Ndërlidhjet

Kahet e referendumit



Analistët e çështjeve politike në Kosovë kanë pikëvështrime të ndryshme lidhur me paralajmërimet e udhëheqësve të serbëve të veriut të Kosovës për mbajtjen e një referendumi kah mesi i muajit shkurt të këtij viti.

Sipas këtyre paralajmërimeve, serbët përmes referendumit do të deklarohen nëse i pranojnë ose jo institucionet e Republikës së Kosovës.

Bazuar në kundërshtimet të cilat këtij referendumi ia kanë bërë autoritetet në Prishtinë dhe ato në Beograd, ndonëse me qasje të ndryshme, analisti Imer Mushkolaj, vlerëson se mbajtja eventuale e referendumit nuk do të ketë ndonjë ndikim në zgjidhjen e çështjeve, të cilat janë problematike në veri të Kosovës.

Unë nuk besoj se një çështje tillë do të mund të ketë ndonjë ndikim në aspektin legal, për arsye se Prishtina zyrtare, por as faktori ndërkombëtar nuk janë të interesuar që një gjë e tillë të ndodhë, respektivisht, që përmes një forme të tillë të zgjidhet çështja e veriut. Ndërkaq, sa i përket Beogradit, konsideroj se veprimi i tillë i serbëve të veriut, për organizimin e një referendumi, më tepër do t’i konvenoj partive opozitare, të cilat edhe do ta përdorin në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e sivjetme atje”.

Por, analisti Krenar Gashi, paralajmërimet për mbajtjen e referendumit në veri të Kosovës i sheh si manovrim apo një blof politik të vet kryetarit të Serbisë Boris Tadiq.

Ai vlerëson se vet kundërshtimet, të cilat qeveria serbe dhe kryetari serb kanë shfaqur ndaj referendumit, janë një argument më shumë për të besuar se autoritetet serbe po përpiqen që ta vënë në funksion skenarin e ngjashëm dhe lojën politike që kohë më parë ka ndodhur në Republikën Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Të njëjtën gjë, kryetari Tadiq dhe Qeveria e Serbisë, janë duke e bërë edhe me veriun e Kosovës, duke u thënë apo duke i inspiruar, duke i paguar, serbët lokalë dhe strukturat paralele, që të mendojnë dhe nisin një ide si kjo e referendumit, Në të njëjtën kohë, duke e përqeshur apo duke e dekurajuar atë, publikisht, në mënyrë që të fitojnë poenë karshi partnerëve evropian. Ndërsa, unë personalisht, nuk besoj se do të ketë realizim të këtij referendumi. Është më shumë një farsë apo një lojë politike”, shprehet Gashi.

Ndryshe, mbajtja eventuale e referendumit të paralajmëruar nga serbët e veriut, sipas analistit Mushkolaj, nuk pritet që të shkaktojë ndonjë destabilizim.

Por, megjithatë, siç thotë ai, institucionet e Kosovës duhet të jenë maksimalisht të kujdesshme.

Prapë se prapë, konsideroj që organizimin e referendumit duhet parë në njëfarë forme si ‘thikë me dy tehe’. Serbët e veriut do të përpiqen që përmes këtij referendumi të marrin një përgjigje nga shumica e popullatës atje – e kam fjalën për përgjigje pozitive për ta – pra, kundërshtim për institucionet e Prishtinës".

"Por, në anën tjetër, ata do të mund ta shfrytëzojnë këtë referendum edhe si një lloj arsyetimi për çfarëdo qoftë që do të mund të vendoset për veriun, në të ardhmen. Pra, për çfarëdo lloj rrjedhje të ngjarjeve që do të mund të presim në veri, në të ardhmen”, thotë Mushkolaj.

Analisti Gashi shpreh mendimin se paralajmërimi për referendumin është një orvatje më shumë e Serbisë, në rrafshin, siç e çuan ai, shumëdimensional, të bërjes së politikave karshi Kosovës.

Kjo ide për referendum në veri të Kosovës korrespondon në mënyrë të përpiktë me një politikë shumëdimensionale të Serbisë. Pra, Serbia po përpiqet që karshi Kosovës t’i mbajë të gjitha opsionet të hapura, në mënyrë që, në fund, të përfitoj sa më shumë, varësisht prej opsioneve tona”.

Kjo i shkon shumë për shtati, sidomos, kur kemi parasysh faktin që politika e Republikës së Kosovës karshi Serbisë është një ‘politikë segmenti’. Në e kemi një qasje të vetme, të caktuar dhe të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, që është qasja e bisedimeve. Përderisa në e kemi vetëm një qasje, kjo qasje e shumëfishtë e Serbisë, kam frikë se do të rezultojë me një rezultat më pozitiv për Serbinë”, shprehet ai.

