Ndërlidhjet

Shqipëri: Raste të reja, por jo dhe nevojë për panik


Ilustrim
Ilustrim
Në vitin 2011 u shënuan 65 raste të reja të personave të infektuar nga virusi HIV-AIDS. Një shifër që për ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, është një statistikë për vëmendje te problemi, por jo për alarm, në raport me përmasat e të prekurve në vende të tjera.
Shqipëria vazhdon të jetë, jo sipas përcaktimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, por sipas përcaktimeve të organizmave të Kombeve të Bashkuara, një vend me prevalencë të ulët.



“Shqipëria vazhdon të jetë, jo sipas përcaktimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, por sipas përcaktimeve të organizmave të Kombeve të Bashkuara, një vend me prevalencë të ulët. Kapacitetet detektuese tonat janë rritur shumë. 16 qendrat e këshillimit dhe testimit vullnetar funksionojnë në të gjithë vendin, si asnjëherë më parë. Kontrollet e gjakut janë nga më të thelluarat. Numri total në Shqipëri është 470 raste në 20 vjet, flet vetë”, thotë Vasili.

Zonja Teuta është përfaqësuese e shoqatës shqiptare të personave që jetojnë me HIV-AIDS, ajo është vetë një e prekur nga ky virus e diagnostikuar vite më parë. Zonja Teuta thotë se një zhvillim më të qartë rreth fenomenit, përmasës shqetësuese ose jo të tij, do të jepte një punë më mirë me statistikat.

“Ato 46 raste që patëm vitin e kaluar, sa numër personash të testuar ishin, dhe do të doja të bënim të njëjtin krahasim edhe sivjet. Pra, sa është numri i personave të testuar që doli edhe kjo shifër. Do të ishte më me vlerë që të punonim në këtë drejtim që të shikonim vërtet dhe të punonim për fenomenin”, shprehet zonja Teuta.

Por, shifrat zyrtare janë një pjesë e realitetit. Për zonjën Teuta duhet punuar me informimin dhe nxitjen për diagnostikim vullnetar të popullsisë së përgjithshme, e cila në raport me fenomenin, ndodhet më në rrezik, sesa grupet e riskut.

Ne punojmë qoftë me pacientët tanë, qoftë me grupet e riskut, qoftë me komunitetin e homoseksualëve, me punonjëset komerciale të seksit, me komunitetin rom, me përdoruesit intravenoz të drogës. Ajo që ne ende po çalojmë është informimi dhe edukimi, dhe fushatat masive në popullatën e përgjithshme, sepse ajo që vërehet është që rastet që vijnë janë nga popullata e përgjithshme", tregon zonja Teuta.

Pamje nga Tirana (foto nga arkivi)
Pamje nga Tirana (foto nga arkivi)
​Për ministrin Vasili s’ka vend për panik kur flitet për raste të paidentifikuara, gjithsesi hipotetike, të pranisë së virusit, te popullsia e përgjithshme.

“Gjithmonë ka një kontingjent të fshehur të rasteve, të cilat, të jemi objektivë dhe të mos e mitizojmë, është problemi i të gjitha sëmundjeve të botës. Nuk është se ka vetëm raste me HIV-AIDS, të cilat nuk njihen, por ka njerëz me hipertonime që nuk e dinë veten e tyre, kemi raste të njerëzve me kancer që nuk e dinë veten e tyre. Pra, arsyet për mosshkuarje mund të jenë arsye objektive. Kështu që ndodh nganjëherë që komunikimi dhe ekzaminimi është i rastësishëm”, thekson Vasili.

Të prekurit nga HIV-AIDS, krahas ngarkesës së fortë psikologjike që duhet të përballojnë për shkak të prekjes nga një sëmundje e pashërueshme, por jo e patrajtueshme, duhet të përballen shpesh me presionin e fortë shoqëror ndaj tyre.

Shpesh opinioni publik është shumë ndëshkues, gati-gati persekutues, me një të prekur nga HIV-AIDS. Ministri thotë se në Shqipëri funksionon shumë mirë mekanizmi i ruajtjes së anonimatit.

“Sigurisht ka në vend një legjislacion, i cili privatësinë e garanton në mënyrë të plotë. Së dyti, qendrat e testimit vullnetar e garantojnë këtë dhe nuk ka asnjë rast të tillë të raportuar në media ku dikush dhe të dhënat e tyre personale të kenë dalë pa dashjen e tij në publik”, shprehet Vasili.

Por, raportet mes opinionit publik dhe të prekurve me HIV kanë evoluar.
Një fakt që e mbështet zonja Teuta, e cila ka zgjedhur që kryesisht në komunikimet mediatike të mos identifikohet me emrin e saj të vërtetë, pasi, siç thotë, ende në Shqipëri kjo cilësohet një sëmundje turpi:

Nuk mund të themi që është e njëjta situatë, me të cilën jemi përballur vite më parë, por akoma shkalla e informacionit është shumë e ulët, akoma diskriminimi dhe mënyra sesi i shikojnë dhe si e trajtojnë këtë grup personash, është akoma shumë i lartë".

"Gjithmonë vazhdohet me atë etiketimin e të quajturit një sëmundje turpi, për shkak të njërës nga rrugët e transmetimit që është ajo seksuale. Për mendimin tim, në opinionin tim është e gabuar, sepse ti nuk mund ta gjykosh dikë pse krijon lidhje apo afërsi me dikë tjetër, ngase në fund të fundit këto marrëdhënie janë të bazuara te ndjenja dhe te dashuria. Ky është një koncept antinjerëzor, nëse do ta quanim kështu”.
XS
SM
MD
LG