Ndërlidhjet

Ndërroi jetë Kiro Gligorov


Kiro Gligorov
Kiro Gligorov
Ka ndërruar jetë Kiro Gligorov, presidenti i parë maqedonas i zgjedhur në mënyrë demokratike.

Zyra e Gligorovit ka bërë të ditur se presidenti i dikurshëm ka ndërruar jetë në gjumë, në shtëpinë e tij në Shkup, në pasditen e djeshme.

Ai kishte shërbyer dy mandate në vitet e 90-ta, kur vendi u pavarësuar nga Jugosllavia.

Ai ishte zgjedhur president në janar të vitit 1991, në kohën kur vendi ishte ende republikë jugosllave.

Ai udhëhoqi qytetarët drejt referendumit, në të cilin ata votuan për pavarësi. Maqedonia ishte republika e vetme që u shkëput nga Jugosllavia pa luftë.

Gligorov ishte ri zgjedhur për një mandat të dytë në vitin 1994. Një vit më vonë, ai ishte lënduar rëndë nga një shpërthim bombe në veturë.

Si gjatë kohës sa ka mbajtur funksione politike, ashtu edhe më vonë, Gligorov ka qenë politikani më me renome në Maqedoni.

Pas trazirave të para në ish Jugosllavi, ai kërkoi nga të gjithë ushtarët maqedonas, që të tërhiqen nga Armata Jugosllave, ndërkaq me gjeneralin Bllagoje Axhiq, ra dakord për tërheqje paqësore të njësive të armatës jugosllave nga Maqedonia.

Si dëshmitar i rënies së ish Jugosllavisë, dhe pjesëmarrës në të gjitha marrëveshjet e akterëve të atëhershëm politikë, Gligorov ndër të tjera pat thënë për Radion Evropa e Lirë:

Nëse merret parasysh jo vetëm kjo periudhë e Jugosllavisë, por edhe ajo që nga Kushtetuta e vitit 1974, nëse dikush e vështron tërë këtë proces apo përpjekjen për krijimin e federatës jugosllave, atëherë mund të vërejë dy-tri gjëra. Së pari, që në fillim ka pasur konflikt, sepse ka pasur përpjekje të një populli të dominojë ndaj tjetrit apo të marrëveshjeve të dy popujve për të qeverisur Jugosllavinë”.

Neve na qe mohuar e drejta kombëtare, sikur edhe shqiptarëve që i quanin ‘shiptari’, ata kanë qenë në të njëjtin pozicion si ne. Kroatët gjithnjë janë ndjerë në atë shtet se nuk kanë të drejta të barabarta si serbët. Bosnja kishte traumat e saj se si t’i qetësonte kontradiktat e brendshme, edhe pse ajo deri në fund është angazhuar për të gjetur ndonjë modus për ruajtjen e Jugosllavisë, sepse ajo e kishte më së vështiri që të përcaktohej në raport me Kroacinë apo Serbinë”, pat thënë Gligorov.

Kiro Gligorov, që ndërroi jetë në moshën 94 vjeçare, do të varroset më 3 janar në varrezat e qytetit në Shkup. Dëshira e tij e fundit ishte që të varroset vetëm nga rrethi familjar.(a.i.)
XS
SM
MD
LG