Ndërlidhjet

Me këngë në fushatë


Mit Romni
Mit Romni

Mit Romni ka arritur fitore të madhe në votimet për nominim presidencial republikan, mbrëmë vonë në Floridë.

Në këtë mënyrë ai i shtoi gjasat që të bëhet i nominuari i Partisë Republikane në zgjedhjet presidenciale kundër Barak Obamës, në muajin nëntor.

Në votimet në Floridë, Mit Romni fitoi 46% të votave, ndërsa rivali i tij, Njut Gingriç, 32%.

Kandidatët e tjerë, ish senatori Rik Santorum, mori 13%, ndërsa kongresmeni Ron Pol, 7% të votave.

Por, shtrohet pyetja se a i ka ndihmuar zotit Romni kënga që ai e këndoi në një fushatë në Floridë, para votimeve.





“E dua këtë vend”, tha Romni në fund të këngës së kënduar nga ai, me përcjellje të publikut, “Amerika e mrekullueshme”.

E përditshmja Uashington Post ka raportuar se korrespondentëve politikë me përvojë nuk u kujtohet që ndonjë kandidat presidencial ka kënduar këngë pak para votimeve.

Por, kur shtrohet çështja e politikanëve që këndojnë spontanisht, ish guvernatori i Masaçusetsit, Mit Romni, nuk është i vetëm.

Vetëm para disa ditësh, presidenti amerikan, Barak Obama, kundër të cilit Romni synon të paraqitet në zgjedhjet për president në nëntor, i ka treguar aftësitë e tij prej këngëtari në teatrin e njohur Apollo në Harlem të Nju Jorkut.




Ishte kjo kënga e Al Grinit, “Të mbetemi së bashku”.

Kur ishte kandidat për nominim të Partisë Republikane në vitin 2007, senatori Xhon Mekkejn, nxiti hare kur bëri shaka lidhur me bombardimin e Iranit.





Kandidati tjetër për nominim republikan për zgjedhjet e sivjetme presidenciale, Rik Santorum, gjatë një paraqitjeje në Ajova, vitin e kaluar, u shpërblye me të qeshura të publikut.

Derisa zoti Santorum fliste, papritmas u fikën dritat. Në përgjigje të situatës ai e këndoi një varg nga njëri nga hitet më të njohura të Frenk Sinatrës, “Strangers in the night”





Tash për tash nuk ka paralajmërime se rivalët partiakë republikanë të Mit Romnit dhe Rik Santorumit, Njut Gingriç dhe Ron Pol, eventualisht po përgatisin ndonjë befasi të tyre me këngë. (f. b.)
XS
SM
MD
LG