Ndërlidhjet

Kundër kushtëzimit të lirisë së lëvizjes


Jagnjenica, 24Oct2011
Jagnjenica, 24Oct2011


Forca shumëkombëshe e KFOR-it kundërshton vënien e kushteve nga ana e serbëve në lidhje me lirinë e lëvizjes në veri të Kosovës.

Një zëdhënës i KFOR-it në Prishtinë, Uve Novicki tha për Radion Evropa e Lirë se liria e lëvizjes duhet të arrihet për të gjitha palët, duke përfshirë si organizatat ndërkombëtare ashtu edhe gjithë popullin e Kosovës.

Reagimet nga KFOR-i vijnë në ditën kur përfaqësues të komunave paralele serbe në veri kanë dalë me disa qëndrime në lidhje me lirinë e lëvizjes në këtë pjesë.

Këta përfaqësues kanë marrë vendim që barrikadat nëpër rrugë të mbeten.

Ata i kanë kërkuar EULEX-it që si shkëmbim për mundësimin e qarkullimit nëpër rrugët në veri të Kosovës, ky mision të heqë dorë nga transporti dhe përkrahja logjistike për doganierët dhe policët kufitarë kosovarë në portat 1 dhe 31.

Përderisa për KFOR-in, këta përfaqësues të serbëve janë treguar më fleksibilë.

Pas takimit të kryetarëve të katër komunave paralele në veri, njëri nga liderët e këtyre strukturave, Sllavisha Ristiq tha se për EULEX-in ende nuk ka kushte që të qarkullojë lirshëm në veri të Kosovës.

Konsiderojmë se në këtë moment nuk janë krijuar kushtet që të lejojmë EULEX-in që të lëvizë lirshëm”, tha Ristiq, duke kërkuar që ky mision të heqë dorë nga transporti dhe mbështetja logjistike për doganierët dhe policët kufitarë të Kosovës.

Por, misioni i EULEX-it, në anën tjetër, porositë serbët që në afatin më të shkurtë kohor t’í heqin barrikadat.

Bllokimi i rrugëve nuk paraqet protestë paqësore dhe heqjen e tyre e pret jo vetëm EULEX-i, por edhe të gjitha vendet anëtare të BE-së, ka thënë zëdhënësja e këtij misioni, Irina Gudeleviq.

Liria e lëvizjes duhet të rivendoset në afatin më të shkurtë kohor dhe atë me heqjen e barrikadave, çka do të jetë në interes të banorëve lokalë dhe organizatave e misioneve ndërkombëtare, si KFOR-i, EULEX-i e të tjerë”, ka thënë zëdhënësja e EULEX-it.

Përfaqësuesit e serbëve i kanë dërguar letër edhe komandantit të KFOR-it, Erhard Drevs, të cilin e kanë ftuar të bisedojnë për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme në lidhje me qarkullimin e ushtarëve të KFOR-it në veri dhe furnizimin e tyre në pikat kufitare.

Në lidhje me kërkesat e serbëve, zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki tha se liria e lëvizjes vetëm për KFOR-in dhe jo për EULEX-in, nuk është e pranueshme.

Komandanti i KFOR-it u ka thënë shumë qartë kryetarëve të komunave në veri të Kosovës se liria e lëvizjes duhet të arrihet pa asnjë kusht për secilin, në çdo kohë. Kjo është shumë e qartë. Asgjë ndryshe nga kjo nuk është e pranueshme”, thotë zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki.

Ai rikujton se edhe më herët u është bërë e qartë përfaqësuesve të komunave në veri, se liria e lëvizjes nuk mund të kushtëzohet.

Sidoqoftë, strukturat paralele në veri, zotohen se do të vazhdojnë me barrikadimin e rrugëve.

Një tjetër përfaqësues i këtyre strukturave, Radenko Nedelkoviq tha se serbët në veri janë të bashkuar dhe do të vazhdojnë me protesta deri në realizimin e qëllimeve.

Ne do ta vazhdojmë luftën tonë të qetë dhe se qytetarët duhet të vazhdojnë që t’í përgjigjen pozitivisht thirrjeve për barrikada dhe protesta paqësore deri në përmbushjen e qëllimeve”, tha Nedelkoviq.

E qëllimi kryesor është që serbët të mbeten në trevat e tyre dhe në kuadër të Serbisë, tha ai.

Barrikadat nëpër rrugët në veri të Kosovës janë vendosur nga serbët si reagim ndaj vendosjes së doganierëve dhe policëve kosovarë në pikat 1 dhe 31 në veri të vendit.

Pengesat rrugore u përforcuan pas 16 shtatorit, kur edhe autoritetet ndërkombëtare i dhanë mbështetje Qeverisë së Kosovës për marrjen nën kontroll të Jarinës dhe Bërnjakut.

KFOR-i ka bërë të ditur se pika kufitare 31, në Bërnjak, është e kalueshme, por megjithatë mbetet sfidë se si mund të qarkullohet nga kjo pikë për në Mitrovicë, pasi që strukturat ilegale të pushtetit atje në vazhdimësi vendosin barrikada të reja.

XS
SM
MD
LG