Ndërlidhjet

logo-print

Blloku opozitar, lojë apo nevojë?


Menduh Thaçi

Menduh Thaçi

Analistët politikë nuk shohin perspektivë në jetësimin e nismës së liderit të Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, për krijimin e një fronti të përbashkët opozitar, siç ka theksuar ai, për t’i luftuar politikat diskriminuese të pushtetit ndaj qytetarëve shqiptarë.

Alajdin Demiri, politikolog, duke pasur parasysh lojtarët në skenën politike, thotë se kjo nismë i ngjan një lojë politike, ose më mirë thënë, një nevoje të brendshme që të shprehen se janë të gatshëm për bashkëpunim, por janë të tjerët ata që e refuzojnë.

“Duke i njohur aktorët, të cilët pothuajse të gjithë kanë dalë nga një parti e vetme, edhe atë kanë dalë jo për arsye të dallimeve politike, por për hire dhe kapriço personale, kjo nuk më lë të besoj se edhe kjo thirrje do të prodhojë diçka tjetër, përpos se do t’i rrisë dallimet mes partive politike opozitare”, thotë Demiri.

Ndryshe, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare deklaron se është i hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë tjera opozitare, madje duke shtuar se ai personalisht do të dërgojë oferta me shkrim për bashkëpunim me opozitën shqiptare.

Në këtë drejtim, duke sqaruar idenë e krijimit të një fronti të fuqishëm opozitar, Ziadin Sela, sekretar për informim i PDSH-së, thotë:

Ky front i përbashkët opozitar është nevojë e situatës së krijuar politike, si dhe tregon pozitën e rëndë, në të cilën ndodhen shqiptarët. Shumica këtë thirrje e kuptojnë si luftë ndaj BDI-së, por intenca reale e krijimit të këtij fronti assesi nuk e ka këtë për qëllim, por realizimin dhe qëllimin e interesave, të cilat me vite parashtrohen nga qytetarët shqiptarë”, bën të ditur Sela.

Sekretari Sela nënvizon se në tryezën e bisedimeve me partitë tjera në opozitë do të shtrohet marrëveshja e re politike si ofertë për që do të çojë kah zgjidhja e tensioneve ndëretnike, njëherësh dhe zhbllokimi i procesit euro-atlantik të vendit.

Në emër të kësaj platforme, pra marrëveshjes së re politike të ofruar nga PDSH-ja, i ftojmë të gjithë ata, të cilët mendojnë se situata politike e shqiptarëve është e palakmueshme dhe kërkojmë që njëherë e përgjithmonë të zgjidhen çështjet e hapura, të cilat i tangojnë shqiptarët”, thekson Sela.

Partia tjetër parlamentare në opozitë, Rilindja Demokratike Kombëtare, nuk ka parapëlqen të komentojë me saktësi lidhur me ofertën e PDSH-së, duke theksuar se betejën ndaj politikave diskriminuese të Qeverisë, do ta zhvillojë në Parlament.

Sa kam informata, deri më tani një ofertë e këtillë nga PDSH-ja, nuk ka arritur në partinë tonë, por nëse do të kemi një ofertë të tillë, ne do të përgjigjemi pozitivisht në drejtim të debatit dhe në drejtim të ballafaqimit të argumenteve për një bashkëpunim duke respektuar paraprakisht edhe programet respektive edhe argumentet reciproke”, thotë lideri i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Rufi Osmani.

Ndërkaq, LSDM-ja thotë se është duke i konsoliduar radhët e veta me ç’rast në të ardhmen do të merret vendim se në ç`formë do t’i bëhet ballë politikës izoluese për Maqedoninë, në krye me kryeministrin Nikolla Gruevski.

“Ne tani jemi në një fazë ku preket impulsi i të gjitha partive politike opozitare rreth idesë së formimit të një blloku opozitar, por ende nuk ka asgjë konkrete”, shprehet nënkryetari i LSDM-së, Gordan Georgiev.

Lidhur me këtë, analisti politik, Alajdin Demiri, vlerëson se opozita aktuale me stafin udhëheqës të saj, nuk ka kapacitet t’u bëjë ballë sfidave të politikave shtetërore.

“Një opozitë e tillë me gjasë nuk krijohet, gjithsesi edhe në të ardhmen nuk do të krijohet. Duhet njëherë të ndërrojë konstalacioni i forcave politike, ose duhet të reformohen vërtet partitë politike. Atëherë kjo dhe mund të ndodhë”, vlerëson analisti Demiri.
XS
SM
MD
LG