Ndërlidhjet

A do të martohesh me mua?


Kush ka të drejtë të martohet? Dhe kush duhet të vendosë – qeveria federale, qeveritë lokale apo opinioni? Këto janë pyetjet që amerikanët kanë bërë me vite të tëra në debatin nëse çiftet e gjinisë së njëjtë kanë të drejtë ligjore të martohen.

Argumentet për dhe kundër prekin disa nga çështjet më përçarëse në shoqërinë amerikane: moralin, fenë, të drejtat e minoriteteve dhe rolin e drejtë të qeverisë. Asnjëra nga to nuk mund ta pretendojnë ende fitoren.

Kur shteti i Nju Jorkut lejoi vitin e kaluar martesat e së njëjtës gjini, mbështetësit e konsideruan këtë fakt si një pikë kthese. Gjashtë shtete dhe Uashingtoni tashmë lejojnë dhe njohin ligjërisht martesat e homoseksualëve. Ky numër mund të dyfishohet këtë vit, pasi gjashtë shtete të tjera po shqyrtojnë çështjen.

Bërja çështje e martesave të homoseksualëve në shumë agjenda legjislative të shteteve, reflekton një ndryshim të madh në qëndrimet e amerikanëve. Jo shumë kohë më parë, shumica e njerëzve e konsideronte martesën e gjinive të njëjta si të çuditshme, e madje edhe jonatyrale.

Por, kjo njollë tashmë është zhdukur kryesisht nga popullariteti në rritje i homoseksualëve, nga filmat dhe programet televizive me çifte homoseksuale, si dhe shfaqja e tyre në jetën politike, atë të biznesit dhe të artit.

Këtë javë, kongresisti tashmë i pensionuar, Barni Grenk, njoftoi se planifikon të martohet me partnerin e tij mashkull. Grenk vjen nga Masaçusets dhe ishte ligjvënësi i parë amerikan që bëri publik homoseksualitetin e tij.

Sipas studimeve të Institutit “Pew” më 2010, amerikanët e rinj janë mbështetësit më të mëdhenj të zgjerimit të të drejtave martesore. Këto të drejta përkrahen edhe nga 40 për qind e njerëzve në moshën 45-65 vjeç dhe nga 30 për qind e pensionistëve.

Shifrat tregojnë se amerikanët kanë nisur të pranojnë argumentin e përkrahur nga mbështetësit e çështjes, sipas të cilit, privimi i çifteve homoseksuale nga statusi ligjor paraqet shkelje të të drejtave të njeriut.

Martesa në Amerikë vjen me një shumëllojshmëri të përfitimeve ligjore, përfshirë sigurim më të lirë, avantazh në pension dhe të drejtën për të trashëguar pronën pas vdekjes së bashkëshortit.

Por, shumë amerikanë mendojnë se martesa është një lidhje e shenjtë, e urdhëruar nga Zoti dhe është e mundur vetëm ndërmjet një burri dhe një gruaje.

Kjo është pikëpamje edhe e tre prej katër kandidatëve për nominimin presidencial të Partisë Republikane. Presidentin aktual, komuniteti homoseksual e konsideron si aleat, ndonëse Barak Obama thotë se pikëpamjet e tij mbi martesën janë ende “në zhvillim”.

Megjithatë, ca qëndrime të ngulitura është vështirë të ndryshohen. Guvernatori i Nju Xhërsit, ku qytetarët do të vendosin përmes votimit pro ose kundër martesave të homoseksualëve, është kritikuar këtë javë, pasi ka thënë se Lëvizja për të Drejtat Civile nuk do të kishte shpërthyer në dhunë, sikur amerikanët të kishin votuar nëse duan t’iu japin afro-amerikanëve të drejta të barabarta.

Komentet e tij kanë habitur ligjvënësen Shelia Oliver, afro-amerikania e parë që kryeson Asamblenë e Nju Xhërsit dhe një mbështetëse e zgjerimit të të drejtave martesore.

Është e pamundur të konceptohet se referendumi për të drejtat civile në Jug do të ishte i suksesshëm dhe do t’iu sillte drejtësi minoriteteve”, ka thënë ajo.

Ligjvënësja tjetër, njëherësh përkrahëse e martesave të homoseksualëve, Boni Uetson Kollmen, pajtohet.

Këto deklarata kundërshtojnë historinë. Ato vite ishin një periudhë tepër e rrezikshme dhe armiqësore për afro-amerikanët dhe pakicat e tjera në Jug. Të drejtat themelore të njeriut nuk duhet të vendosen kurrë me referendum”, thotë ajo.(v.t.)
XS
SM
MD
LG