Ndërlidhjet

Reciprociteti po vazhdon...


Ilustrim
Ilustrim
Pavarësisht mocionit për marrjen e masave reciproke në raport me mallrat serbe, të miratuar javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës, shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po realizohen në bazë të marrëveshjes së arritur në muajin shtator, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, për tregtinë e lirë dhe njohjen reciproke të vulave doganore.

Kështu thotë Naim Huruglica, drejtor në Doganat e Kosovës, duke shtuar se nuk ka ndonjë problem sa i përket njohës së dokumenteve të Republikës së Kosovës, nga ana e autoriteteve serbe.

Prodhime kosovare...
Prodhime kosovare...
“Prej ditës që është filluar implementimi i marrëveshjes, eksportet kosovare kanë arritur të shkojnë në Serbi, konform marrëveshjes, me dokumentacionin me të cilin jemi pajtuar dhe e njëjta gjë ndodh me importet nga Serbia. Në shkëmbimet tregtare nuk kemi kurrfarë dallimi”, thotë Huruglica për Radion Evropa e Lirë.

Huruglica tregon se që nga ndërprerja e masave reciproke nga autoritetet kosovare, fuqia eksportuese e Kosovës mbetet në nivel të ulët karshi importit nga Serbia.

“Reciprociteti në termin tregtar ka pasur qëllim vendosjen e kushteve të barabarta për tregtim, por bilanci tregtar nuk mund të përmirësohet, dhe nuk ka qenë kurrë tentimi të përmirësohet përmes vendosjes së ndonjë mase të veçantë, e cila e kufizon. Për shembull, nëse shkojnë dy eksportues apo dy kamionë nga Kosova dhe vetëm dy vijnë nga Serbia, ajo është një çështje krejt tjetër që nuk ka të bëjë me vendosjen e masave që iu patën bërë gjatë verës”, thekson Huruglica.

Prodhime serbe...
Prodhime serbe...
Në anën tjetër, përfaqësues të komunitetit të biznesit asnjëherë nuk janë pajtuar me vendimin e autoriteteve kosovare për ndërprerjen e masave të reciprocitetit me Serbinë, por në situatën aktuale, sipas tyre, është e pamundur të pritet që Kosova të ketë një shkëmbim tregtar të volitshëm me Serbinë.

Safet Gërxhaliu, udhëheqës i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se bashkëpunimi ekonomik Kosovë-Serbi është politizuar në masë të madhe.

I tërë kuptimi i ekspertizës ekonomike e ka humbur peshën vet. Është koha kur duhet të analizohet në mënyrë pragmatike, të gjenden forma të përkrahjes së sektorit prodhues vendor, të ngrihen kapacitetet prodhuese, të rritet konkurrenca dhe tek atëherë mund të bisedohet për një reciprocitet të mirëfilltë që shkon në favor të të dyja palëve”, shprehet Gërxhaliu.

Ndryshe, që nga viti 2008 Serbia kishte bllokuar produktet kosovare, për shkak të ndërrimit të vulave nga të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës.

Mallrat me këtë vulë nuk janë lejuar as transit të kalojnë në territorin e këtij shteti.

Qeveria e Kosovës, më 20 korrik, ka vendosur masa të plota reciproke ndaj produkteve serbe, masa këto që janë ndërprerë më 16 shtator, pasi që Kosova dhe Serbia janë marrë vesh në Bruksel për tregtinë e lirë dhe njohjen reciproke të vulave doganore.

Por, javën e kaluar Kuvendi i Kosovës miratoi mocionin për marrjen e masave të reciprocitetit në raport më mallrat e Serbisë.

Me mocionin e miratuar në Kuvend, Qeverisë i kërkohet marrja e masave reciproke, që nënkupton fushat politike, ekonomike dhe tregtare, duke aplikuar veprime të ngjashme të shtetit të Kosovës për çdo veprim që merr shteti i Serbisë në raport me Kosovën.

Por, zyrtarë të Qeverisë kanë pohuar se reciprociteti me Serbinë tashmë është duke u zbatuar.
XS
SM
MD
LG