Ndërlidhjet

Të mos mbyllen dyert para të rinjve pa diploma


Stiv Vozniak

Stiv Vozniak

Heather Maher, Sargis Harutyunyan, Radio Evropa e Lirë


Vdekja e bashkëthemeluesit të kompanisë Apple, Stiv Xhobs, më 5 tetor, të këtij viti, pothuajse ende ka jehonë në gjithë botën.

Por, gjatë përkujtimit të jetës së tij, në disa segmente, sikur janë anashkaluar dy persona, me të cilët i ndjeri Xhobs e kishte themeluar kompaninë revolucionare kompjuterike. Këta dy persona janë Ronald Vejn dhe Stiv Vozniak.

Në vazhdim, japim më tepër detaje për Stiv Vozniakun, të cilit i ishte pranuar kontributi për zbulimin e kompjuterëve Apple 1 dhe Apple 2, në mes të viteve ‘70, që e lansuan revolucionin e kompjuterëve personalë.

Ai ishte larguar nga kompania Apple, në vitin 1987, pasi i ishte kaluar 12 vjet në këtë ndërmarrje dhe në periudhën pas kësaj, ishte bërë filantropist i njohur, kishte zbuluar programimin e udhëhequr nga larg, kishte ndihmuar në krijimin e GPS-it të parë pa tela, e të tjera.

Ai tash është shef i shkencëtarëve në kompaninë Fusion-io, që merret me ruajtjen e të dhënave dhe me serverë.

I pyetur nga shërbimi në gjuhën armene i Radios Evropa e Lirë, se çka duhet të bëhet, që të inkurajohet rritja e sektorit të teknologjisë informative, zoti Vozniak thotë:

“Ne mësojmë të njëjtën temë, në ditët e njëjta dhe në javët e njëjta në gjithë klasën dhe kur ne i testojmë ata, atëherë ky është problem. Pavarësisht se çka bëni, nëse ju i përmbaheni kësaj formule, ju nuk do t’i përmirësoni gjërat shumë”.

Vozniak shton se duke i inkurajuar edhe studentët më të vjetër, që të bëjnë karrierë në teknologjinë informative, mund të jetë, po ashtu, rrugë për në zhvillim, e veçanërisht në universitetet teknike.

Qendra e rëndësishme amerikane për inovacione teknologjike, Silicon Valley, në Kaliforni, është destinimi kryesor për inxhinierët dhe shkencëtarët, pasi ata diplomojnë, thotë Vozniak.

Ai konsideron se kompanitë duhet t’i inkurajojnë inovacionet në mesin e të punësuarve të vet dhe t’u sigurojnë atyre liri të punës në projektet e tyre.

Çdokush, njëherë “do të qëllojë në diçka ngacmuese, të re dhe të jashtëzakonshme”, kështu që kompania do të përfitojë nga zbulimi, thekson Vozniak.

Nëse dikush largohet nga universiteti, siç bëri edhe Stiv Xhobsi i ndjerë, shprehet Vozniak, punëdhënësit nuk duhet ta mbyllin derën para njerëzve të rinj, që kanë talent dhe imagjinatë të madhe, por nuk kanë diplomë.

Shpeshherë ndodh që këta tipa kreativë dhe jokonvencionalë, bëhen “inovatorë realë”, thotë Vozniak.

Mos i kufizoni të rinjtë e mençur, pavarësisht se a kanë diplomë kolegji apo jo. Nuk është aq e mirë kur kompanitë i kërkojnë të gjitha llojet e diplomave dhe certifikatave. Ju duhet të jeni në gjendje t’i mbështesni njerëzit e rinj, të cilët do të mendojnë për vetveten dhe do të paraqesin ide të mira e të reja, pra këta do të jenë inovatorë realë”, thekson Vozniak.

Sa i përket kompanisë Apple Comuputer, pas epokës së Stiv Xhobsit, Stiv Vozniak thotë se prodhimet që i ka krijuar i ndjeri Xhobs, do të vazhdojnë të kenë ndikim në jetën e njerëzve dhe të jenë inspirim për kompanitë në mbarë botën.

Por, nëse Apple do të lëvizë nga krijimet estetike të Xhobsit, konsumatorët e saj, po ashtu, do të lëvizin tjetërkund, parasheh Vozniak.

“Klientët e kompanisë Apple do të reagonin negativisht nëse Apple fillon të dështojë në tipat e produkteve, që dolën nën Stiv Xhobsin”, thotë Stiv Vozniak, njëri nga bashkëthemeluesit e kompanisë Apple. (f. b.)
XS
SM
MD
LG