Sidoqoftë, zyrtarët e lartë të Kosovës kanë theksuar se mbajtjen eventuale të referendumit do ta trajtojnë si ilegale, ndërkaq që rezultati i një referendumi të tillë nuk do të merret parasysh.

Por, Krenar Gashi ka theksuar se ideja e referendumit e forcon edhe më shumë pozitën e serbëve të veriut, e sidomos të strukturave paralele, duke mëtuar që veriun e Kosovës ta bëj problem ndërkombëtar.


Referendumi lëkund euro-integrimin e Serbisë


Përderisa për serbët e veriut të Kosovës, referendumi i paralajmëruar nuk ka për qëllim të minojë rolin e Beogradit zyrtar, ndërsa përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë thonë se ai nuk do të ndikojë në thellimin e hendekut midis Beogradit dhe komunitetit serb në veri, analistët në Serbi besojnë se efekt i referendumit do të jetë zbehja e besueshmërisë së Beogradit, si në raport me veriun e Kosovës, ashtu edhe me Brukselin.

I pyetur se cili është qëllimi i këtij organizimi dhe çfarë pasojash mund të ketë, shefi i Zyrës për Informim në Qeverinë e Serbisë, Millivoje Mihajlloviq, jep këtë përgjigje për Radion Evropa e Lirë:

Referendumin që po paralajmërohet në katër komuna të veriut të Kosovës, e konsiderojmë të panevojshëm, sepse përgjigjen e pyetjes së tij e dinë të gjithë. Vlerësojmë se ky referendum nuk mund t’i kontribuojë zgjidhjes së problemeve në Kosovë, andaj edhe nuk ka shumë kuptim në këtë moment”.

Përfaqësuesi serb i veriut, Radenko Nedelkoviq, mendon ndryshe. Sipas tij, referendumi do të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve praktike dhe nëse shkakton probleme me Beogradin, “ato do të kapërcehen”.

Incidenti i fundit me rastin e vizitës së presidentit Tadiq në Deçan, gjuajtja me gurë e makinës së tij, tregon se shqiptarëve u pengon gjithçka që është serbe. Për këtë arsye, ne duam që serbët e veriut të Kosovës të tregojnë çfarë në të vërtetë duan. Nisur nga fakti se atje ku nuk ka institucione të Serbisë nuk ka as serbë, mendoj se në këtë mënyrë ne do t’i ndihmojmë Qeverisë në Beograd që t’i ruajë institucionet e Republikës së Serbisë në ato hapësira”, shprehet Nedelkoviq.

Këmbëngulja në referendum vlerësohet se shpreh mosbesimin e serbëve të veriut te Beogradi.

Sipas Dushan Janjiqit, koordinator i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, qëllimi i referendumit është thellimi i hendekut ndërmjet Qeverisë serbe dhe lidershipit serb në veri të Kosovës, i cili “vjen nga radhët e opozitës dhe do ndryshimin e ekzekutivit të Serbisë”.

Referendumi hyn në ambientin parazgjedhor dhe qëllim parësor ka të ndryshojë qeverinë, të rrëzojë Tadiqin dhe jo të vijë deri te pavarësia, përkatësisht autonomia e veriut të Kosovës”, shprehet i bindur Janjiq.

Ai madje thotë se referendumi do të ketë edhe efekte të tjera. Sipas tij, ide të ngjashme mund të përhapen edhe në jugun e Serbisë, të banuar me shumicë shqiptare. Janjiq thotë se as integrimi evropian i Serbisë nuk do të kursehet nga pasojat negative të referendumit në fjalë.

Sidomos tani do të provokohet Gjermania, e cila ka deklaruar qartë se institucionet paralele duhet të hiqen nga veriu. Andaj, reagimi i parë që duhet të presim është se nuk do të ketë asgjë nga konfirmimi për statusin e kandidatit”, thotë Janjiq.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë vizitës që i ka bërë Serbisë në gushtin e kaluar, ka kërkuar nga autoritetet serbe të shuajnë strukturat paralele në Kosovë, si kusht për avancimin e tyre në rrugën euroatlantike.

Referendumi i ashtuquajtur i veriut është paralajmëruar të mbahet më 14 dhe 15 shkurt në Mitrovicë, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Ai, siç është thënë, ka për qëllim të qartësojë vullnetin e serbëve për të lejuar ose moslejuar shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në veri të vendit.

Thirrjeve të zyrtarëve të Kosovës dhe të Serbisë për heqje dorë nga referendumi, të mërkurën u është bashkuar edhe Zyra Civile Ndërkombëtare në Prishtinë.(v.t.)
XS
SM
MD
LG