Ndërlidhjet

Gjykimi në "rastin Kleçka"


Fatmir Limaj me avokatët e tij - foto nga arkivi
Fatmir Limaj me avokatët e tij - foto nga arkivi
Procedura e gjykimit të deputetit Fatmir Limaj dhe nëntë ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - që të gjithë të akuzuar për krime kundër popullatës civile gjatë luftës më 1999, në atë që njihet si "rasti Kleçka", ka nisur sërish të hënën dhe do të vazhdojë edhe të martën.

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër Limajt dhe nëntë ish bashkëluftëtarëve të tij, për vepra të cilat supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999, kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, si dhe kundër pjesëtarëve të burgosur të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër të improvizuar paraburgimi nga UÇK-ja.

Seanca e së hënës, ka vazhduar me shqyrtimin e dokumenteve dhe fakteve për procesin, ndërsa nesër do të diskutohet për pranueshmërinë e dëshmive.

Pala mbrojtëse, gjatë ditës ka kërkuar nga trupi gjykues shtyrjen e procesit gjyqësor, pasi që, siç kanë thënë ata, kërkohet një ekspertizë e autenticiteti të ditarit të dëshmitarit “X”.

Por, një kërkesë e tillë është refuzuar nga paneli i gjykatësve.

Vendimin e gjykatës për të refuzuar shtyrjen e procesit, avokati mbrojtës i zoti Limaj, Tahir Rrecaj e ka parë si të padrejtë.

Fatkeqësisht trupi gjykues nuk shprehi gatishmëri që të aprovojë kërkesën e mbrojtjes për shtyrjen e shqyrtimit gjyqësor, derisa të bëhet ekspertiza grapologjike lidhur me autenticitetin e ditarit të dëshmitarit ‘X’, tashmë të njohur si Agim Zogaj. Bërja e ekspertizës është me rendësi vendimtare, për shkak se nga një shikim i drejtpërdrejt mund të shihet se ditari i dëshmitarit Agim Zogaj i cili i është dorëzuar mbrojtjes shihet se nuk është i shkruar nga e njëjta dorë”, tha Rrecaj.

Avokatët mbrojtës po ashtu kanë kërkuar që nga ky proces të përjashtohet edhe prokurori Mauricio Salustro.

Për ketë kërkesë avokatët janë bazuar në ditarin e dëshmitarit X, ku është thënë se prokurori ka bërë presion mbi dëshmitarin tashmë të ndjerë.

Kërkesa tjetër ishte për përjashtimin e prokurorit Salustro, i cili përfaqëson akuzën për shkak se dëshmitari Agim Zogaj në ditarët e tij ka ngritur një seri akuzash kundër prokurorit Salustro kundër policëve të EULEX-it dhe kundër EULEX-it lidhur me presionet të cilat i janë bërë atij”, deklaroi Rrecaj.

Kurse, gjykatësi Gjonatan Uelford Karoll ka deklaruar se kërkesa për largimin e prokurorit Salustro duhet t’i bëhet kryeprokurorit të EULEX-it, dhe kjo mund të bëhet deri të martën në orën 17:00.

Trupi gjykues udhëzon kryeprokurorinë që vendimin ta marrë deri të mërkurën ne orën 10:00.

Gjatë seancës përveç avokateve të tij, ka folur edhe i akuzuar Fatmir Limaj.

Ai deri sa ka thënë se “sot jemi dëshmitarë që në vazhdimësi janë shkelur të drejtat tona”, gjykatësi ndërhyu duke i thënë që të “mos mbajë fjalime politike”.

Limaj i është përgjigjur duke i thënë se nuk është duke mbajtur fjalime politike por për të folur për të drejtat e tij që ia garanton kushtetuta.

Unë dua të them se në ditar edhe unë edhe prokurori akuzohemi për gjërat e njëjta. Dy gjëra janë të rëndësishme. A ka gjë më të thjeshtë se sa çështja e ditarit, që konsiderohet zemra e procesit, t’i bëhet një ekspertizë. Na mundësoni të kemi mbrojtje fer, na mundësoni një gjyq fer”, iu drejtua Limaj panelit gjyqësor, në fund të seancës.

Dëshmitari kryesor, Agim Zogaj, i cili deri në vdekjen e tij është njohur si dëshmitari X, në këtë proces është gjetur i vdekur në Gjermani, më 28 shtator të vitit 2011.

Në shenjë kundërshtimi të akuzave të ngritura për krime kundër popullatës civile për nëntë ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, disa studentë të Universitetit të Prishtinës, deri sa po vazhdonin proceduar gjyqësore në Gjykatën e Qarkut, kanë mbajtur një protestë në Prishtinë.

Protestuesit kërkuan lirimin e menjëhershëm të ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga paraburgimi.

Nehat Gashi, njeri nga anëtarët e këshillit organizativ të protestës, tha se procesi gjyqësor i “rastit Kleçka", është i motivuar politikisht.

Ne mendojmë dhe jemi të sigurt se lufta jonë e shtrenjtë dhe e shenjtë ka qenë e pastër si loti. Andaj jemi këtu që të shprehim përkrahjen tonë maksimale për luftëtarët e lirisë dhe për t’i thënë EULEX-it se ka gabuar shumë rëndë. Mendojmë po ashtu se akuzat e tyre janë më motive politike, dhe për ta njollosur dhe barazuar luftën tonë çlirimtare me gjenocidin serbo-sllav të shkaktuar në Kosovë”, tha Gashi.

Në ketë protestë foli edhe ish- shefi i brigadës 121, Skënder Hoti.

Ai i tha se është e padrejtë që ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të ndiqen politikisht.

Kjo akuzë është e orkestruar nga EULEX-i dhe e dirigjuar nga Beogradi dhe nga njerëz të ulët dhe të paguar, të trajnuar për të shpifur, që po tentojnë t’i njollosin me sublime më të vlefshme të këtij populli vlerat e UÇK-së”, tha Hoti para protestuesve.

Paqartësi mbi imunitetin e Limajt, Hoti u bëri thirrje edhe drejtuesve të institucioneve të Kosovës që të mos heshtin për ketë proces gjyqësor ndaj çlirimtareve.

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës, Parlamentit, Presidencës, të gjitha forcave politike, që të mos heshtin ndaj këtij gjykimi politik. Ne ju themi kujdes se nesër për këtë heshtje do t’iu gjykojë populli dhe do t’iu mallkojë historia”, tha ai.

Ndryshe, zoti Limaj nuk e gëzon më imunitetin e deputetit, pas një interpretimi të Kushtetutës që Gjykata Kushtetuese i bëri më 20 shtator të 2011-ës, nëpërmjet të cilit të gjithë ligjvënësit u zhveshën nga imuniteti që gëzonin deri atëherë.
XS
SM
MD
LG