Ndërlidhjet

PDL: Të mos rrezikohet jeta e fëmijëve në veri për qëllime politike


Partia Demokratike Liberale e Serbisë sot ka kërkuar që të vërtetohen informacionet se në barrikadat në pjesën veriore të Kosovës, do të dalin edhe nxënësit, pa dijen e prindërve të tyre.

Në njoftimin e kësaj partie thuhet se atë e kanë kontaktuar disa “prindë të frikësuar” nga veriu i Kosovës, të cilët “thonë se disa drejtorë të shkollave të mesme synojnë që nxënësit t’i marrin nga shkolla për t’i dërguar në barrikada, bile pa lejen e prindërve”.

Mëtutje, në kumtesën e Partisë Demokratike Liberale të Serbisë theksohet se “këta fëmijë janë të mitur dhe jeta, shëndeti dhe qetësia e tyre nuk guxon të rrezikohen për çfarëdo qëllimi politik”.

Kjo parti përsëri ka kërkuar nga institucionet shtetërore në Beograd që “urgjentisht të bëjnë thirrje për largim të barrikadave dhe me këtë ta evitojnë kaosin, frikën dhe shqetësimin, për shkak të konflikteve të mundshme te serbët në pjesën veriore të Kosovës”.
XS
SM
MD
LG