Ndërlidhjet

Decentralizimi ka ngecur në veri


Mitrovicë
Mitrovicë
Formimi i komunës së re të Mitrovicës së veriut dhe decentralizimi i pushtetit në tri komunat veriore, nga autoritetet ndërkombëtare dhe ato vendore në Kosovë shihen si procese të dobishme për fillimin e zbatimit të Planit të Ahtisarit edhe në këtë pjesë të Kosovës.

Ndonëse decentralizimi në veri ka ngecur për tre vjet krahasuar me komunat tjera, autoritetet shpresojnë që përmes marrjes nën kontroll të pikave doganore 1 dhe 31 në kufi me Serbinë dhe zbatimit të marrëveshjeve që kanë dalë si rezultat i dialogut Prishtinë – Beograd, edhe veriu do t’i nënshtrohet sistemit legal kushtetues dhe rrjedhimisht edhe decentralizimit.

Piter Feith
Piter Feith
Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, Piter Feith, në rolin e mbikëqyrësit të zbatimit të Planit të Ahtisarit, inkurajoi qeverinë të mos zmbrapset, por të shtrijë autoritetin e vet në veri.

“Strukturat paralele institucionale janë duke operuar në gjithë Kosovën jashtë Pakos së Ahtisarit dhe në kundërshtim me kornizën ligjore të Kosovës. Këto struktura duhet të bëhen relevante”, tha Feith, duke iu referuar strukturave paralele serbe, të cilat nuk e njohin shtetin e Kosovës.

Ndërsa u shpreh i inkurajuar me përparimet e bëra në komunat e reja me shumicë serbe në pjesët qendrore dhe lindore të Kosovës, ai rikujtoi sfidat në tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Ka shumë gjëra që kanë ndryshuar në veri dhe tani po ballafaqohemi me një realitet të ri, të krijuar më 25 korrik, nga i cili nuk mund të ketë kthim prapa”, tha Feith.

Situata e sigurisë në veri mbetet jo e mirë, shtoi ai, kurse rezultatet e dialogut Prishtinë – Beograd “kanë demonstruar një përparim, por ato duhet të zbatohen”.

Hashim Thaçi
Hashim Thaçi
Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se për tre vjet të zbatimit, decentralizimi i ka dhënë rezultatet e veta.

Efekti më i madh i decentralizimit, sipas Thaçit, është pikërisht integrimi i komunitetit serb në komunat e banuara me shumicë prej tij. Megjithatë, Thaçi u ndal në sfidat e këtij procesi në veri, ku jo vetëm decentralizimi, por edhe vetë shtrirja e pushtetit të shtetit të Kosovës është sfiduar dhe pamundësuar nga strukturat ilegale të pushtetit, të cilat nuk e njohin shtetin e Kosovës.

“Kjo qasje e ndjekur deri më tash në tërë Kosovën, duhet të vazhdojë edhe në komunat në veri, në mënyrë që të gjithë qytetarët e Kosovës të ndihen të barabartë, ta ndjejnë ofertën përkrahëse të Qeverisë së Kosovës, të integrohen dhe ta ndjejnë Kosovën si shtëpi të tyre”.

“Kosova me komunat e reja, me gjithë qytetarët e saj, shoqërinë shumetnike, si shtet unik, do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s”,
u shpreh Thaçi.

Edhe kryesuesi i grupit ndërministror për decentralizim, zëvendëskryeministri dhe ministri i Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, tha se do të vazhdohet të punohet që edhe në veri decentralizimi të shënojë progres, sikur në pjesët tjera të Kosovës.

“Decentralizimi, në fakt, nënkupton zhvillimin e komunës në shumë aspekte, përfshirë këtu shëndetësinë, arsimin, infrastrukturën dhe shërbimet publike, si dhe përfitimet që veriu i Mitrovicës i siguron përmes Pakos së Ahtisarit”, tha Petroviq.

Decentralizimi përbën një prej fushave me prioritet në zbatimin e Planit të ish-emisarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, me të cilin, më 17 shkurt, 2008, edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, në koordinim me Uashingtonin dhe shtetet më të fuqishme evropiane.

Lexoni edhe këtë:
Decentralizimi në veri, peng i bisedimeve
XS
SM
MD
LG