Ndërlidhjet

Uiliamson: Hetimet do të jenë të gjata dhe komplekse


Prokurori Xhon Klint Uiliemson, i caktuar nga Bashkimi Evropian, për zhvillimin e hetimeve lidhur me akuzat për trafikim të organeve nga ish pjesëtarët e UÇK-së, përfshirë edhe kryeministrin aktual, Hashim Thaçi, tha se hetimet do të jenë “të gjata dhe komplekse”.

Siç ka njoftuar Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë, në mbyllje të vizitës triditëshe të zotit Uiliemson në Shqipëri, “raporti i Këshillit të Evropës në dhjetor të vititi 2010, përmban akuza serioze, që duhet të hetohen në mënyrë gjithëpërfshirëse”.

Mëtutje, theksohet se “në këtë kontekst, zoti Uiliamson ka thënë se do t’i ndjekë dëshmitë, pa marrë parasysh se ku çojnë ato” dhe ka shtuar se “ky do të jetë hetim i gjatë dhe kompleks dhe se kjo do të marrë kohë për t’u kompletuar”.

Raporti kishte akuzuar zotin Thaçi dhe ish komandantët e tjerë të UÇK-së, se kishin udhëhequr qendra të burgimit në Shqipëri, afër kufirit me Kosovën.

Kryeministri Thaçi dhe autoritetet e Kosovës dhe të Shqipërisë, fuqishëm i kanë hedhur poshtë këto akuza.

Gjatë qëndrimit të prokurorit Xhon Klint Uiliemson në Shqipëri, ai është takuar me kryeministrin Sali Berisha, ministrin e jashtëm, Edmond Haxhinasto, ministrin e drejtësisë, Eduard Halimi dhe me zyrtarë policorë e gjyqësorë dhe diplomatë.

“Zoti Uiliemson ka mirëpritur përkushtimin e kryeministrit dhe të autoriteteve shqiptare, për të bashkëpunuar plotësisht me Forcën Speciale Hetuese të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së në Tiranë.
XS
SM
MD
LG