Ndërlidhjet

Mbështetet sovraniteti i Kosovës


Uashington, 14 dhjetor 2011.
Uashington, 14 dhjetor 2011.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nënshkruan në Departamentin e Shtetit një marrëveshje për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Në komentet e saj, pasi foli për rëndësinë e marrëveshjes, zonja Klinton përsëriti mbështetjen e fuqishme për sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës.

"Ashtu siç kam bërë vazhdimisht, në emër të SHBA-së, kam shprehur mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme të vendit tonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës".

"Presidenti Obama dhe unë jemi të përkushtuar që të sigurojmë se e ardhmja që Kosova po mundohet ta krijojë, është jashtëzakonisht e rëndësishme së pari për njerëzit e Kosovës, por po ashtu edhe për njerëzit e rajonit",
tha Klinton, e cila shprehu mbështetjen amerikane edhe për "integrimin e vazhdueshëm të Kosovës në Bashkimin Evropian".

Marrëveshjen e nënshkruar në Departamentit amerikan të Shtetit, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e quajti një akt të fuqishëm simbolik, që flet "për marrëdhëniet e forta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara".

"Kjo marrëveshje mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve te Bashkuara të Amerikës është edhe një testament për përkushtimin tonë ndaj tolerancës kulturore dhe multikulturalizmit dhe përqafimit të diverzitetit të pjesëtarëve të shoqërisë sonë, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare apo racore", tha Jahjaga.

Presidentja po ashtu shprehu përkushtimin e institucioneve kosovare për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në lidhje me lejimin e hyrjes së një konvoji me ndihma humanitare nga Rusia për në veri të Kosovës, Jahjaga këmbënguli në "rregullat dhe normat që duhet të respektohen".

"Janë edhe konventat ndërkombëtare dhe ligjet e Kosovës për çështjet e shpërndarjes së ndihmave humanitare. Ne do t'i respektojmë të gjitha konventat ndërkombëtare, Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e administratës në këtë proces", u shpreh presidentja e Kosovës, për çfarë mori edhe mbështetjen e plotë të zonjës Klinton.

Konvoji me ndihma nga Rusia - të dedikuara për serbët në veri - nuk është lejuar të arrijë destinacionin e caktuar, për shkak të mosplotësimit të kritereve të nevojshme, kanë thënë përfaqësues të misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, si dhe zyrtarë nga Doganat e Kosovës.

Sipas autoriteteve kosovare, ndihmat janë të mirëseardhura, por ato duhet t’i nënshtrohen kontrollit doganor, policor dhe shtetëror të Kosovës.

XS
SM
MD
LG