Ndërlidhjet

Atje ku vajzat janë turp


Një vogëlushe afgane...
Një vogëlushe afgane...
“Thuaj tre lutje”, porosit një plak me mjekër, duke lexuar pjesë të një libri.

“Një vajzë ka lindur në këtë botë – e bukur si hëna në qiell. Lutuni për të, pasi ajo është një lule që lulëzon në pranverë; ajo është një dritë që ka ndriçuar këtë shtëpi; është një engjëll që ka ardhur te ne nga vendi i përrallave”.

“Thuaj tre lutje”, porosit ai sërish.

Duke lexuar copëza të një poeme të shkruar së fundmi, plaku i fisit feston lindjen e vajzës së Ahmad Muhamedorit, një shkrimtari lokal. Me këtë, ai bën përpjekje të sfidojë edhe traditën patriarkale që ka lëshuar rrënjë të thella në jug të Afganistanit.

Atje, lindja e vajzës, shumë shpesh, është turp dhe jo festë, ndërsa ceremonitë tradicionale me rastin e lindjes së një fëmije, të njohura si Nashrah, janë të rezervuara vetëm për djemtë.

Muhamedori, i cili shkroi këtë poemë për të nderuar lindjen e vajzës së tij, thotë se në shumë pjesë të Afganistanit vetëm djemtë mund të trashëgojnë pasurinë e të atit dhe emrin e familjes.

“Në shoqëritë e prapambetura, gratë gjithmonë janë konsideruar më të dobëta. Për fat të keq, në shoqërinë tonë ato nuk trajtohen si qenie njerëzore. Komuniteti ndërkombëtar dhe disa nga liderët tanë predikojnë të drejtat e grave, por në realitet disa nga to nuk praktikohen. Një shembull të mirë paraqesin ata që flasin për arsimin, por as ata nuk i lejojnë vajzat e tyre të ndjekin shkollimin”, thotë Muhamedori.

Përmes Nashrahit për vajzën, Muhamedori shpreson të ndihmojë në thyerjen e traditës së dominimit mashkullor në rajon.

Një tjetër vogëlushe afgane...
Një tjetër vogëlushe afgane...
​Ceremonia Nashrah tubon dhjetëra anëtarë të familjes, miq dhe fqinj, të cilët festojnë një lindje të re. Ajo nis me leximin e një poezie folklorike dhe me lutje, për t’u pasuar më pas me festë, muzikë dhe vallëzim.

Poezitë që lexohen në ceremoni nderojnë të porsalindurit dhe përmbajnë këshilla për prindërit se si t’i rrisin fëmijët e tyre, për të qenë anëtarë të vlefshëm të shoqërisë.

“Ti duhet ta bësh këtë dritë të shkëlqejë. Kujdesu për të derisa të bëhet më e ndritshme. Derisa ta shkëlqejë këtë shtëpi dhe mbarë lagjen, pranoje këtë dhuratë dhe ji mirënjohës ndaj Zotit”, thuhet në njërën nga këto poezi.


Vajzat - djem të shtirur

Në shoqëritë patriarkale si kjo e Afganistanit, ekziston një presion i madh për të lindur djem. Në disa raste, një gjë e tillë i ka bërë familjet afgane t’i maskojnë vajzat e tyre si bij. Ndërsa, vajzat i kthehen natyrës femërore vetëm atëherë kur ato të arrijnë moshën e pjekurisë.

Kjo praktikë, në të shumtën e rasteve, nxitet nga nevoja ekonomike, presioni social e nganjëherë edhe nga paragjykimi se një gjë e tillë, mund të çojë në lindjen e djalit të vërtetë në të ardhmen.

Një djalë i shtirur mund të përmirësojë reputacionin e familjes. Po ashtu e bën më të lehtë për vajzat që të arsimohen, të punojnë jashtë shtëpisë dhe të shoqërojnë gratë në publik – liri këto që janë të rralla në një vend, ku burrat dhe gratë janë të ndarë rreptësisht në jetën publike.

Muhamedori thotë se praktikat e tilla shpesh nxiten nga mungesa e njohurive dhe paragjykimet tradicionale ndaj grave. Ai thotë se segmentet e arsimuara të shoqërisë duhet t’i ndryshojnë traditat.

“Është përgjegjësi e njerëzve të shkolluar në Afganistan për t’i udhëzuar njerëzit, në mënyrë që ata t’i hapin rrugën një të ardhmeje pozitive. Në vend të predikimit të të tjerëve në lidhje me barazinë gjinore, ata së pari duhet të bëhen vetë shembuj. Vetëm atëherë njerëzit do t’iu besonin fjalëve të tyre dhe do t’i ndiqnin shembujt e tyre”, thotë Muhamedori.

Për të, kryerja e ritualit Nashrah për vajzën e tij, është një kontribut i vogël për të ndryshuar traditat e vjetra, që vazhdojnë t’i diskriminojnë gratë afgane.

“Të kesh vajzë, është bekim i Perëndisë dhe të përmbush me një lumturi të veçantë në jetë. Vajzat janë burim i dashurisë dhe dhurata më e ëmbël që mund ta marrë një baba”, thotë ai. (v.t.)
XS
SM
MD
LG