Ndërlidhjet

Franca miraton “ligjin për gjenocidin”


Senati francez ka miratuar ligjin që konsideron vepër penale çdo mohim të “gjenocidit që kanë vuajtur armenët në duart e turqve otomanë, afro 100 vjet më parë”.

Shkelësit mund të dënohen me një vjet heqje lirie apo edhe me gjobë prej 45,000 eurosh.

Ministri francez për marrëdhënie me parlamentin, Patrik Ollier, u ka folur senatorëve në favor të ligjit, i cili ka shkaktuar mosmarrëveshje diplomatike me Turqinë.

“Mohimi është fyerje e rëndë e kujtesës kolektive që ne ndajmë. Ai i hedh poshtë vuajtjet e njerëzve dhe i bën viktimat të harrohen”, ka thënë Ollier.

Armenia thotë se rreth 1.5 milionë armenë janë vrarë në Turqinë Otomane gjatë Luftës së Parë Botërore, “për shkak të politikës së qëllimshme të gjenocidit”.

Turqia e mohon termin gjenocid, duke thënë se ka humbje të mëdha jetësh nga të dyja palët në Turqinë lindore, në periudhën 1915-1916.

Kur Asambleja Kombëtare e Francës ka miratuar ligjin dhjetorin e kaluar, Turqia ka tërhequr ambasadorin e saj në Paris për konsultime dhe ka pezulluar bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik me shtetin francez.

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutogllu, ka paralajmëruar se Ankaraja do të ndërmarrë masa të reja kundër Francës nëse Senati miraton ligjin.

Ai nuk ka saktësuar masat eventuale, por ka thënë se ligji kërcënon lirinë e shprehjes dhe se miratimi i tij “mund të hapë një epokë të re të hetimeve në Evropë”.

Franca, më 2001, ka njohur si gjenocid vrasjet e armenëve.
XS
SM
MD
LG