Ndërlidhjet

Riintegrimi, kriter i përmbushur?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Institucionet qendrore dhe ato të nivelit lokal, thuhet se kanë arritur të përmbushin të gjitha kriteret e nevojshme për fillimin e dialogut për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian.

Një ndër kriteret e kërkuara është edhe riintegrimi i personave të riatdhesuar nga shtetet e Bashkimit Evropian.

Autoritete kosovare janë në fazën përmbyllëse të nënshkrimit të marrëveshjeve për riintegrimin e personave të riatdhesuar me të gjitha vendet e BE-së, thotë Ibrahim Gashi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme.

...sa i përket kriterit të marrjes se përgjegjësisë për riatdhesimin e personave që duhet të kthehen, Ministria e Punëve të Jashtme ka fasilituar procesin e nënshkrimit të marrëveshjeve.
Kemi shumicën e vendeve të BE-së, pastaj kemi nënshkruar marrëveshje edhe me vendet e rajonit, siç është Mali i Zi. Kështu që sa i përket kriterit të marrjes se përgjegjësisë për riatdhesimin e personave që duhet të kthehen, Ministria e Punëve të Jashtme ka fasilituar procesin e nënshkrimit të marrëveshjeve. Normal, këto marrëveshje bëhen edhe më ministritë tjera përkatëse, ku është e kyçur edhe Ministria e Punëve të Brendshme”, bën të ditur Gashi.

Edhe Fisnik Rexhepi, këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë për Radion Evropa e Lirë, se nga vlerësimet e bëra të komisioneve përkatëse të BE-së është thënë se Kosova ka arritur progres në këtë drejtim.

Pa dyshim se po, mund të them që Komisioni Evropian në të gjitha raportet, por mund të them se në raportin e shtatorit të vitit të kaluar, është theksuar se mekanizmat qeveritarë si në nivel qendror, po ashtu edhe në atë lokal, kanë kapacitete për t’i riintegruar personat e riatdhesuar. Dhe ky proces po ecën mirë”, shprehet Rexhepi.

Ai thotë se gjatë një viti në Kosovë kthehen rreth 5 mijë persona, dhe që autoritetet kompetente, siç thotë ai, po realizojnë projekte jo vetëm për akomodimin e tyre dhe asistencë emergjente, por po krijojnë projekte për punësim të qëndrueshëm.

Qeveria e Republikës se Kosovës, ka ndarë fonde të mjaftueshme për riintegrimin e personave të riatdhesuar.
Qeveria e Republikës se Kosovës, ka ndarë fonde të mjaftueshme për riintegrimin e personave të riatdhesuar. Ne kemi ndarë fonde për vitin e kaluar dhe për tri vjetët e ardhshme, 3.5 milionë euro, për riintegrimin e personave të riatdhesuar. Dhe kjo nga ana e ekspertëve është konsideruar si e mjaftueshme për riintegrimin e personave të cilët riatdhesohen çdo vit në vend”, thotë Rexhepi.

Por, monitoruesit e procesit të kthimit dhe riintegrimit të personave të kthyer në Kosovë, nga vendet e Bashkimit Evropian nuk janë të kënaqur më punën e deritashme të autoriteteve kompetente sa i përket këtij procesi.

Naim Osmani, drejtor ekzekutiv në Qendrën për të Drejtat Civile - konsideron se ky proces është i mbuluar me infrastrukturë të duhur ligjore, porse gjendja në terren sipas tij, mbetet me shumë probleme.

Ai madje thotë se shumë persona të riatdhesuar, pas qëndrimit disa ditësh në Kosovë, për shkak të kushteve të vështira socio-ekonomike, po gjejnë forma alternative, për t’u kthyer në shtetin nga kanë ardhur .

Çështja mund të shikohet në dy aspekte: në aspektin legjislativ, në aspektin e strategjive, dokumenteve tjera është punuar mjaftë, ka pasur mjaft angazhime. Por, problemi më i madh qëndron në implementimin e tyre. Ka probleme në terren, pasi të gjitha këto që janë të parapara më strategjinë për riatdhesim, nuk mund të zbatohen, qoftë për shkak të mos koordinimit të duhur, qoftë për shkak të problemeve financiare”, thekson Osmani.

Sidoqoftë, riatdhesimi, riintegrimi i personave të riatdhesuar, menaxhimi i integruar i kufijve, siguria e dokumenteve të udhëtimit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, vlerësohet të jenë kushtet kryesore të cilat duhet të përmbushen nga pala kosovare lidhur me liberalizimin e vizave.
XS
SM
MD
LG