndërkombëtar në Kosovë.

Është dashur që t’ia lëmë shërbimeve ndërkombëtare, raportuesve të NATO-s dhe xhirimeve të tyre autentike, që të gjithë së bashku t'i shikojmë ato dhe në një mënyrë të gjithë të konstatojmë se kënd duhet eliminuar nga veriu i Kosovës dhe kontribut i kujt ka qenë dhe sa ka qenë në gjithë atë, do ta quaja më parë organizim të trungjeve se sa barrikada, që vërtetë përkujton disa kohë të kaluara.

Në esencë të gjitha këto, kanë dërguar porosinë se Serbia po përdorë mekanizmat e politikës humbëse të Millosheviqit, e cila në fund rezulton me fatkeqësinë e popullit dhe ndjekjen e tij, si dhe me fushata të mëdha kundër bashkësisë ndërkombëtare dhe që e qojnë vendin në izolim. Unë ende pres dhe mendoj se kemi ende kohë që të lexojmë paksa librat e Brukselit që shpjegojnë se si janë zgjidhur konfliktet ndërmjet popujve, si janë gjetur kompromiset dhe sa kanë bërë përpjekje njerëzit nga të dyja palët që të stabilizojnë situatë, në mënyrë që të ecin përpara.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Trajkoviq, a mendoni se në ato barrikada ka edhe kriminelë, të cilët fshihen, nëse mund të thuhet ashtu, prapa popullit?

RADA TRAJKOVIQ
Pas secilit tubim të popullit, zakonisht fshihen organizatorët, të cilët duhet të marrin ndonjë profit për shkak të veprimeve të veta. Unë kurrë nuk kam besuar në spontanitet, e sidomos në tubimin spontan të popullit. Ato tubime më janë të largëta dhe të ngjashme ashtu sikurse tubimet në kohën e Millosheviqit.

Është krejtësisht një strategji manipuluese, kur nuk ke asgjë serioze dhe të mençur. Pastaj, e lëshon popullin dhe nga kjo prisni realizimin e ndonjë caku politik. Por, gjithsesi , pas gjithë kësaj qëndron profiti.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke pasur parasysh gjendjen aktuale në veriun e Kosovës, a mendoni se bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të cilat janë ndërprerë, mund të rinisin përsëri?

RADA TRAJKOVIQ
Ajo çfarë di unë është se të dy negociatorët, zonja Tahiri dhe zoti Borko Stefanoviq, janë tepër të pranishëm në opinion. Unë kam menduar se ata do ta kryejnë punën e tyre, siç thuhet, të mbyllur, ndërsa deklaratat politike do t’i jepnin kryeministrat e njërës dhe palës tjetër. Por, ekziston një problem i madh te serbët. Në momentin që dikush e merr pozitën që të merret me hapësirën e Kosovës dhe me këtë i hapet mundësia për komunikim me bashkësinë ndërkombëtare, atëherë lajmërohen ambiciet e mëdha që të profilizohen si lider politik ose ndonjë e ardhme e Serbisë. Kjo nuk po ndodhë vetëm në rastin e zotit Borko.

Ky ndodh në vazhdimësi me të gjithë ata që janë marrë me problematikën e hapësirës së Kosovës, të cilët me këtë, siç thuhet, janë ngritur politikisht, por edhe kanë rënë. Në anën tjetër, mendoj se edhe zonjusha Edita i takon një gjenerate të politikanë të njohur, por mendoj se e posedon një stereotip te bisedimet. Nuk e ka atë fleksibilitetin, i cili është karakteristik për njerëzit e rinj. Ajo është mjaft gjatë në politikë dhe është e njohur me qëndrimet e saja të ngurta. Unë mendoj se zoti Borko Stefanoviq ka bërë gabime të mëdha për shkak se në fund nuk e ka kuptuar se secila çështje teknike në fund përfundon me përgjigje politike. I pa përgatitur mirë për përgjigje politike, ai gjithmonë është orientuar në ndërprerje të bisedimeve. Pas çdo ndërprerje të bisedimeve ne kemi pasur tensione.

