Ndërlidhjet

WP: Mësimet për Afganistanin nga Vietnami


Afganistan...
Afganistan...
"Washington Post"

Shkruan: Xhejms Dobins, ish diplomat amerikan


Në vitin 1968 e fillova jetën time në diplomaci si një ndihmës i diplomatëve Avirel Harimen dhe Sajrus Vens, të cilët udhëhiqnin biseda paqësore me vietnamezët veriorë në Paris.

Tridhjetë e katër vjet më vonë, e përfundova atë karrierë si i dërguari i parë special i administratës së Xhorxh W. Bushit në Afganistan, i caktuar disa javë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Sikur Riçard Hollbruku, në atë kohë koleg imi në delegacionin e Parisit dhe pasardhësi im i mëvonshëm si i dërguar në Afganistan, isha nën ndikimin e paraleleve të të dy luftërave dhe dy proceseve paqësore, i pari prej të cilëve përfundimisht u mbyll me dështim dhe i dyti, i cili posa po merr formë, që në masë të madhe është fryt i përpjekjeve të Hollbrukut dhe pasardhësit të tij, ambasadorit Mark Grosman.

Editoriali aktual në Post (“Duke biseduar me talibanët”), kishte të drejtë të theksojë se preferenca e talibanëve për të bërë negociata me Uashingtonin e jo me Kabulin, është e ngjashme me preferencën e Vietnamit Verior, për të negociuar me Shtetet e Bashkuara, e jo me qeverinë në Sajgon.

Ne të gjithë e dimë se si përfundoi ai proces, me tërheqjen totale të forcave të Shteteve të Bashkuara, me invadimin e vietnamezëve veriorë, me shkatërrimin e rezistencës jugvietnameze dhe me zhdukjen e Vietnamit Jugor.

Presidenti Riçard Nikson dhe sekretari i shtetit, Henri Kisinxher, prej atëherë ishin akuzuar se nga ato negociata synonin jo më tepër se “interval të përshtatshëm” ndërmjet tërheqjes së SHBA-ve dhe shkatërrimit të Vietnamit Jugor.

Gazeta Post ka shprehur ankth se administrata Obama mund të ketë objektiv të ngjashëm.

Kjo është arsye e mjaftueshme për shqetësim, por presidenti Obama, nuk ka bërë asgjë për ta dëshmuar këtë.

Marrëveshjet e vitit 1973, që formalisht e përfunduar Luftën e Vietnamit, nuk u respektuan nga të dy palët, Vietnami Verior dhe Shtetet e Bashkuara; i pari duke e invaduar Jugun, e i dyti duke e ndërprerë ndihmën ushtarake dhe ekonomike, që e kishte premtuar për Jugun, e që e kishin shtyrë Sajgonin t’i nënshkruajë marrëveshjet.

Këto premtime bile e përfshinin edhe përkushtimin e SHBA-ve për ta rifilluar bombardimin e Vietnamit Verior, nëse ai nuk i plotëson kërkesat e nënshkruara.

Përkundrazi, zyrtarë të administratës Obama e kanë bërë të qartë se forcat e Shteteve të Bashkuara do të mbesin në Afganistan pakufi, pasi forcat afgane ta marrin përgjegjësinë për udhëheqjen e operacioneve kryesore luftarake në vitin 2014.

Presidenti Hamid Karzai e ka thënë po këtë gjë.

Zyrtarët amerikanë dhe afganë aktualisht po zhvillojnë negociata për marrëveshjen formale lidhur me këtë çështje.

Disa mund t’i shohin negociatat si një mënyrë të lehtë ose të shpejtë për dalje nga Afganistani, por analogjia vietnameze sugjeron ndryshe.

Bisedat e Parisit patën zgjatur më se pesë vite, ndërsa procesi afgan ende nuk ka filluar.

Gjatë atyre viteve angazhimi i SHBA-ve në Vietnam ishte më i gjerë dhe më i shtrenjtë se angazhimi aktual amerikan në Afganistan, si me gjak ashtu edhe me pasuri.

Gjatë këtyre viteve, kundërshtimi ndaj luftës ishte shumë më intensiv se sa ajo që kemi parë gjatë dekadës së fundit.

Në një gjë dy proceset paqësore janë krejtësisht të ndryshme.

Negociatat vietnameze dolën nga nisma amerikane, në përgjigje të domosdoshmërisë së brendshme politike dhe për shkak të vërejtjeve të përsëritura nga regjimi në Sajgon.

Për dallim, procesi fillestar afgan i ka rrënjët në atë shoqëri, e jo në atë tonën. Hulumtimet e përsëritura të opinionit tregojnë, në masë të madhe, mbështetje në shoqërinë afgane për bisedime paqësore me talibanët.

Në reagim ndaj kësaj, Karzai ka punuar për këtë koncept për vite, ndërsa skepticizmi nga administratat Bush dhe Obama është kapërcyer vetëm gradualisht.

Në vitin 2010 iu bashkova disa ish zyrtarëve në testimin e terrenit për një proces paqësor afgan, me të gjithë pjesëmarrësit potencialë, përfshirë ndërmjetësuesit talibanë.

Konkluduam se koha ishte e drejtë dhe kështu e këshilluam administratën amerikane.

Sigurisht se Shtetet e Bashkuara do të duhet të jenë të përgatitura për ta zbatuar çfarëdo marrëveshjeje që arrihet në bisedime të këtilla. (f. b.)
XS
SM
MD
LG