Ndërlidhjet

Kazakistan: Situatë e tensionuar


Qindra qytetarë u mblodhën në qendër të Aqtaut, kryeqyteti i provincës perëndimore Manghystau në Kazakistan, në mbështetje të punonjësve të naftës në qytetin e Zhanaozen, ku të premten të paktën 11 vetë u vranë dhe të paktën 80 të tjerë u plagosën në përleshje të dhunshme me policinë.

Korrespodenti i Radios Evropa e Lirë nga Aqtau, raporton që policia me shkopinj gome, mburoja, dhe armë është duke vëzhguar njerëzit e mbledhur në sheshin qendror.

Të shtunën, presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbaev, nxori një dekret për gjendje të jashtëzakonshme dhe një shtetrrethim në Zhanaozen. Në një deklaratë, Nazarbaev akuzoi, siç u shpreh, "huliganët" e organizimit të çrregullimit në masë dhe tha se policia do të hapte zjarr "për të mbrojtur veten, qytetarët dhe për të ruajtur rendin".

Përleshjet në Zhanaozen filluan të premten, pasi autoritetet vendore filluan kremtimet për të shënuar 20-vjetorin e pavarësisë së Kazakistanit në sheshin qendror, aty ku punonjësit e naftës kanë protestuar që nga muaji maj për të kërkuar rritje të pagave, të drejta të barabarta me punonjësit e huaj, dhe të drejtat e sindikatave të pavarura të punës në rajon.

Protestuesit e zemëruar i vunë zjarrin një skene të koncertit dhe pemës së Vitit të Ri në sheshin qendror. Gjithashtu, u dogjën edhe ndërtesat e administratës së qytetit, një hotel, dhe zyrat e kompanisë së naftës OzenMunaiGaz.

Dekreti i lëshuar nga Nazarbaev vendos masat e sigurisë nga 17 dhjetori deri më 5 janar. Ky dekret u shoqërua edhe nga një njoftim zyrtar se situata në Zhanaozen ishte plotësisht nën kontroll.

Ndërkohë, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Kazakistanit njoftoi se të shtunën, siç thanë ata, "huliganët" u përleshën me policinë në stacionin hekurudhor të Shetpes në rajonin e Manghystaut.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, një 25-vjeçar u vra dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në këtë përplasje.

Një banor lokal, i cili e dha emrin e tij vetëm si Bauyrzhan, i tha Radios Evropa e Lirë me telefon të shtunën, se dhjetëra qytetarë kanë bllokuar stacionin hekurudhor në Shetpe, duke protestuar të shtënat e së premtes në drejtim të demonstruesve në Zhanaozen. Ndërsa, rreth orës 18:00 të shtunën, forcat e sigurisë arritën në stacionin e Shetpes për të shpërndarë protestuesit, e rreth orës 20:00 filluan edhe përleshjet.

Protestuesit që bllokuan hekurudhën refuzuan të dilnin nga zona dhe përleshjet filluan. Unë tani jam në spital. Një burrë 25-vjeçar u qëllua në kokë dhe vdiq. Tetë burra u plagosën dhe numri i të plagosurve është në rritje", tha Bauyrzhan të shtunën.

Zëvendës-shefi i klinikës rajonale në Manghystau, Nurlan Muqanov, tha për Radion Evropa e Lirë të dielën se numri i përgjithshëm i pacientëve të plagosur që ishin sjellë në spital që kur filluan trazirat nga e premtja, është 38.

Një nga personat në spital vdiq nga plagët e marra. Ndërsa, Muqanov refuzoi të japë më shumë hollësi në lidhje me këtë person.

Udhëheqësit e opozitës dhe aktivistët e Kazakistanit kërkuan një hetim të pavarur për situatën e krijuar. Udhëheqësi i opozitës dhe ish-senatori Zauresh Batalova u tha gazetarëve të shtunën se autoritetet e Kazakistanit ishin përgjegjëse për incidentet:

"Në vend që të kujdesen për të drejtat e njeriut dhe trajtimin e problemeve të njerëzve në mënyrë të ligjshme, autoritetet përdorën forcën, dërguan trupa, gjë që tregon se autoritetet tona nuk janë të afta për të punuar në mënyrë të ligjshme. Kjo tregon se autoritetet tona plotësisht po e injorojë parimin e sundimit të ligjit dhe po veprojnë vetëm duke përdorur forcën. Ky lloj autoriteti nuk mund të udhëheqë një vend që pretendon se bazohet në ligje", tha Batalova.

Gazetarët që arritën të dielën në kryeqytetin rajonal Aqtau, nuk u lejuan të udhëtojnë për në Zhanaozen, ku trupat shtesë të sigurisë dhe automjete të blinduara u dërguan të premten dhe të shtunën.

Lidhjet telefonike me Zhanaozenin, duke përfshirë edhe telefoninë mobile, u ndërprenë që nga e premtja.(e.b.)
XS
SM
MD
LG