Si rezultat i kësaj, ne tash kemi aq shumë largim të serbëve dhe shqiptarëve, gjë që mua më shqetëson. Janë lajmëruar sërish shumë antagonizma dhe në terren janë ngritur tensionet aq shumë. Kemi pasur edhe vrasje të një serbi në Hoqë të Madhe në regjionin e Dukagjinit. Mendoj se këto janë të gjitha mjaft gjëra të dhimbshme. Unë do të dëshiroja që ata të kthehen te tavolina e bisedimeve, por edhe me një strategji të menduar mirë, që në esencë nuk do të nënkuptonte tensione të reja, e sidomos jo ndërprerje të reja, të cilat japin hapësirë për manipulime, e pastaj edhe për konflikte dhe për ashpërsim të marrëdhënieve dhe retorikës ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Thjesht, edhe njëri e edhe tjetri popull, janë të lodhur dhe të frikësuar nga konfliktet e reja. Unë jam kthyer nga Beogradi dhe në vendkalimin në Merdarë, kamë qenë e trishtuar kur kamë parë që qarkullimi është zvogëluar shumë dhe shqiptarët qarkullojnë shumë pak. Kur i pyes disa miq nga Podujevë, për shkak se aty e kam vendlindjen, ata më thonë "e dini që Serbinë e kemi pas shpinës dhe nëse do të ketë konflikt ne do të jemi të parët që do të goditemi". Njëjtë, kur udhëtoj për në fakultetin e Mitrovicës, shoh që nga Vushtrria ka pak lëvizje të shqiptarëve.

Ndërkaq, serbëve nga veriu as që u shkon mendja që t’i braktisin territoret, të cilat fatkeqësisht i kanë murosur vetë, sikur të ishte shekulli i 15, duke hedhur beton, tulla dhe nuk di se çka nuk hedhin në ato ura, të cilat reflektojnë shëmtinë jo vetëm në kuptimin arkitektonik, por thjeshtë, shëmtinë në kuptimin mental që tregon se sa duhet pasur urrejtje për të mundur që në mënyrë të pështirë ta hidhet betoni aty dhe të thuhet “ja këtu është një territor ku nuk do të lëvizin lirshëm shqiptarët”. Por, betohem në Zotin, se unë si serbe ndjehem shumë keq kur shkoj në hapësirat që janë të rrethuara. Thjeshtë, mendoj se liria është më e rëndësishmja dhe do të doja që të gjithë njerëzit vërtetë ta kenë mundësinë për liri.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund, zonja Trajkoviq, cila është porosia e juaj për serbët në veriun e Kosovës?

RADA TRAJKOVIQ
Porosia ime është që në kohën kur bashkësia ndërkombëtare, por gjithsesi edhe liderët shqiptarë, do të jenë në gjendje që tu japin serbëve më së shumti, në kuptimin e kapaciteteve institucionale, në veri të Kosovës, atë rast nuk duhet lëshuar. Sepse, ashtu siç po kalon koha, serbët do ta lodhin edhe bashkësinë ndërkombëtare, por edhe liderët në Prishtinë dhe pastaj gjithmonë e më pak do të marrin diçka. Kjo do të jetë e keqe për të gjithë ne. Konstruktiviteti, përgjegjësia ndaj serbëve në gjithë territorin e Kosovës, e pastaj edhe pjesës tjetër të Serbisë është diçka që duhet të jetë udhërrëfyese për liderët në veriun e Kosovës.

Përgjegjësia nënkupton se duhet zhbllokuar rrugët, kthim në marrëdhënie korrekte me KFOR-in, bashkëpunim aktiv me EULEX-in, para së gjithash për ndërtimin e një sistemi të drejtësisë, ku do të funksiononin gjyqet, Policia e Kosovës në një mënyrë të përgjegjshme, ku do të kishte doganë dhe do të ishte mirë që në atë doganë të jenë serbët, thjeshtë për faktin që edhe shqiptarët që janë në veri, të mos ndjehen keq. Ajo që unë mendoj se kanë bërë mirë, është fakti se nuk kanë pasur aktivitete armiqësore kundër fshatrave shqiptare në veri të Kosovës.

Unë thjeshtë e kuptoj frikën dhe vuajtjen e tyre, sepse njëjtë ndjehet edhe populli im në enklava, i rrethuar me shqiptarë. Mendoj se të gjithë ne duhet të fillojmë të punojmë për diçka që nënkupton stabilitet në hapësirën e Kosovës, në një mënyrë, fundja edhe nëse kjo nënkupton të ardhmen për të rinjtë, sepse ne në një mënyrë, pak a shumë ne i kemi harxhuar pjesët tona të jetës në antagonizma, urrejtje dhe jo tolerancë.

Nëse nuk do t'i ofrohen konstruktivitetit, unë kam frikë se veriu i Kosovës nuk do të jetë më mjedis kompakt serb, i cili ka lidhje të drejtpërdrejtë dhe territoriale me Serbinë, ku do të mund t’i ruajnë edhe lidhjet institucionale me Serbinë. Në të kundërtën, kjo do të jetë një luginë e zbraztë dhe pastaj kjo do të ishte një tragjedi e madhe për të ardhmen, mbijetesën dhe ekzistencën e vazhdueshme në hapësirën që historikisht serbëve dhe nga e cila serbët shumë vështirë do të mund të ndahen, fundja, qoftë edhe në kuptimin mental.
XS
SM
MD
LG