Ndërlidhjet

Soros sulmon, Merkel mbrohet


Forumi Ekonomik Botëror vjetor, në pushimoren malore zvicerane, Davos.
Forumi Ekonomik Botëror vjetor, në pushimoren malore zvicerane, Davos.

Forumi Ekonomik Botëror vjetor, në pushimoren malore zvicerane, Davos, ka hyrë në ditën e dytë, ndërsa temë dominante është kriza e borxheve në eurozonë dhe ndikimi i saj global.

Në fjalimin e saj, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se duhet një “mendim i sërishëm i madh” për ta ndihmuar eurozonën dhe ekonominë globale, për t’u ballafaquar me sfidat e reformave strukturore dhe krijimin e vendeve të punës.

Ka pasur thirrje, përfshirë edhe ato nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, që Gjermania dhe shtetet e tjera, ta shtojnë madhësinë e fondit të shpëtimit të Bashkimit Evropian, për vendet e goditura ekonomikisht.

Por, kancelarja Merkel, në fjalimin e saj, ka sugjeruar kujdes, duke bërë thirrje për “një moment reflektimi për atë se çfarë leksionesh janë mësuar nga kriza globale financiare dhe ekonomike”.

Në këtë aspekt, ajo theksoi:

Angela Merkel
Angela Merkel
Ajo që ne nuk duam, është situata ku ne premtojmë diçka, që në fund ne nuk mund ta mbështesim, pasi nëse Gjermania, duke i përfaqësuar të gjitha vendet evropiane, premton diçka, që nuk mund ta mbajë, nëse tregjet sulmojnë ashpër, atëherë Evropa është me të vërtetë e ndjeshme”, tha Angela Merkel.

Sipas saj, reformat e kursimit, që po ndërmerren në vendet evropiane, duhet të jenë të balancuara me reformat e qeverisjes së Evropës.

Filantropisti dhe financieri i njohur, Xhorxh Soros, në fjalimin e tij, të njëjtën ditë, e lansoi një sulm kundër Gjermanisë, duke e cilësuar shtetin me ekonominë më të madhe në Evropë, si “përcaktues i ashpër i detyrave”, në vend të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që synon të imponoj një pikëpamje strikte anti-inflatore në pjesën tjetër të kontinentit.

Në vend të FMN-së, Gjermania po vepron si paraqitës strikt i detyrave, duke imponuar disiplinë fiskale. Kjo do të gjeneroj tensione ekonomike dhe politike, që mund ta shkatërrojnë Bashkimin Evropian”, tha Xhorxh Soros.

Më tutje, zoti Soros u tha gazetarëve se “kursimet që i dëshiron Gjermania, do ta shtyjnë Evropën në deflacion spiral të vdekur”, që do të ketë ndikim në ekonomi dhe në të ardhurat tatimore, duke çuar, në anën tjetër, në rritje të ngarkesës së borxheve, që do të kërkojnë shkurtime të mëtejshme të buxhetit.

Xhorxh Soros, po ashtu, tha se vendet më të dobëta të eurozonës kishin rënë “në statusin e vendeve të botës së tretë”, për shkak se është dashur që pagesën e borxheve ta bëjnë në monedhë të jashtme.

Forumi Ekonomik Botëror në Davos, që zgjatë pesë ditë, me pjesëmarrjen e afro 2600 liderëve politikë dhe të biznesit, mbahet në kohën e vërejtjeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, se ekonomia globale ishte “thellë në zonën e rrezikshme”, ndërsa kriza e eurozonës kërkon aksion urgjent. (f. b.)
XS
SM
MD
LG