Ndërlidhjet

Nxitja e punësimit


Punëtorë kosovarë
Punëtorë kosovarë

Të dhënat e fundit të organizatave ekonomike në Kosovë, tregojnë se papunësia mbetet një nga problemet kryesore në vend.

Në vitet e fundit në Kosovë, sipas njohëseve të çështjeve ekonomike, nuk ka pasur ulje të shkallës së papunësisë.

Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas tyre llogaritet të jetë mbi 43 për qind.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Agron Demi, thotë se për të nxitur punësimin, autoritetet e Kosovës duhet të krijojnë një ambient të favorshëm për biznese, në të kundërtën, ky numër i të papunëve do të shënojë rritje.

Ajo çfarë Qeveria e Kosovës është duke e bërë gabim është punësimi i njerëzve vetëm në sektorin publik, duke lënë anash sektorin privat apo zhvillimin e sektorit privat, dhe duke mos i krijuar kushte bizneseve. Nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të ulë numrin e të papunëve, duhet të krijojë mundësi më të mira bizneseve private dhe në këtë mënyrë ata do të punësojnë shumë më shumë punëtorë”, thotë Demi.

Papunësia, thekson ai, vazhdon të identifikohet nga qytetarët e Kosovës si problem kryesor me të cilin ballafaqohen.

Ai thotë se përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për uljen e papunësisë nuk kanë qenë të suksesshme, pasi që ky problem vendin është duke e përcjellë që nga paslufta.

Për zbutjen e këtij problemi, Demi thotë se duhet të përgatiten politika afatgjate ekonomike.

Pritet që kësaj papunësie t’i shtohet edhe një numër i madh i punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, pasi që në marrëveshjen me FMN- në, Qeveria e Kosovës ka premtuar se do të rishikojë numrin e të punësuarve në KEK. Tani së fundi kemi edhe disa deklarata se do të ketë edhe ulje të pagave dhe largim të punëtorëve nga PTK-ja. Edhe pas gjitha këtyre, nuk ka një premtim se sektori privat do të ketë një punësim më të madh”, thekson Demi.

Në anën tjetër, për të nxitur punësimin, eksperti i çështjeve ekonomike, Haki Shatri thekson se Qeveria e Kosovës duhet të tërheqë investitorë të huaj, pasi që sipas tij, aftësia akumuluese që disponon Kosova nuk është e atij niveli që mund të garantojë ndonjë efekt më të madh të punësimit.

Mendoj që me politikat që disponon qeveria, mund të ndikohet sidomos në orientimin e investimeve publike në lëmi, të cilat do të absorbojnë një numër më të madh të papunëve. Po ashtu mund të ndikohet pozitivisht edhe me politika tjera, siç është krijimi i kushteve për biznese, ku kyçe do të ishte joshja e investitorëve të huaj”, thekson Shatri.

Ndërkohë, Shatri tregon se në tregun e punës në Kosovë hyjnë deri në 35 mijë të rinj, ndërkaq ky treg absorbon nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit.

Kjo, sipas tij, tregon se shkalla e papunësisë vazhdon të mbetet e lartë dhe e pandryshueshme.

Ka pak hapësirë që mund të bëhet diçka e menjëhershme, por sikur t’i kushtohet një vëmendje më e madhe kësaj dukurie, do të mund të bënin që numri i të papunëve mos të rritet”, thekson Shatri.

Sidoqoftë, edhe raportet e mekanizmave ndërkombëtarë për Kosovën i rekomandojnë Qeverisë së Kosovës që të angazhohet më tepër në rritjen e punësimit, duke vlerësuar se shkalla e punësimit mbetet shumë e ulët, ndërsa papunësia e të rinjve dhe papunësia afatgjate mbesin ende shumë të larta.
XS
SM
MD
LG