Ndërlidhjet

OKB diskuton për Sirinë

  • RFE /RL


Filmim amator, xhiruar më 27 janar, tregon qytetin sirian Hama, nën granatime të rënda dhe shumë të shtëna.


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka diskutuar draft-rezolutën e sponsorizuar nga disa vende evropiane dhe disa arabe, në lidhje me Sirinë.

Ajo bën thirrje për mbështetje të planit të Ligës Arabe, që kërkon dorëheqjen e presidentit sirian, Bashar al-Asad, me synim për t’i lëshuar vendin formimit të qeverisë së përkohshme deri në organizimin e zgjedhjeve.

Draft-rezoluta, e paraqitur para Këshillit nga Maroku, bën thirrje për masa të reja, nëse Qeveria siriane nuk vepron në përputhje me kërkesat e tranzicionit politik.

Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, tha se draft-rezoluta është “e papranueshme” në disa pjesë, porse “Moska është e gatshme të angazhohet në lidhje me të”.

Çurkin tha se nuk mund të sillet asnjë vendim për Sirinë, përpara se të nisë dialogu ndërmjet Qeverisë së Asadit dhe opozitës. Ai tha se Rusia ka vendosur vijat e saj të kuqe dhe “nuk do të lejojë që zgjidhja të përmbajë kërcënime për sanksione apo embargo armësh”.

Ambasadori i Gjermanisë, Peter Vitih, tha se qëndrimi i Rusisë, megjithatë, është inkurajues.

“Jam i inkurajuar nga fakti se kolegu rus tha se do të angazhohet për diskutime të mëtejshme. Natyrisht, ai përmendi disa pengesa dhe ju i dëgjuat ato. Pra, jo embargo armësh, jo sanksione, jo ndryshim regjimi”, tha Vitih.

Deri më tash, Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ka mundur të miratojë ndonjë rezolutë për dhunën në Siri, për shkak të kundërshtimeve të fuqishme të Rusisë dhe Kinës - të dyja këto anëtare të përhershme të këtij mekanizmi, me të drejtë vetoje.

Por, ambasadori i Francës në OKB, Gerard Araud, tha se nuk ka alternativë për zgjidhje politike në Siri.

“Po përballemi me një krizë të madhe. Më shumë se 5,500 persona janë vrarë. Vendi po rrëshqet në luftë civile. Ne jemi dëshpërimisht në kërkim të një zgjidhjeje politike. Por, fatkeqësisht apo fatmirësisht, nuk ka alternativë. Kemi këtu Ligën e Shteteve Arabe, e cila propozon zgjidhje. Ne do ta mbështesnim, por ajo nuk po arrihet”, tha Araud.

Britania dhe Franca kanë shfaqur shpresën se draft-rezoluta do të mund të vihej në votim javën e ardhshme, pas konferencës së sekretarit të përgjithshëm të Ligës Arabe, Nabil Elarabi, dhe të kryeministrit të Katarit, e cila pritet të zhvillohet të martën.

Ambasadori sirian në Kombet e Bashkuara, Bashar Jafari, tha se OKB-ja po bën përpjekje të vendosë për fatin e Sirisë pa u konsultuar me Damaskun.

“Një pjesë e rëndësishme e këtyre zotërinjve është se ata po flasin për vendin tim, pa u konsultuar me ne, pa i ndarë me ne shqetësimet e tyre, vërejtjet e tyre. Ata mendojnë se Siria nuk ekziston, se nuk e ka një ambasador këtu dhe se ne jemi ende nën hegjemoni. Ata po na trajtojnë neve si një ish-koloni që duhet ta nënshtrojë veten e saj sipas dëshirës së tyre”, theksoi Jafari.

Ai tha, po ashtu, se Siria nuk do të jetë Libi, “lideri i së cilës, Muamer Gadafi, u rrëzua me ndihmën e NATO-s”.

“Siria nuk do të jetë Libi. Siria nuk do të jetë Irak. Siria nuk do të jetë Somali. Siria nuk do të jetë një shtet i dështuar”, u shpreh Jafari.

Takimi i OKB-së ka ndodhur në kulmin e dhunës në Siri. Aktivistët kanë raportuar për 135 persona të vrarë në dy ditët e fundit. Kreu i misionit vëzhgues të Ligës Arabe në Siri, gjeneral Mustafa al-Dabi, pranoi se dhuna është rritur “në mënyrë të konsiderueshme”.

Forcat opozitare raportohet të kenë ngritur pika kontrolli në disa pjesë të kryeqytetit dhe korrespondentët thonë se besnikët e Asadit e kanë të vështirë ta mbajnë kontrollin.

OKB-ja ka pranuar se nuk mund të përcjellë numrin e saktë të të vrarëve, të cilët, që nga shpërthimi i protestave anti-qeveritare marsin e kaluar, kanë kaluar shifrën 5,400.

Qeveria e Bashar al-Asadit thotë se është duke luftuar “terroristët dhe bandat e armatosura” dhe pretendon se rreth 2,000 pjesëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë.

Protestat në Siri zhvillohen në vazhdën e kryengritjeve në botën arabe, që çuan në ndryshimin e regjimeve në Tunizi, Egjipt dhe Libi. (v.t.)
XS
SM
MD
LG